Përfundimet e Komisionit të Venecias mbi ligjin për mediat, pjesët që duhen ndryshuar

19 Qershor 2020 | 16:19

Në përfunimet e tyre, Komisioni i Venecias njeh se ashtu si në shumë vende të tjera, mediat në internet janë duke u rritur edhe në Shqipëri. Nenet e Kodit Penal kundër shpifjes, të cilat mbulojnë këtë kategori, nuk janë efektive. Për këtë arsye, qeveria shqiptare kërkon të zgjerojë kompetencat e Autoritetit të Medias Audiovizuale (AMA) dhe të Komitetit të Ankesave.

Ndryshimet u diskutuan në publik dhe patën disa modifikime pas kritikave nga partnerët ndërkombëtarë dhe zëra vendas (Këshilli i Europës dhe OSBE), ndaj Komisioni Venecias vlerëson përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të qenë transparentë, për t’u përgjigjur ndaj kritikave dhe për të përmirësuar tekstin e këtyre ndryshimeve ligjore.

Sipas komisionit, autoritetet shqiptare u treguan të hapura për dialog dhe iu adresuan shqetësimeve për të mbrojtur fjalën e lirë në vend. Për shembull, ligji tani thotë shprehimisht se duhet të interpretohet sipas ligjeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Veç kësaj, problemet e ngritura nga autoritetet shqiptare Venecia i sheh si të vërteta dhe që kanë nevojë të adresohen.

Pavarësisht kësaj, për hir të lirisë së fjalës dhe pluralizmit të medias në Shqipëri, Komisioni i Venecias është i mendimit se amendamentet nuk janë gati për t’u kaluar, jo në formën që kanë tani. Ligji vuan nga disa paqartësi që mund të ndikojnë duke shtypur lirinë e fjalës dhe fjalimet politike në sektorin e internetit.

Të metat kryesore që janë verifikuar nga Komisioni i Venecias:

  • Synimi i hartuesve të ligjit është të zgjerojnë fuqitë e AMA-s dhe Komisionit të Ankesave ndaj mediave profesioniste të internetit, të cilat kanë kontroll editorial mbi publikimet. Megjithatë, kjo nuk shprehet qartë dhe ka rrezik që edhe blogerët individualë, përdoruesit e rrjeteve shoqërore, të shënjestrohen nga ky ligj. Është e domosdoshme që ligji ta specifikojë fushën mbi të cilat do të zbatohet, duke përjashtuar në mënyrë specifike media jo-profesioniste, si blogerët, përdoruesit e rrjeteve shoqërore.
  • Ligji kërkon që burimet mediatike në internet të mos jenë anonimë. Nëse ligji nuk e specifikon, por ruan një fushë të përgjithshme ku mund ta ushtrojë fuqinë, siç është përmendur në pikën e mësipërme, mund të bjerë ndesh me standardin ndërkombëtar që respekton dëshirën e përdoruesve të internetit për të mos e bërë publike identitetin. Komisioni i Venecias dyshon se kjo masë mund të mos e garantojë këtë.
  • AMA dhe Komisioni i Ankesave do të marrin fuqi administrative. Kjo ka probleme në lidhje me lirinë e fjalës të mediave në internet. Duke qenë se nuk ka garanci për pavarësinë e institucioneve kontrolluese, këto fuqi nuk u duhen besuar pa u siguruar që janë të pavarura nga partitë politike, bizneset mediatike apo të korporatave që kanë interesa në politikë. Ekzistojnë mundësi të ndryshme për t’iu adresuar këtij shqetësimi, si për shembull duke përfshirë përfaqësues të medias dhe të shoqërisë civile, pa lidhje politike, në përbërjen e AMA-s dhe Komisionit të Ankesave.
  • Duke qenë se AMA dhe Komisioni i Ankesave mund të ndërhyjnë në ushtrimin e lirisë së fjalës, dhe duke qenë se pavarësia e tyre politike është e pasigurt, procedura e ankesave nuk ofron garanci të mjaftueshme. AMA dhe Komisioni mund të vendosin gjoba të rënda, nëpërmjet procedurave të shpejta, të cilat mund të hyjnë në fuqi menjëherë dhe të heqin nga interneti përmbajtje në mënyrë të shpejtë. Aftësia financiare e mediave nuk përcaktohet si faktor në caktimin e gjobës. Kjo mund të bëjë që media të vogla të paralizohen plotësisht nëse gjoba që marrin nuk është në proporcion të drejtë me kapacitetin e tyre financiar. Kjo mund të shtyjë drejt vetë-censurimit të debatit politik, që është i domosdoshëm për çdo demokraci. Duhen krijuar garanci të tjera që ndëshkimet të jepen në mënyrë proporcionale.

Për arsyet e lartpërmendura, Komision i Venecias sugjeron që ndryshimi i dy ligjeve, të viteve 2013 dhe 2008, të mos bëhet sipas projekt-ligjit të miratuar në dhjetor të vitit 2019 nga parlamenti shqiptar.

Ky rekomandim, thekson raporti i Komisionit të Venecias, nuk do të thotë që autoritetet shqiptare duhet ta ndërpresin punën me vendosjen e rregullave në fushën e mediave. Problemet që kanë identifikuar autoritetet shqiptare janë serioze.

“Mund të përdoren disa lloje ndëshkimesh administrative të justifikuara kundër abuzimeve në fushën e medias”, sugjeron komisioni. “Por duhet të vihen në zbatim nga një institucion vërtet i pavarur dhe institucional, me procedura të sakta, që të shënjestrojnë një kategori specifike të portaleve dhe jo të gjithë përdoruesit e internetit. Duhet që të mos kenë fuqi të menjëhershme ekzekutive, dhe ndëshkimet duhet të jepen në përpjesëtim të drejtë me kapacitetin financiar të subjektit të ndëshkuar. Nëse nuk adresohen këto detaje, ligji do të sjellë më shumë probleme se dobi. Ndreqja e këtyre të metave kërkon një rishikim të thellë të tekstit të projekt-ligjit të vitit 2013.”

Për këtë arsye, Venecia mendon se duhet rishikuar mënyra e përzgjedhjes së anëtareve të AMA-s dhe Komisionit të Ankesave, që të garantohet pluralizmi, profesionalizmi, përfaqësimi nga komuniteti i medias, si dhe që ketë pavarësi të besueshme ndaj qeverive dhe korporatave.

Komisioni e njeh sfidën e madhe politike që përbën përpjekja për ta reformuar e përmirësuar AMA-n në mënyrë të pavarur e profesionale, ndaj këshillon që të mos zgjerohen kompetencat e këtij institucioni në fushën e internetit pa forcuar më parë pavarësinë dhe profesionalizmin. Nëse teksti i tanishëm i ligjit nuk ndryshon thellësisht, ka potencialin që të sjellë më shumë dëme se dobi ndaj lirisë së fjalës mes mediave të internetit.

Komisioni i Venecias i nxit autoritetet shqiptare që ta luftojnë problemin e sjelljeve dashakeqe të mediave në internet, por duke krijuar një autoritet të pavarur, profesional dhe vetë-rregullues. Është e nevojshme që të garantohet saktësia e ligjeve ekzistuese, në veçanti të zgjidhjeve gjyqësore, në mënyrë që të luftohet shpifja dhe gjuha e urrejtjes e cila përhapet nëpërmjet publikimeve në internet.

Komisioni i Venecias e mbyll raportin duke theksuar edhe një herë se mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për të ofruar edhe më shumë asistencë në lidhje me këtë çështje.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi në seancën plenare të Kuvendit lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën...
12:13 | 04/06/2026

SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur

Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për një fraksion të dosjes “Revanshi”, me të pandehur Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja,...
12:12 | 04/06/2026

Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje

Autobusi i linjës Durrës–Spitall (linja e Universitetit) u përfshi nga flakët teksa ishte në lëvizje. Zjarri u vu nën kontroll në kohë nga shërbimi zjarrfikës,...
12:10 | 04/06/2026