Kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani: “Heqim taksën nëse informohemi mbi të pagjeturit”

4 Tetor 2019 | 07:43

Vjosa Osmani, kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, hyn në garën zgjedhore të së dielës për parlamentin dhe qeverinë e re, me synimin për të shpëtuar republikën dhe për t’iu kthyer shpresën të rinjve që po kërkojnë shpëtim duke braktisur Kosovën.

E pyetur në një intervistë ekskluzive nga gazetarja e “Euronews Albania”, Erjonë Popova, se cilat janë planet e saj në lidhje me taksën ndaj mallrave me origjinë serbe, kandidatja e partisë më të madhe në opozitë e sheh atë si pjesë të masave të reciprocitetit në raport me Serbinë, që mund të diskutohet në Bruksel gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga evropianët.

[instagram_feed=B3L_QqKgjWk]

“Ne e shohim tarifën si pjesë të masave të reciprocitetit, që duhet të vendosen në raport me Serbinë. Përgjatë shumë viteve, Serbia ka vendosur masa apo barriera jotarifore në raport me mallrat e Kosovës, sikurse edhe pengesa të mëdha politike në procesin e njohjes, apo në agjendën shumëpalëshe të Kosovës lidhur me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Në anën tjetër, Kosova nuk e ka kushtëzuar asnjëherë dialogun. Pra, tarifa do të bëhet pjesë e masave të reciprocitetit dhe si e tillë mund të jetë temë, që do të diskutohet më pas në Bruksel gjatë dialogut Kosovë-Serbi kur të hapen temat e tregtisë apo bashkëpunimit tregtar ndërmjet dy vendeve”, tha Osmani për “Euronews Albania”.

Bashkësia ndërkombëtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye ka kërkuar prej kohësh heqjen e taksës për t’i hapur rrugë rifillimit të dialogut me Serbinë. Ndaj lind pyetja, çfarë do të bënte Vjosa Osmani si kryeministre e re e Kosovës, nëse partnerët perëndimorë do t’i kërkonin edhe heqjen e reciprocitetit?

“Mendoj se, palës që duhet t’i bëhet presion për të mos e kushtëzuar procesin dhe për t’u kthyer në tryezën e dialogut është Serbia dhe jo Kosova. Ne nuk jemi duke e kushtëzuar procesin, përkundër faktit që Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet, për gjenocidin që ka kryer në Kosovë, apo nuk ka paguar ende reparacionet e luftës. Ajo që duhet të na kërkohet tani është një trajtim i barabartë i të dyja palëve, që asnjëra të mos e kushtëzojë dialogun dhe të kthehemi të dyja palët në Bruksel”, deklaroi më tej kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani.

Taksa, në sytë e kandidates së LDK-së është vetëm një element në tërësinë e procesit të dialogut, që në fund të fundit do të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht detyruese për të dyja palët, prej të cilit Vjosa Osmani pret edhe informacione mbi të zhdukurit gjatë luftës.

“Qëllimi im është që i gjithë procesi i dialogut të zhvillohet duke mos harruar kontekstin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke mos harruar që jo shumë kohë më parë në Kosovë ka pasur një luftë të tmerrshme nga një regjim gjenocidal. Prandaj, duhet që në dialog të flasim edhe për aspektin human të këtyre raporteve. Duhet me patjetër që më në fund, pas shumë vitesh, të flasim dhe të kërkojmë përgjegjësi dhe informacione nga Serbia lidhur me atë se, ku janë 1.700 të zhdukur të Kosovës. Të kërkojmë reparacionet e luftës, reparacionet për gratë e dhunuara, 20 mijë të tilla, dhe të kërkojmë natyrisht përgjegjësi për krimet që ka kryer, sepse besoj shumë që nuk mund të ketë paqe në Ballkan pa pasur fillimisht drejtësi për viktimat”, tha në intervistën për “Euronews Albania”, zonja Osmani.

Në një nga deklaratat e saj gjatë fushatës zgjedhore, Vjosa Osmani ka përmendur heqjen e taksës nëse Serbia do të sillte në tryezën e dialogut informacione mbi të pagjeturit. A vlen kjo edhe për masën e reciprocitetit?

“Masa e reciprocitetit është një masë shumë e gjerë, politike dhe ekonomike, pra jo vetëm çështje tarifore. Mirëpo, ajo që kam thënë është se për Kosovën sot, informacioni se ku gjenden eshtrat e gati 1.700 të pagjeturve, shumica prej të cilëve shqiptarë, por edhe qytetarë të komuniteteve të tjera, është vlera më e madhe që do të mund të nxirrnim nga procesi i dialogut. Kështu që, në qoftë se Serbia do t’i sillte këto informacione dhe jam e bindur që ajo i ka ato, unë nuk do të hezitoja aspak që tarifa të hiqej”, përfundoi intervistën e saj Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit.

Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës do të fitonte zgjedhjet dhe kandidatja Vjosa Osmani do të merrte frerët e ekzekutivit kosovar, ajo do të bëhej e para kryeministre grua e Kosovës.

Marrëveshja me Serbinë, Veseli: “Përfshin njohjen e Kosovës si shtet i pavarur”

Haradinaj, për Euronews Albania: “Taksa hiqet vetëm me njohjen e Kosovës”

Zgjedhjet në Kosovë, Kurti: “Nuk hiqet reciprociteti, është parim i mësuar nga ndërkombëtarët”

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti dhe Abdixhiku shprehin gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje për institucionet e reja

Lideri i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, zhvilluan të premten...
21:43 | 10/07/2026

Takimi Kurti-Hamza përfundon pa rezultat konkret, vijojnë negociatat për institucionet e reja në Kosovë

Takimi mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk solli asnjë marrëveshje konkrete për formimin...
17:39 | 10/07/2026

Takim me Hamzën dhe Abdixhikun për formimin e institucioneve të reja, Kurti mbërrin në ambientet e Kuvendit (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të zhvillojë këtë të premte takime të ndara me kryetarin e Partisë Demokratike...
09:12 | 10/07/2026