34 vjet nga vrasja e Paolo Borsellinos, atentati mbetet i mbuluar nga misteri
Italia ka përkujtuar këtë të diel 34-vjetorin e vrasjes së prokurorit antimafia Paolo Borsellino, i cili humbi jetën më 19 korrik 1992 në një atentat me autobombë në Palermo, bashkë me pesë efektivët e eskortës së tij.
Megjithëse kanë kaluar më shumë se tre dekada nga atentati, rrethanat dhe prapavija e plotë e vrasjes vijojnë të jenë objekt debatesh dhe polemikash në Itali, deri në nivelin politik.
Presidenti Sergio Mattarella e cilësoi Borsellinon simbol të vendosmërisë civile në luftën kundër mafies, duke theksuar se përpjekjet për të ndryshuar rrjedhën e historisë kanë dështuar.
Megjithatë, familjarët e prokurorit vijojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të së vërtetës, duke kërkuar hetimin e prapavijës politike të atentatit, i cili zyrtarisht i është atribuar organizatës mafioze Cosa Nostra.
Salvatore Borsellino, vëllai 84-vjeçar i prokurorit, deklaroi se nuk do të ndalet së kërkuari të vërtetën. Një ditë para ceremonisë përkujtimore ai i dërgoi një mesazh kryeministres Giorgia Meloni, duke i kërkuar të mos prekë figurën e të vëllait të tij.
Ndërkohë, Lucia Borsellino, vajza e prokurorit, kërkoi sërish gjetjen e agjendës së kuqe të babait të saj, e cila u zhduk së bashku me çantën e punës menjëherë pas shpërthimit.
“Kam qenë një nga dëshmitaret e agjendës së kuqe që i përkiste babait tim. Zhdukja e saj nga vendi i vrasjes nuk mund ta ndalë kërkimin e së vërtetës”, u shpreh ajo.
Edhe pas 34 vitesh, në Itali mbetet e hapur pyetja se cilët ishin përfaqësuesit e shtetit apo të politikës që mund të kenë pasur rol në porositjen e atentatit.
Një nga pistat që vijon të përmendet nga gazetarë dhe hetues është ajo e një marrëveshjeje të mundshme mes përfaqësuesve të politikës dhe mafies, që lidhet si me vrasjen e Paolo Borsellinos, ashtu edhe me atentatin ndaj kolegut të tij, Giovanni Falcone.
Nga ana e saj, kryeministrja Giorgia Meloni ka deklaruar se shteti italian nuk do të tërhiqet nga kërkimi i së vërtetës për një nga atentatet më të rënda në historinë moderne të vendit.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit paralajmëron Iranin: Do të reagojmë me gjithë fuqinë nëse sulmohemi
Rusia godet me raketa anijen turke me grurë në Detin e Zi, 5 marinarë të vrarë
Vritet në Itali gazetari sportiv Luca Esposito, trupi i tij gjendet i djegur
- 23:15 Spanja shpallet kampione e botës, Ferran Torres vendos në shtesë finalen dramatike ndaj Argjentinës
- 22:52 Tifozi argjentinas në fan zonën e Tiranës: Luajmë me gjak për fanellën, besoj te Messi dhe Martinez
- 22:34 Finalja e Botërorit, Alliu: Spanja mund ta çmontojë Argjentinën pas golit të parë
- 22:24 Trump shkon me helikopter në finalen e Kupës së Botës, presidenti amerikan shfaqet pas xhamit antiplumb (FOTO)
- 22:18 Klodiana Shala zbulon takimet me yjet e futbollit: Messi më i afërt, Ronaldo i distancuar
- 22:08 Ministri i Mbrojtjes i Izraelit paralajmëron Iranin: Do të reagojmë me gjithë fuqinë nëse sulmohemi