Uashingtoni dhe Kievi, pranë marrëveshjes për “mineralet e rralla” të Ukrainës
Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina thanë të dielën se janë më pranë një marrëveshjeje që Kievi t’i japë Uashingtonit një pjesë të madhe të të drejtave për shfrytëzimin e mineraleve të rralla si kompensim për miliarda dollarë në municione që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në një konferencë për shtypin në Kiev se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara po “bëjnë përparim” në arritjen e një marrëveshjeje. Ai tha se është rënë dakord për një projekt-marrëveshje, sipas së cilës Ukraina t’i paguajë Shteteve të Bashkuara 2 dollarë për çdo dollar në ndihmë ushtarake që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit për luftën kundër forcave ruse, megjithëse detajet e saj nuk janë bërë të ditura.
Lufta shënon tre vjetorin e saj të hënën.
Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar sasinë më të madhe të ndihmave, duke i dhënë Kievit 128 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare, sipas Institutit gjerman të Kielit për Ekonominë Botërore. Ndihma e Shteteve të Bashkura për Kievin është pak e madhe se 124 miliardë dollarët që 27 vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë për Ukrainën.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, i tha rrjetit CNN se ai pret që Presidenti Zelenskyy të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet këtë javë.
Presidenti Zelenskyy fillimisht hodhi poshtë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për gjysmën e rezervave minerale të rralla të Ukrainës, të cilat përdoren për prodhimin e pajisjeve elektronike.
Zoti Witkoff sinjalizoi në intervistën për rrjetin CNN se marrëveshja tani do të arrihej, ndonëse ai nuk i shpjegoi detajet e saj.
Zoti Witkoff tha se vendet evropiane dhanë kontributin e tyre në mbështetje të luftës të Ukrainës pas arritjes së marrëveshjes me Kievin për t’ia kthyer përfundimisht paratë e tyre, por Shtetet e Bashkuara nuk e kishin bërë këtë.
Zoti Witkoff tha se një mbështetje e tillë pa kushte e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën “ishte e pakuptimtë” për Presidentin Donald Trump, i cili ishte angazhuar për një kohë të gjatë në negociata për marrëveshje mbi pasuritë e paluajtshme në Nju Jork përpara se të hynte në politikë në 2015.
Presidenti Zelenskyy tha, “kam pasur një marrëveshje me ish-Presidentin Biden dhe Kongresin Amerikan, i jam mirënjohës Kongresit, të dyja palëve. Mbështetja ishte në formë grantesh. Granti nuk është hua. Ne nuk kemi pse ta kthejmë kredinë në këtë rast. Ndoshta dikujt nuk i pëlqen dhe mendon se është e padrejtë. Por ndoshta kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje. Prandaj, nuk ka të bëjë me shifrën, ne thjesht nuk e shohim atë si një hua. Kjo kishte të bënte me grantet jo me shifrat. Ne thjeshtë nuk e shohim këtë si një hua. ”
Presidenti Trump, i cili javën e kaluar e quajti Presidentin Zelenskyy “diktator” dhe e akuzoi atë për fillimin e luftës edhe pse Rusia e sulmoi Ukrainën, ka kërkuar pagesat dhe ka fajësuar paraardhësin e tij, Biden, për mossigurimin e një lloji garancie për kompensim të ndihmës.
Zoti Zelenskyy tha të dielën se dëshiron që Presidenti Trump të “kuptojë” pozicionin e tij dhe të sigurojë garanci konkrete të sigurisë për të ndihmuar Kievin që të mbrohet nga sulmet e Rusisë.
“Dua shumë mirëkuptim nga zoti Trump”, tha zoti Zelensky në konferencën e tij për shtypin, duke shtuar: “Garancitë e sigurisë nga Presidenti Trump janë shumë të nevojshme”.
Zoti Zelenskiy tha se është i gatshëm të heqë dorë nga posti nëse kjo do të thoshte paqe për Ukrainën dhe shtoi se ai do ta shkëmbente largimin e tij nga detyra me hyrjen e Ukrainës në NATO.
“Nëse një gjë e tillë (do të thoshte) paqe për Ukrainën, nëse vërtet mendoni që është e nevojshme që unë të largohem nga posti, unë jam gati,” tha zoti Zelenskiy kur u pyet gjatë një konference për shtyp a do të ishte gati të largohej nga posti nëse kjo do të thoshte një arritje e paqes.
“Do ta këmbeja këtë menjëherë me një (anëtarësim) në NATO, nëse është ky kusht”, shtoi presidenti.
Kryediplomatët e lartë amerikan dhe rus, Marco Rubio dhe Sergey Lavrov, u takuan në Arabinë Saudite pa pjesëmarrjen e zyrtarëve ukrainas apo evropianë javën e kaluar për të hedhur bazat për bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti Zelenskiy shprehu pakënaqësinë për përjashtimin e Ukrainës nga bisedimet, por Trump tha se ai mund të kishte negociuar me Rusinë paraprakisht që të parandalonte agresionin e Moskës.
LEXONI GJITHASHTU:
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta