Thaçi del nga Gjykata Speciale pas 7 orësh, do pyetet sërish nesër

13 Korrik 2020 | 18:15

Intervista e Presidentit të Kosovës në Hagë ka zgjatur më shumë se shtatë orë. Pasi doli nga gjykata, ai tha se ditën e sotme kishin bërë këmbimet e teknikaliteteve midis avokatit dhe prokurorit të Hagës, dhe se seanca do të vazhdojë ditën e nesërme.

Korrespodenti i Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri, tha në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e Euronews Albania se, ende nuk mund të dihet me saktësi nëse Thaçit i janë bërë pyetje personale, përveç teknikaliteteve.

”Nuk dihet nëse zoti Thaçi e ka nisur procesin e përgjigjeve, sepse, siç e dëgjuat, sot ka pasur vetëm këmbim të teknikaliteteve, dhe pjesa dëgjimore do të vazhdojë nesër në Hagë”, tha Bunguri.

Thaçi u prit në dyert e gjykatës nga një grup manifestuesish shqiptarë, të cilët i shprehën mbështetje Thaçit, UÇK-së dhe luftëtarëve të tjerë, me flamuj të Shqipërisë e Kosovës si dhe me parulla të shumta në duar.

Burime pranë presidencës thonë se avokati e ka këshilluar presidentin Thaçi që të zgjedhë procedurën e mbrojtjes në heshtje.

Megjithëse presidenti është i sigurt që do të dalë i pastër nga aktakuzat, kjo metodë është zgjedhur për të mos inkriminuar anëtarë të tjerë të UÇK, të cilët janë të akuzuar nga gjykata në Hagë.

Marrja në pyetje zgjat nga disa orë e deri në disa ditë, në varësi të procedurës, sipas korrespondentit Bunguri. Të vetmit që e dinë me saktësi se çfarë procedure është zgjedhur, janë vetëm presidenti Thaçi dhe avokati i tij.

Thaçi: Jam këtu në respekt të ëndrrës sime, ky është çmimi i lirisë

Në orën 13:00 presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u paraqit në Gjykatën Speciale në Hagë, ku dha dhe një deklaratë të shkurtër për gazetarët.

“Sot jam këtu në respekt të ëndrrës time dhe për atë që kam luftuar, një Kosovë të lirë dhe të pavarur, bazuar në të drejta të barabarta dhe në sundimin e ligjit. Jam gati të përballem me sfidat e reja dhe të fitoj, për djalin tim, për familjen time dhe për vendin tim. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, në të vërtetën dhe në drejtësi. Unë besoj në dialog dhe në marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Kosova është një histori suksesi dhe unë jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, NATO dhe marrëdhëniet e mira me SHBA,” deklaroi Thaçi.

Në përfundim të fjalës së tij, një grup mbështetësish me flamuj të UÇK shpërthyen menjëherë në këngë patriotike dhe ofruan mbështetje për presidentin Thaçi.  

Më herët presidenti i Kosovës është shprehur se do t’u provojë autoriteteve, që po e hetojnë, se ai nuk ka thyer asnjë ligj ndërkombëtar në konfliktin e armatosur në vitet 1998-1999 në Kosovë të zhvilluar mes shqiptarëve të Kosovës dhe forcat paramilitare të Serbisë.

Pretendohet se anëtarë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, të cilët kanë luftuar për pavarësi kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi një ish-komandat i UÇK-së akuzohet se bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është përgjegjës për vrasjen e rreth 100 serbëve, romëve dhe kundërshtarëve politikë shqiptarë të Kosovës, si dhe për zhdukje, përndjekje dhe tortura.

Politika në Kosovë, në krah të Thaçit

Reagime mbështetëse për presidentin e Kosovës ka pasur sot nga gjithë politika në Kosovë. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, shprehet se vlerëson lart gatishmërinë e presidentit Thaçi që t’iu përgjigjet pozitivisht ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale.

“Lufta e popullit shqiptar, të rreshtuar përkrah UÇK-së ishte e drejtë, vlera e së cilës, pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar, nuk do t’i humbë as sot, e as kurrë. Nuk i kemi ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë ajo e ka kërkuar këtë, pa marrë parasysh pozitat tona shtetërore, i jemi përgjigjur dhe do t’i përgjigjemi”, shkruan veç të tjerash ish-kryeministri.

Po ashtu, edhe ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, i cili gjithashtu është akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte, përmes një statusi në faqen e vet në Facebook shprehet se edhe kjo betejë e Kosovës do të jetë triumfuese, pasi e tillë ishte edhe lufta çlirimitare e Kosovës.

Lufta në Kosovë ka shkaktuar më shumë se 10,000 viktima, shumica e të cilëve ishin shqiptarë.

Lufta përfundoi pas një fushate 78 ditore të NATO-s në vitin 1999, e cila detyroi forcat serbe t’i jepnin fund sulmit të tyre brutal kundër shqiptarëve dhe të largoheshin nga Kosova. Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë nga Serbia, një pavarësi të cilën Beogradi refuzon ta njohë edhe pse ajo kaloi në gjykata ndërkombëtare dhe njihet nga qindra shtete të tjera.

Një gjykatë e procedurës paraprake në Hagë nuk ka marrë ende një vendim nëse do të procedojë apo jo me këtë çështje.

 

Lexoni gjithashtu:

Unitet për të mbrojtur luftën çlirimtare, Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën

Thaçi: Serbia ende s’ka dënuar autorët e krimeve ndaj shqiptarëve

Rama: Në Kosovë erdha për t’u njohur më mirë me situatën, bashkimi i partive jo detyrë e imja

BE reagon mbi deklaratën e Thaçit: Mbajtëm shënim lajmërimin

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në

Kandidatja për president nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ndodhet në Gjilan nga ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke e cilësuar atë si një...
13:54 | 04/06/2026

Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec

Kolektivi për Mendim dhe Veprim feminist ka mbledhur këtë të enjte dis aktivistë tek Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë, për t’u solidarizuar me protestat në...
13:36 | 04/06/2026

Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i kërkoi Serbisë të përshpejtojë reformat dhe të avancojë dialogun me Kosovën, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian...
13:09 | 04/06/2026