Zgjedhje në Austri, Kurz synon rikthimin si kancelar pas skandalit “Ibiza gate”

29 Shtator 2019 | 08:38

Më shumë se 6 milionë austriakë me të drejtë vote janë thirrur të hedhin votën e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të kësaj të diele në Austri, me qendrat e votimit që janë hapur prej orës 7 të mëngjesit e pritet të mbyllen rreth orës 17 të pasdites.

Zgjedhjet e parakohshme në Austri zhvillohen 4 muaj pas skandalit të njohur me emrin “Ibiza”, që çoi në shpërbërjen e koalicionit qeverisës mes konservatorëve dhe ekstremit të djathtë të formuar prej vitit 2017.

Qeveria e Sebastian Kurz, kancelarit më të ri ndonjëherë në një vend evropian, u shpërbë pas vetëm 17 muajsh në pushtet, pas një mocioni mosbesimi për shkak të videos, e cila tregonte kreun e “Partisë së Lirisë” të ekstremit të djathtë, Heinz-Christian Strache, që përpiqej të shiste asete shtetërore ndaj një oligarku të rremë rus.

Që prej muajit qershor, Austria është drejtuar nga një qeveri kujdestare. Edhe pse votuesit kanë një tendencë për të shmangur marrjen e pushtetit sërish nga Kurz, mbështetja për “Partinë Popullore” të qendrës së djathtë të drejtuar prej tij është ende e lartë, me sondazhet që tregojnë një përkrahje gati 34 për qind.

Mediat sociale kanë luajtur një rol në rritje në fushatën zgjedhore të këtij viti, me partitë politike dhe kandidatët kryesorë të tyre që kanë tentuar gjithnjë e më shumë të rrisin ndërveprimin “online” me përdoruesit e tyre.

Zgjedhjet mund të rezultojnë frytdhënëse edhe për Partinë e Gjelbër, e cila humbi disa mandate deputetësh në vitin 2017, që tashmë e sheh veten në kuotën e 12 përqindëshit, gjithnjë sipas sondazheve.

Duke qenë se, me shumë gjasë asnjëra prej partive nuk do të mund të sigurojë shumicën e vetme pas zgjedhjeve të kësaj të diele, bisedimet për koalicion do të jetë hapi i radhës.

“Padyshim që do të ketë negociata për koalicion, pasi askush nuk mund të fitojë shumicën absolute. Megjithatë, konservatorët janë shumë përpara në sondazhe dhe, për herë të parë nuk do të na duhet të luftojmë për të zgjedhur kancelarin. Është e qartë se Sebastian Kurz do të fitojë këto zgjedhje”, tha Hayek.

Ajo që nuk është ende e qartë është fakti nëse “Partia e Lirisë” e ekstremit të djathtë do të mund të lërë pas shpine skandalin “Ibiza gate” dhe të rikthehet në një koalicion të mundshëm me “Partinë Popullore” konservatore të Sebastian Kurz pas zgjedhjeve të kësaj fundjave.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026

Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari

Presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi sot fillimin e një “epoke të re” për Hungarinë dhe Evropën, gjatë pritjes në Pallatin Elysee, të kryeministrit të ri...
22:21 | 03/06/2026

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit

Pas tre orësh, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përfundoi votimin për të zgjedhur pesë anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për mandatin 2027-2028....
20:43 | 03/06/2026