Qeveria ofron nga 500 mijë lekë grante për të nxitur vetëpunësimin në sipërmarrje të reja

5 Maj 2020 | 13:42

Qeveria do të mundësojë grante deri në 500 000 lekë për të gjithë të papunët, të cilët kanë një ide biznesi dhe kërkojnë të nisin një sipërmarrje.

Programi synon t’i japë shtysë vetëpunësimit në një kohë kur vendi po preket nga efektet ekonomike të pandemisë së Covid-19.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj tha të hënën për Euronews Albania, se vetëm në muajin mars pati 8,000 të papunë më shumë se në muajin shkurt.

Kështu përveç dy paketave ekonomike të miratuara më parë, qeveria po kërkon të nxisë dhe formimin e bizneseve të reja.

Programi i nxitjes së vetëpunësimit

Aplikimet për këtë program kryhen në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA).

Ai është hapur për punëkërkuesit e regjistruar në zyrat e punës, të cilët kanë një ide biznesi, ide e cila duhet të deklarohet në një formular të posaçëm, e cila përmban përshkrimin, rëndësinë dhe burimet e nevojshme për realizimin e sipërmarrjes.

AKPA-ja më pas ofron ekspertizën e saj për vlerësimin e idesë pa kosto shtesë – jo më shumë se 3 mijë lekë për plan biznesi – dhe sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, duhet të hartojë një program të qartë brenda 3 muajve të ardhshme.

Por duhet theksuar se granti prej 500 000 lekësh nuk mbulon blerje të pasurive të patundshme, shpenzime të kryera përpara miratimit të planit të biznesit, apo qiranë, pagat dhe shpenzime administrative.

Procedurat për aplikimin në program

AKPA-ja duhet të njoftojë në buletimin e njoftimeve publike programin dhe kriteret.

Pas publikimit të interesuarit kanë kohë deri në 30 ditë për të aplikuar.

Atyre u duhet të plotësojnë një formular aplikimi, në të cilin kërkohet ideja e projektit, vërtetim që për mospasje detyrimesh tatimore, kopje e ID-së, vetëdeklarim mbi plotësimin e kushteve dhe deklaratë për autorizimin e AKPA-së për verifikimin dhe gjenerimin online të dokumentave.

Vlerësimi, trajnimi dhe mbështetja e planeve të shpallura fituese

Brenda 5 ditëve nga aplikimi, strukturat vendore duhet të verifikojnë aplikimet dhe më pas t’ia dërgojnë strukturave rajonale të punësimit, këto të fundit kanë gjithashtu 5 ditë kohë që në bashkëpunim me ofruesit e arsimit profesional, të hartojnë planin e zhvillimit të trajnimeve për sipërmarrës dhe zhvillim biznesi.

Më pas brenda 10 ditëve punë duhet që të nisë trajnimi, kohëzgjatja e të cilit duhet të jetë 3 javë dhe në fund do të kërkojë një test me shkrim.

Ata që e kalojnë me sukses brenda 7 ditëve do të kenë mundësi që t’i kalojnë planet e tyre të bizneseve në një komision vlerësimi.

Komisioni, që do të përbëhet nga një përfaqësues i AKPA-së, një përfaqësues i drejtorisë rajonale dhe ministria e financave.

Kushdo që do të shpallet fitues, do të duhet që brenda 5 ditëve të regjistrojë sipërmarrjen e re në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të hapë llogari bankare dhe të dorëzojë në zyrat rajonale të punësimit dokumentet.

Pas gjithë këtij procesi, fituesit nënshkruajnë kontratë për përfitimin e grantit 500 000 lekësh.

Financimi

Pas nënshkrimit të kontratës përfituesve do t’u kalojnë në llogari 100 000 lekë – 20 për qind të vlerës totale.

Pjesa e tjetër e grantit do të merret si subvencionim me dy këste të faturave dhe vërtetimeve të pagesave të ndryshme që do të kërkojë sipërmarrja.

I gjithë granti prej 500 000 lekësh duhet që të shpenzohet brenda 4 muajsh nga nënshkrimi i kontratës.

Por kujdes! Përfituesit nuk duhet të shkelin asnjë kusht të kontratës, në të kundërtën do të duhet të kthejnë mbrapsht vlerën e plotë të grantit.

 

Lexoni gjithashtu:

Mbi 98 mijë aplikime për paketën e dytë të ndihmës ekonomike, Delina Ibrahimaj në Euronews Albania

Parashikimet e zymta të FMN-së për Shqipërinë, eksperti i ekonomisë: Qeveria duhet të shtojë paketën ndihmëse

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë: Kërkojmë t’i kushtohet vëmendje e veçantë turizmit dhe industrisë së fasoneve

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kursi i Euros me Lekun bie përsëri, po shkon drejt pragut të 95 lekëve

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka arritur një minimum të ri historik. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, Euro kembehet 95.3 lekë, niveli...
14:43 | 04/06/2026

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve, sa do shitet nafta dhe benzina

Bordi i Transparencës publikoi të enjten çmimet e reja të karburanteve në vend. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN...
13:28 | 04/06/2026

Shqipëria bëhet e dyta më e shtrenjta në Ballkan për qiratë ditore

Fluksi i lartë i të huajve që po vijnë në Shqipëri, të nxitur nga çmimet e lira të akomodimit, po çon në një shtrenjtim të...
14:50 | 03/06/2026