Projektrezoluta e grupeve politike në PE, indinjatë për moshapjen e negociatave
Grupimet kryesore politike në Parlamentin Evropian arritën të formulojnë me urgjencë një tekst kompromisi gjatë kësaj të mërkure, ku nga 7 mocionet për rezolutë të paraqitura të martën në mbrëmje, 6 prej tyre shprehnin indinjatën me vendimin e Këshillit Evropian dhe vetëm grupimi populist mirëpriste bllokimin e rrugës evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në dokument shprehet zhgënjim i thellë në lidhje me dështimin për të arritur në një marrëveshje për çeljen e negociatave me të dyja vendet, për shkak të bllokimit nga Franca, Danimarka dhe Holanda.
Rezoluta thekson gjithashtu se mosmarrja e një vendimi përbën një gabim strategjik dhe ka një efekt të dëmshëm për besueshmërinë e BE-së.
Në tekst thuhet ndër të tjera se, me gjithë nevojën për ndryshimin e politikës së Zgjerimit, vendet duhet të gjykohen në bazë të meritave vetjake dhe mbi kritere objektive, e jo në bazë të marrjes në konsideratë të agjendave të brendshme politike të vendeve anëtare.
Por, cilat ishin mocionet për rezolutë të propozuara nga grupimet respektive parlamentare në PE?
Grupimi më i madh politik i Partive Popullore Evropiane (PPE/EPP) përdorte një gjuhë shumë të fortë për të shprehur zhgënjimin e tij për moshapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që të zhgënjyera ishin thuajse të gjitha grupet kryesore parlamentare, me përjashtim të grupit për “Identitetin dhe Demokracinë”.
Grupi parlamentar i “Identity and Democracy”, ku bën pjesë edhe partia e udhëheqëses së ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, veç shumë partive nacionaliste dhe fashiste, ishte i vetmi që kishte mbetur i kënaqur nga rezultatet e samitit dyditor të Këshillit Evropian, apo nga mesazhi i mbylljes së dyerve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në mocionin për rezolutë të paraqitur nga Jörg Meuthen, Lars Patrick Berg dhe Guido Reil, në emër të grupit “ID”, jo vetëm “mirëpritej” vendimi i Këshillit, por theksohej se situata ekonomike në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut është e tmerrshme, nuk i përmbush standardet evropiane dhe karakterizohet nga papunësia e lartë dhe pagat janë shumë të ulëta.
Të tjerët ishin në favor të çeljes së negociatave.
Mocioni i grupit PPE, sjellë nga Michael Gahler, Željana Zovko, David McAllister, Sandra Kalniete, Kinga Gál, Andor Deli, László Trócsányi, shprehte zhgënjim ndaj dështimit të Këshillit për hapjen e negociatave me dy vendet, për sa kohë që ato kishin bërë përpjekje të mjaftueshme për përmbushjen e kritereve të BE-së për nisjen e negociatave, përfshi edhe arritje historike si “Marrëveshja e Prespës” dhe Reforma në Drejtësi e ndërmarrë nga Shqipëria.
Mocioni i grupit GUE/NGL, sjellë nga Stelios Kouloglou, Konstantinos Arvanitis, Niyazi Kizilyürek, Dimitrios Papadimoulis, Petros Kokkalis, Elena Kountoura, Martina Michels, shprehte keqardhjen për moshapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, bazuar në konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 18 qershorit 2019, por shtyu vendimin deri në Samitin “BE-Ballkani Perëndimor” në Zagreb, në maj të vitit 2020.
Mocioni i grupit S&D, sjellë nga Kati Piri, Tonino Picula, Isabel Santos, Andreas Schieder, Tanja Fajon dhe i publikuar ekskluzivisht nga “Euronews Albania” të martën, shprehte zhgënjimin për bllokimin e negociatave për dy vendet ballkanike, sikurse edhe keqardhje për rolin e presidentit të Francës dhe udhëheqësve të tjerë të disa vendeve anëtare të BE-së.
Mocioni i grupit Verts/ALE, sjellë nga disa eurodeputetë, shprehte keqardhjen për vendimin e Këshillit Evropian për shtyrjen përsëri të çeljes së negociatave me dy vendet dhe theksonte dështimin për të përmbushur zotimet e bëra ndaj tyre nga ana e BE-së, duke rrezikuar kështu humbjen e besueshmërisë.
Mocioni i grupit ECR, sjellë gjithashtu nga disa eurodeputetë të kësaj force, jo vetëm shprehte zhgënjimin e thellë me bllokimin e negociatave, por e konsideronte shtyrjen e procesit si një gabim strategjik dhe me ndikim të thellë në reputacionin e BE-së.
Mocioni i fundit ishte ai i grupit “Renew Europe”, sjellë nga Hilde Vautmans, Ilhan Kyuchyuk, që mbante shënim mosarritjen e konsensusit për vendim unanim gjatë punimeve të fundit të Këshillit, si dhe shtyrjen e kësaj çështjeje për në maj të vitit 2020. Ndërkohë, ai rikujtonte se PE kishte shprehur mbështetjen e plotë për hapjen e negociatave për të dyja vendet, sikurse kishte propozuar Komisioni.
PE nuk ka fuqi legjislative për vendimet për Zgjerimin, por qëndrimet e tij janë të rëndësishme, sidomos në momentin kur pritet të votohen kandidatët e rinj nga Franca, Hungaria dhe Rumania, për kabinetin e presidentes së zgjedhur të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Projektrezoluta e kompromisit pritet të votohet të enjten, në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.
Erion Braçe del kundër Ramës për Zvërnecin (VIDEO)
Vrasja e policit gjatë operacionit në Maliq, Lamallari nga Trauma: Hetim i thelluar mbi përgjegjësitë
Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij
- 14:12 Ushtria amerikane sulm ndaj një anije të dyshuar me drogë në Oqeanin Paqësor, dy viktima
- 14:05 Erion Braçe del kundër Ramës për Zvërnecin (VIDEO)
- 13:54 Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në
- 13:47 Vrasja e policit gjatë operacionit në Maliq, Lamallari nga Trauma: Hetim i thelluar mbi përgjegjësitë
- 13:36 Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec
- 13:34 Samiti BE-Ballkani Perëndimor më 5 qershor, zbardhen pikat kryesore të agjendës