Protestuesit bllokojnë rrugët, konfrontohen me policinë

9 Mars 2022 | 19:00

Pas protestës para kryeministrisë, qytetarët bllokuan për disa orë qarkullimin e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe në disa kryqëzime të tjera.

Bllokimi i bulevardit është bërë në mënyrë spontane dhe qytetarët kërkojnë që qeveria të ndërhyrjë për të ulur çmimin e naftës që tashmë ka arritur në 260 lekë për litër.

“Pasaporta ime lexon Republika e Shqipërisë, nuk lexon Partia Socialiste apo Partia Demokratike. Po na rrjepin, si mund të jetojmë me këto rroga? Shtrëngoni dhëmbët, ecni në këmbë thonë”, u shpreh një protestues.

Minimalisht sipas tyre duhet të ulen taksat për karburantin pasi rritja e çmimit të naftës me gati 50% në një javë, u ka vështirësuar jetën e përditshme.

“Do të qëndrojmë deri sa Rama të vijë këtu dhe të mos gënjejë. Kërkojmë që të ulen taksat dhe të ulen çmimet”, shprehet një qytetar.

Sipas qytetarëve, Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë dhe me çmimin më të lartë të naftës.

“E vetmja mënyrë është që të bllokojmë të gjitha rrugët, pasi me protestën para Kryeministrit nuk arrijmë dot gjë”, tha një tjetër protestues.

Nga ana tjetër, shumë drejtues të automjeteve i janë bashkuar protestës duke fikur makinat.

Në kryqëzimin pranë ish-hotel Dajtin policia ka ndërhyrë për të zhbllokuar rrugën duke e konfrontuar me protestuesit.

Nuk kanë munguar as incidentet ku një protestues është shoqëruar pasi ka goditur një automjet që ka tentuar të kalojë kryqëzimin.

Rreth orës 20:30 protestuesit u mblodhën në rrugën para Ministrisë së Brendshme duke bllokuar qarkullimin.

* * *

Një grup qytetarësh kanë dalë të protestojnë para Kryeministrisë për rritjen e çmimit të naftës.

Ata bëjnë thirrje për uljen e disa taksave që përfshihen në çmimin e karburantit në mënyrë që t’u lehtësohet kostoja e jetesës.

Aktori Florian Binaj ishte një prej pjesëmarrësve, i cili u bëri thirrje atyre që nuk marrin guximin të dalin në protestë.

“Shqiptarët rrëzuan diktaturën kur u bënë të gjithë bashkë. Po të çohemi të gjithë, mund të ulim jo vetëm taksa, por mund të marrim atë që na takon si qytetarë”, tha ai.

Aktori Binaj tha se ndërsa qytetarët protestojnë “lideri i ballkazanit është në Dubai”, ndërkohë që në Ukrainë ka luftë dhe presidenti atje u jep shpresë, ky i joni (Kryeministri) thotë shtrëngoni dhëmbët”.

Protestës i janë bashkuar fermerët dhe blegtorët. Ervin Resuli, një nga përfaqësuesit e fermerëve dhe blegtorëve, tha se çmimi i naftës dhe drithërave bëjnë të pamundur që të punojnë tokën.

Ai përmendi heqjen e taksës së gjelbërimit dhe karbonit si një nga masat ku mund të ndërhyjë qeveria.

“Fermerët e kanë të pamundur që të punojnë tokën e tyre. Po përpiqen që të na largojnë. Bujqësia sjell 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha ai.

Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rritje duke arritur në nivele rekord prej gati 260 lekë për litër.

Brenda një javë, që nga e enjtja e javës së kaluar, çmimi i naftës është rritur 4 herë. Në krahasim me mesataren prej 170 lekë për litër që ishte gjatë vitit 2021, nafta në vend është shtrenjtuar me gati 50%.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Më shkroi drejtoresha e CNN para se të hyja në studio”, Auron Tare zbulon mesazhin

I ftuar këtë të enjte në Now me Erla Mëhillin, studiuesi Auron Tare u shpreh se para se të vinte në emision kishte marrë një...
22:21 | 04/06/2026

Shoqëroi i pari Ivankën dhe Kushner në Shqipëri, Auron Tare: Nuk e dinin ku i binte Sazani dhe Zvërneci

I ftuar këtë të enjte në Now me Erla Mëhillin, studiuesi Auron Tare u shpreh se Ivanka Trump dhe Jared Kushner nuk e kanë ditur...
22:05 | 04/06/2026

Protesta për Zvërnecin, Zekthi: Ja pse njerëzit po reagojnë kështu

Po mbahet edhe këtë të enjte, në ditën e pestë, protesta e qytetarëve kundër projektit të Zvërnecit. I ftuar këtë të enjte në Now me...
21:40 | 04/06/2026