33 persona humbën jetën në vendin e punës gjatë 2021
Çdo dy ditë një shqiptar aksidentohet në vendin e tij të punës. Ndërkohë çdo 11 ditë një punonjës humb jetën, ndërsa është duke siguruar jetesën me punë.
Vetëm në vitin 2021, numri i fataliteteve arriti 33 persona, ndërsa 185 persona të tjerë u raportuan si të aksidentuar. OSHEE mban vendin e parë për aksidentet në punë, ndjekur nga ndërtimi dhe minierat.
Por, cilat janë shkaqet që po vrasin shqiptarët në vendet e tyre të punës? E nëse sektori privat ka probleme me zbatimin e rregullave të sigurisë në punë, përse vendin e parë për humbjet e jetës e zë një institucion shtetëror?
Le t`iu hedhim fillimisht një vështrim sektorëve më problematikë për aksidentet gjatë punës, në këto vitet e fundit.
Për vitin 2020 ndërtimi do të zinte vendin e parë si sektori me më shumë aksidente fatale për jetën me 10 punëtorë të vdekur. Ndjekur nga ndërmjarrjet prodhuese me 8 punëtorë që humbën jetën. Renditja vijonte me minierat dhe energjitikën. Sipas të dhënave nga Inspektoriati Shtetëror i Punës gjatë vitit 2021 kemi një ndryshim të raportit. Në vend të parë për nga numri i të aksidentuarve në punë me pasojë vdekjen do të ishte sektori i energjisë me 8 punëtorë që kanë humbur jetën.
Për vite me radhë ndërtimi ka kryesuar listën e aksidenteve në punë. Ai është një ndër punëdhënësit më të mëdhenj për djemtë dhe burrat në Shqipëri dhe sipas një studimi të Bankës Botërore të vitit 2019, numëron rreth 82 mijë të punësuar.
Por pavarësisht kësaj, raporti ndryshoi kur kreun e listës e mori Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Edhe pse një ndërmarrje publike që supozohet të ketë sigurinë më të lartë në vendin e punës, ky institucion ka një numër lartë të punëtorëve që kanë humbur jetën në punë. Sipas të dhënave nga Inspeklorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, në vitin 2014-të u regjistrua edhe numri më i lartë i personave të cilët kanë humbur jetën në sektorin elektrik, gazit dhe ujit me 14 punëtorë. Nga viti 2014-të deri në vitin 2021 janë plot 36 punëtorë të cilët kanë humbur jetën. OSHEE është një nga korporatat më të mëdha në Shqipëri, në raportet e Inspekloratit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, veçohet si një nga shkaktarët kryesore. Unpublished i dërgoi një shkresë OSHEE ku kërkonte informacion mbi aksidentet në punë dhe shkaqet pse shifrat janë të larta, por institucioni nuk iu përgjigj shkresës. Ekspertët rendisin disa faktorë për këtë situatë.
Gjatë vitit 2021, Tirana do të mbante vendin e parë për numrin më të lartë të personave që kanë humbur jetën në vendin e punë me 7 persona, ndjekur nga Dibra, Shkodra dhe Vlora me 5 persona.
Ndërsa për vitin 2020, nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore janë regjistruar si të aksidentuar në punë, në të gjitha llojet e aktiviteteve, 182 punëmarrës, prej të cilëve 36 me pasoja te humbjes së jetës. Sipas të dhënave nga Instituti i statistikave në vitin 2020 në Shqipëri të punësuar ishin 1 milionë e 131 mijë persona. Dhe për monitorimin e marrëdhënieve të tyre të punës, ka disa institucionesh dhe inspektoriatesh që veprojnë në vendin tonë.
Sistemi i inspektimit të punës në Shqipëri mbulohet nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, AKSEM, kryen veprimtari në fushën e sigurisë në punë, të emergjencave dhe të shpëtimit në veprimtarinë minerare dhe punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike në Shqipëri. Përsa i përket inspektimit të shëndetit në punë, është përgjegjës Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror.
Por sërish aksidentet në punë vijojnë me shifra të larta. Edhe kur ata ndodhin, personi I dëmtuar ose familjarët e viktimave, nuk I shfrytëzojnë mundësitë që iu jep ligji për të fituar të drejtën e tyre.
Por përveç OSHEE dhe ndërtimit, minierat janë një tjetër vend pune me shifra të larta fataliteti.
Fiqiri Karaj, ishte zgjuar herët, si zakonisht, për të shkuar në punë më 24 shkurt të vitit 2021. Kishte udhëtuar rreth 10 kilometra nga njësia administrative Fushë-Bulqizë deri në minierat e kromit në Bulqizë ku, si punëtor i thjeshtë krahu, punonte për një pagesë afro 60,000 lekë në muaj, në një kompani në sektorin minerar në zonën mineral mbajtëse D. Por kjo do të ishte dita fatkeqe për Fiqiriun, pas shembjes së një masivi gurësh në këtë galeri, ai do të humbte jetën duke lënë pas bashkëshorten dhe katër fëmijë. Ikja e tij vështirësoi jetesën ekonomike të familjarëve.
Pas aksidentit, policia do të procedonte penalisht disa persona nga kompania për mos respektim të kushteve teknike në punë. Si pasojë e neglizhencës së tyre, në një nga nënkatet e subjektit minerar, shembja e një pjese armature do ti shkaktonte vdekjen e menjëhershme 49-vjeçarit. Pra aksidenti nuk ishte pasojë e gabimit njerëzor të punonjësit, por problemeve me kushtet e punës.
Tregimi i rastit të Fiqiri Karaj nuk është i rrallë. Ai është njëri nga qindra punëtorë të nëntokës që kanë humbur jetën në vendin e punës. Me qindra janë edhe të tjerët të plagosur, duke iu shkaktuar paaftësi të pjesshme ose të përhershme për të punuar.
Qarku i vogël i Dibrës, ku ndodhet miniera e Bulqizës, mban vendin e dytë për numrin e lartë të aksidenteve dhe të fataliteteve në vendin e punës pas Tiranës.
Gjatë vitit 2020, Inspektoriati Shtetëror i Punës raportoi se 7 persona humbën jetën dhe 27 të tjerë u aksidentuan në vendin e punës në Dibër. Pesë prej viktimave ishin minatorë. Dhjetra jetë të tjerë janë ndërprerë në mes në disa sektorë në të gjithë vendin. Kryesisht shkaku I fataliteteve është mos respektimi I sigurisë në punë.
Për shumë vite sektori fason ishte ofruesi më i madh i vendeve të lira të punës, që nuk kërkonin kualifikim. Në vitin 2019, në sektorin e prodhimit të veshjes dhe këpucëve, ishin të regjistruar 809 biznese. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, këto subjekte janë punëdhënës të mëdhenj në zonat urbane. Edhe këtu shihet një situatë problematike lidhur me zbatimin e kodit të punës.
Në shumë sisteme politike, zëri i punëtorëve përfaqësohet më së miri nga sindikatat, të cilat promovojnë interesat e tyre dhe lidhin kontratat kolektive të punës. Por në Shqipëri sindikatat janë të padukshme. Formalisht ka disa organizime sindikale, por që më shumë mbeten struktura formale se sa efektive, shpesh të shoqëruara edhe me akuza për politizim.
Në këto kushte punonjësit nuk e shohin sindikatën si vendin ku duhet të trokasin për t`u mbështetur nëse gjenden përballë shkeljeve si mospagesë të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, mospagesë të rrogës në kohë, mungesë të sigurisë në punë etj. Madje siç pohojnë ekspertët dhe njohësit e fushës kanë një mangësi të theksuar në këtë drejtim dhe njohjes së të drejtave dhe detyrimeve, sidomos kur janë në një rast aksidenti në punë. Sindikatat shqiptare i kanë kthyer kontratat kolektive të punës, kryesisht në institucionet shtetërore në një mjet për të mbledhur kuotat e anëtarësisë direkt nga institucionet buxhetore dhe kompanitë publike, duke u kthyer në organizata formale që promovojnë interesat e punëdhënësve më shumë se të drejtat e punëtorëve.
Pra punonjësit në Shqipëri kanë një ligj të mirë që i mbron në letra, disa institucione që duhet të inspektojnë dhe ndëshkojnë shkeljet nga punëdhënësit, por shifra të larta të aksidenteve në punë si pasojë e mos respektimit të kushteve teknike të punës. Nëse kjo do ndodhte numri i punonjësve që humbasin jetën apo dëmtohen në vendin e tyre të punës, do të ishte ndjeshëm më i ulët.
Sondazhi i Euronews Albania gjen me saktësi rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit
Tregu i punës në Shqipëri, pse po largohen të rinjtë? l Unpublished
Bashkitë 55 milionë euro borxhe të akumuluara, 2 në prag falimenti
- 22:26 Sagnol: Michael Olise është futbollisti më i mirë në botë, meriton “Topin e Artë”
- 22:24 Çollaku komenton Kuvendin Kombëtar të protestës: Është kurth për ta shuar
- 22:23 Zvicra kalon në 1/8 e finales, mposht bindshëm Algjerinë me dy gola në Vancouver
- 22:23 E pabesueshme! Prekja e topit me flokë i mohoi Kroacisë barazimin ndaj Portugalisë
- 22:17 Harry Kane thyen rekorde, por jo tregun: pse një nga futbollistët më të mëdhenj të botës nuk është një supermarkë?
- 22:15 Atentati ndaj Donald Trump në 2024! Publikohet raporti që zbulon dështimet operacionale nga Shërbimi Sekret