Sindikatat e punëtorëve protestë në Kosovë: Kërkojmë atë çfarë premtoi Kurti

7 Dhjetor 2021 | 17:39

Pandemia, situata jo e mirë ekonomike, rritja e çmimeve dhe mosmbajtja e premtimeve të qeverisë së Kosovës, ka bërë që pakënaqësia në vend të rritet. Si pasojë, sindikatat e punëtorëve në sektorë të ndryshëm kanë dalë në protestë për paga dhe kushte më të mira pune. Duket se kjo nuk i ka pëlqyer kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkoi ndërrimin e drejtuesve te sindikatave, edhe pse diçka e tillë nuk i takon atij.

“Uroj që ndryshime të ketë gjithandej, siç po bëhen ndryshimet në politikë, duhet të ketë ndryshime edhe në çdo sferë të jetës shoqërore dhe profesionale. Kjo për shkak se jam i bindur edhe punëtorët shëndetësorë edhe qytetarët e Kosovës nuk mjaftohen që për shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo qofshin apo kudo që ata janë”, tha Albin Kurti.

Kjo deklaratë solli reagime të ashpra nga drejtuesit e sindikatave, duke e konsideruar atë shkelje të ligjit nga kreu i qeverisë.

“Në vend që të ofrohemi dhe t’i bëjmë këto zgjidhje në kohë pandemie, ai ka zgjedhur rrugën e eliminimit për të cilën mendoj se ka gabuar, sepse qeveria e Kosovës jo që nuk guxon të ndërhyjë në zgjedhjet e organeve, por neni 25 i ligjit për sindikata thotë: Ndalohet çdo akt ndërhyrje në krijimin e programeve të sindikatave, zgjedhjen e përfaqësuesve të sindikatave dhe në organizimin e organizatave sindikale nga autoritetet qeveritare, që do të thotë se ai ka bërë shkelje ligjore”, tha Jusuf Azemi, kryetar i sindikatës së pavarur të sektorit privat.

Për Azemin, sindikatat nuk po kërkojnë asgjë më shumë se ato që Kurti ka premtuar në fushatë.

“Ne kemi qenë në takime individuale dhe me sindikatat e tjera, ku ai ka premtuar gjithçka superlative. Tani ai ka ke menduar se vetëm duhet të fitojë pushtetin dhe gjithçka do të jetë në rregull. Unë luftoj për të drejtat e punëtoreve, pa marrë parasysh se kush është kryeministër dhe unë do të vazhdoj të luftoj deri në maksimum për aq sa me lejon ligji për organizimin sindikal dhe ligjet tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtoreve”, u shpreh Jusuf Azemi.

Të çuditshme deklaratën e Kurtit e shohin edhe analistët dhe njohësit e çështjeve ekonomike.

“Është e çuditshme se si një kryeministër që më herët ka qenë aleat me këto sindikata, madje ka dalë edhe ka protestuar kundër qeverive të kaluara, të cilat nuk i kanë plotësuar kërkesat e sindikatave, kryesisht për ngritjen e pagave. Tash ai beri një veprim të çuditshëm që nuk i takon një kryeministri. Nuk i takon një kryeministri qe t’i ndërrojë drejtuesit e sindikatave të Kosovës. Ai duhet të jetë aleat me sindikatat, e jo të ketë një tendencë që të fusë nën kontroll siç po tenton të fusë edhe institucionet tjera publike”, tha Lavdim Hamidi, gazetar i ekonomie.

Edhe ekonomisti Safet Gerrxhaliu, si Hamidi thotë se miratimi dhe zbatimi i ligjit të pagave, po lihet qëllimisht sirtarëve.

“E para është se sot në Kosovë ke njerëz që fitojnë paga të mëdha në sektorë të ndryshme dhe kjo ndikon që të ngadalësohet ky proces, sepse duhet të bëhet një nivelim i pagave dhe këtë nuk e dëshirojnë. E dyta e keni një sektor privat dhe një administrate publike qe sa i përket pagave nuk kanë lëvizje, por në të njëjtën kohë paga minimale dhe fati i sektorit privat dhe pagës minimale është i lidhur ngushtë me fatin e veteranëve, prandaj Kosova është para një sfide mjaft shqetësuese”, tha Safet Gerrxhaliu.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i kërkoi Serbisë të përshpejtojë reformat dhe të avancojë dialogun me Kosovën, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian...
13:09 | 04/06/2026

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026