Rritja e çmimit të karburanteve nga kriza botërore e energjisë, thotë Rama

3 Tetor 2021 | 14:03

Kryeministri Edi Rama tha sot se Shqipëria po preket nga kriza ndërkombëtare e energjisë, e cila parashikohet të diktojë rritjen e çmimeve të elektricitetit dhe karburanteve deri në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Duke e quajtur “fatkeqësi natyrore”, Rama garantoi në një konferencë për shtyp se ngjashëm si me tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë, Shqipëria “as nuk rrëzohet, as nuk dorëzohet përballë sfidave të kësaj natyre”.

Rama argumentoi se hapja e ekonomisë botërore pas kufizimeve të pandemisë ka rritur ndjeshëm nevojën e industrisë për energji duke shtuar kërkesën për elektricitet dhe karburant.

“Ritmet e larta të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nevoja e tejrritur për energji, e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në gusht, tek rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit,” – u shpreh Kryeministri.

“Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar,” – njoftoi më tej Rama teksa shtoi se ekspertët parashikojnë që kjo situatë të vijojë deri në fund të gjashtëmujorit të vitit 2022.

Rama tha se studiues të ndryshëm kanë përmendur si faktor ndikues te kjo krizë ndërkombëtare manovrat tregtare, ndikimet gjeopolitike, por edhe ngrohjen globale. Te kjo e fundit ai përmendi fatkeqësitë shkatërrimtare si përmbytjet, periudhat e zgjatura të të ftohtit apo dhe të nxehtit si periudha që kanë rritur nevojat për energji.

“Ekspertët mendojnë se […] beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm,” – tha Kryeministri teksa përmendi si të vëna në rrezik edhe shtete të forta ekonomikisht si SHBA, Kina, Rusia, Britania e Madhe, Gjermania apo Italia.

Sidoqoftë Rama u zotua se qeveria e tij do të bëjë të pamundurën për të minimizuar efektet e kësaj krize.

“Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë dhe jini të sigurtë, se siç nuk na vunë përfund rrënojat e pafundme të tërmetit, e siç nuk na gjeti të papërgatitur sulmi i Armikut të Padukshëm, ashtu nuk na gjen të papërgatitur, e as as nuk na ve dot përfund as kjo krizë e jashtëzakonshme,” – tha Kryeministri.

Në konferencën për shtyp Rama nuk saktësoi për masa apo politika konkrete që do të ndërmarrë qeveria e tij përballë kësaj krize.

Më herët gjatë së dielës Konfindustria ka bërë thirrje që autoritetet të vihen në lëvizje për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve të energjisë.

Shqipëria pavarësisht se është vend prodhues i naftës ka pasur prej vitesh çmimet më të larta në rajon.

Në Shqipëri çmimet e karburanteve u rritën gjatë muajve gusht-shtator duke arritur vlerat më të larta javën e fundit të shtatorit.

Gazi i lëngshëm pësoi rritje të çmimit deri 60% ndërsa nafta e benzina mbi 10%.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)

Seanca e së enjtes në Kuvend nisi me një minutë heshtje në nder të efektivit të vrarë në krye të detyrë në Maliq. Ishte kreu...
10:30 | 04/06/2026

Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas vrasjes së një efektivi policie në Korçë dhe plagosjes së kolegut të tij gjatë një...
09:59 | 04/06/2026

Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një video që, sipas tij, është filmuar në Zvërnec dhe tregon një sipërfaqe të madhe të ndotur me...
07:56 | 04/06/2026