Mësim online edhe vitin e ardhshëm shkollor, ministrja Shahini: Varemi nga ecuria e pandemisë

2 Korrik 2020 | 11:45

Situata e pandemisë së COVID-19 mund të diktojë zhvillimin e vitit të ardhshëm shkollor me mësim online.

Në një konferencë për shtyp, ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha se viti shkollor do të nisë më datë 14 shtator, mirëpo ajo pranoi se për shkak të pandemisë nuk është e sigurt nëse mësimi do të zhvillohet plotësisht në mjediset e shkollave.

“Në shtator mësimi do të fillojë ashtu siç është planifikuar, por nuk do të jetë i njëjtë. Do të vazhdojmë me mësimin e përzgjedhur, pra një pjesë do të zhvillohet në shkollë, ndërsa pjesa tjetër do të mbesë online, dhe do të vazhdojmë edhe me RTSH Shkollë (kanali kushtuar lëndëve shkollore). Për planet e detajuara do të duhet edhe pak kohë, pasi varet edhe prej COVID-19,” – tha Shahini në një konferencë për shtyp ku foli për të gjitha çështjet e krijuara muajt e fundit rreth arsimit.

Më 9 mars, për shkak të pandemisë, qeveria vendosi mbylljen e shkollave si masë parandaluese të përhapjes së infeksionit. Kjo diktoi që mësimi të zhvendosej duke u kryer online, mënyrë e cila nuk kaloi pa probleme dhe kontestime.

Siç pranoi ministrja Shahini “fillimisht 9,400 nxënës nuk morën pjesë në mësimet online”. Ajo tha se ministria ishte përpjekur të zgjidhte situatën për sa i përket kostove dhe logjistikës, ndërsa këmbënguli se “fokusi në shtator është që këto problematika të sheshohen”.

Në konferencë ministrja u vu përballë çështjes së ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale në shkolla, ku rasti i një muaji më parë në një shkollë në periferi të Tiranës ishte tronditës.

E pyetur se çfarë kishte bërë ministria pasi autoritetet kishin informacion për rastin, ajo e mohoi një gjë të tillë dhe e konsideroi pyetjen e gazetares së Top-Channel, Kristi Gongo si “tendencioze”.

Shahini u ndal edhe në çështjen e maturës shtetërore, ku ajo këmbënguli se protestat e maturantëve rreth provimit të Gjuhë-Letërsisë ishin të politizuara. Ajo argumentoi se ndryshe nga vitet e shkuara brezi i kësaj mature mori nota më të larta “për shkak edhe se provimet ishin më të lehta”.

Në lidhje me universitetet, Shahini lavdëroi punën e kryer për “respektimin e paktit për Universitetin”. Për problemin e mosdhënies së diplomave studentëve të ekonomikut, ajo akuzoi Rektorin Mynyr Koni, që sipas saj “ka krijuar vazhdimisht probleme të tilla”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e tretë e protestës, qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec! Dalin me pankarta në duar

Protesta kundër projektit në Zvërnec vijoi edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e tretë radhazi të kundërshtimeve nga banorët dhe qytetarët e zonës. Të...
18:23 | 02/06/2026

Nisin provimet e Maturës Shtetërore 2026, sot provimi i Gjuhës së Huaj

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj. Procesi do...
08:14 | 02/06/2026

Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të PS-së, sqaroi edhe çështjen e mbrojtjes së zonës së Pishë-Poros, për të cilën u...
10:54 | 01/06/2026