Opozita në Kosovë i kërkon Lajçak marrëveshje me njohje reciproke nga Serbia
Gjatë ditës së dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar tre krerët e partive opozitare në vend.
Temë kryesore në këto takime ishte dialogu Kosovë-Serbi, dhe opozitarët kërkuan që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke, shkruan KosovaPress.
Fillimisht Lajçak takoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili përmes një postimi në Facebook njoftoi për këtë takim dhe atë që është diskutuar.
Sipas tij procesi i dialogut duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë
“Mëngjesin e sotëm prita në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Zotëri Lajçak më informoi rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapave të mëtutjeshëm që pritet të ndërmerren. Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Krasniqi.
Më pas, Lajçak takoi edhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Nga ky takim u tha se kanë biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe procesin e dialogut, për të cilin proces Abdixhiku rikonfirmoi qëndrimin e tyre se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Takim me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak zhvilloi edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në Facebook, Haradinaj tha se roli strategjik i SHBA-së për përfshirje në dialogun me Serbinë është i domosdoshëm, ndërsa theksoi se marrëveshja duhet ta ketë epilogun e njohjes reciproke.
“Në takim me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. Miroslav Lajçak, ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve. Gjithashtu z.Lajçak e falënderova për angazhimin e tij dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.
Prej ditës së djeshme i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak ka nisur një vizitë në Kosovë që do të zgjasë deri në 29 qershor.
LEXONI GJITHASHTU:
Ngërçi politik, Vetëvendosje pret marrëveshje me LDK para konstituimit të Kuvendit
Deçan, 56-vjeçari humb jetën nga të shtënat me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga djali i tij
BE ndaj institucioneve të Kosovës: Ndaleni menjëherë rrënimin e villave në Ujman!
- 22:33 Banka Qendrore Evropiane prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë
- 22:26 Raporti i Oxfam: Gaza ka nevojë për mbi 71 miliardë dollarë për t’u rindërtuar në 10 vite
- 22:23 Deputeti i PD-së: Ja pse Rama nuk e çoi deri në fund reformën territoriale, Parlamenti është jonormal
- 22:08 Dashamir Shehi: Mbështes protestuesit, ata janë rinia evropiane e Shqipërisë
- 21:52 Mes thirrjeve “Rama, jepe dorëheqjen”, kryeministri publikon videon duke përgatitur fjalimin: Kënga ime e preferuar
- 21:41 “Lironi çunat, lironi vajzat”, protesta e ditës së 54 fokusohet te të shoqëruarit nga policia