Dita ndërkombëtare e të moshuarve, kush janë çështjet që i shqetësojnë më së shumti

1 Tetor 2021 | 17:11

Në ditën ndërkombëtare të të moshuarve, kamera e Euronews Albania vizitoi Krrabën, Vlorën dhe Korçën ku të moshuarit u pyeten drejtpërdrejt mbi kushtet e jetesës.

Krrabë

Në Krrabë, mbyllja e minierave në vitin 2000 ka bërë që të rinjtë të largohen dhe vendi të harrohet nga autoritetet. Ata që mbeten janë të moshuarit, të cilët, nga sa rrëfejnë, e sigurojnë jetesën me vështirësi. Mundësitë që një i moshuar të kalojë ditën në Krrabë, është një hiro një qytet dhe një filxhan kafe në lagje.

“Ne jemi pensionistë, pimë ndonjë birrë për qejf, rrallë, kafe po, ku del hesapi me pi birra?” tha një tjetër i moshuar.

Mbyllja e minierave i dha një goditje të fortë zhvillimit të kësaj zone. Zona është varfëruar dhe të ardhurat janë të pamjaftueshme.

“Më para ishte qendër pune, ishte mrekulli. Po u mbyllën minierat…”, tha një i moshuar.

“Marr 70 mijë lekë, me çfarë të jetosh. Jetohet me 70 mijë lekë? Kush e punon tokën, ne mezi dalim”, tha një tjetër i moshuar.

Këta të moshuar janë zhurma e vetme e kësaj zone. Rinia prej kohësh është larguar duke mos kthyer kokën pas. Largimi i të rinjve dhe kushtet në të cilat ata ndodhen, ka bërë që në zonë të mos krijohen familje të reja.

“Fëmijët kanë ikur jashtë, janë martuar as nuk pyesin për pleqtë më, nuk pyet njeri”, tha një i moshuar.

“Rinia ikën në Tiranë tani, me autobuza me çfarë të gjejnë, ku të gjejnë ndonjë punë andej nga Tirana”, tha një tjetër.

Banorët thonë se kjo zonë është e mbushur me florinj por nëse askush nuk vë dorë për të përmirësuar jetesën, pas disa vitesh, florinjtë do të jenë në pronësi të fantazmave. 

Vlorë

Pa mbështetje, me pensione të ulëta dhe me mungesën minimale të përkujdesjes nga shteti, të moshuarit në qytetin e Vlorës tregojnë gjithashtu për Euronews Albania se ndihen të lënë pas dore. Edhe në ditën ndërkombëtare të tyre, asnjë aktivitet nuk mundësua për ta.

Ata i sheh çdo mëngjes të mbushin lulishtet në qytet, ndërsa lexojnë gazetat apo bisedojnë me njeri tjetrin. Kjo është përditshmëria e të moshuarve në qytetin e Vlorës. 

Në Vlorë nuk ka një qendër ditore ku të moshuarit mund të marrin qoftë edhe shërbimet minimale, kërkesa e tyre mbetet shtimi i vëmendjes nga institucionet për ta lehtësuar sado pak jetesën.

“S’kemi një vend për të kaluar kohen e lirë. Një vend ku të mblidhemi, të lozim një donimo një letër, tani vjen dimri. Edhe këto stolat mirë që i rregulluan pak. S’ka tualete publike, duhet të paguajmë 500 lekë për të shkuar në lokal”, tha një i moshuar.

“Duhet të ndryshojnë shumë gjëra, të kenë kushte më të përshtatshme. Nuk kanë punuar siç duhet sa i përket vëmendjes ndaj pensionisteve. Kur marrin votat na pyesin”, u shpreh një tjetër.

“Duam stola më të mirë, të ketë njerëz që interesohen për moshatarët, t’i mbrojnë e t’u shërbejnë. Në dimër mbyllemi në shtëpi, s’kemi  ku të shkojmë. Këto probleme nuk i zgjidhim dot ne, ndihmë s’ka”, tha një i moshuar.

“Të ishte më pastër. Rrimë këtu se pandemi në ajër të pastër. Aktivitetet do ishin mirë që të zbavitemi edhe ne të moshuarit. Fillon shiu, do të rrimë në shtëpi pastaj”, u shpreh një tjetër.

Edhe pse me vendim te Këshillit Bashkiak në 2020 është miratuar ngritja e një qendre ditore të kujdesit social, kjo qendër ende nuk është konkretizuar. Sakaq, në ditën botërore të të moshuarve, asnjë aktivitet nuk është parashikuar ne qytetin e Vlorës.

Korçë

Edhe në Korçë, të vetmin argëtim të ditës, të moshuarit kanë lojën me domino. Disa pensionistë u shprehen për Euronews Albania për problemet dhe kërkesat që kanë për institucionet që duhet të kujdesen për ta.

“Nuk kemi vende ku të çlodhemi në dimër. Vetëm nga lagjja kam një klub që e kam afër, me ca shok luaj domino, çlodhem kur është ftohtë. S’ka asgjë, veç lulishtja këtu”, tha një i moshuar.

“Mirë ishte të kishte qendra, siç kanë e qytetet e tjera për ne pleqtë të hymë”, u shpreh një tjetër.

“Për dimër ne nuk kemi vend ku të qëndrojmë fare, prandaj të vërë dorë bashkia. Ne kemi jetën e shkurtër, e sa te rrojmë ne që të na plotësojë bashkia kushtet? Duhet medoemos të bëjë vende të çlodhemi, kaq i kërkojmë bashkisë”, tha një i moshuar.

“Nëpër klube do e kalojmë kohën. S’ka mënyrë tjetër, ku të vëmë? Bashkisë i kërkojmë të na sigurojë ndonjë vend të ngrohtë të luajmë domino, pleq jemi, pensionistë. Vetëm ai lart e di tani”, tu shpreh një tjetër.

Vjola Bogdani, një nga personat që merret me grupmoshën e tretë tregon disa nga problemet kryesore të tyre.

“Jetojnë të vetmuar, shpesh herë të braktisur nga të afërmit e tyre, të ardhurat e tyre janë qesharake, pensionet janë shumë të vogla, ata janë shpesh të neglizhuar. Shpesh të pastrehë, problemet e tyre shëndetësore dihen se cilat janë, pra ka shumë probleme që e para nuk trajtohen nga institucionet përgjegjëse, fillo nga bashkitë apo dhe me lart pushteti qendror”, tha Viola Bogdani, menaxhere programesh pranë Dorcas Albania.

Për qendrat ditore Bogdani shprehet se problemi qëndron tek pushteti lokal.

Për shkak të pandemisë qendrat ditorë të pleqve në Korçë do të qëndrojnë të mbyllura deri në një vendim të dytë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e tretë e protestës, qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec! Dalin me pankarta në duar

Protesta kundër projektit në Zvërnec vijoi edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e tretë radhazi të kundërshtimeve nga banorët dhe qytetarët e zonës. Të...
18:23 | 02/06/2026

Nisin provimet e Maturës Shtetërore 2026, sot provimi i Gjuhës së Huaj

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj. Procesi do...
08:14 | 02/06/2026

Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të PS-së, sqaroi edhe çështjen e mbrojtjes së zonës së Pishë-Poros, për të cilën u...
10:54 | 01/06/2026