Si formohet qeveria e re në Maqedoni të Veriut, koalicionet e mundshme

20 Korrik 2020 | 13:36

Gazetarja e Euronews Albania, Bruna Çifligu analizoi situatën politike që dikton rezultati i zgjedhjeve të 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut. Asnjë nga partitë nuk ka mundur të sigurojë shumicën e mjaftueshme për ta formuar e vetme qeverinë – e cila duhet të gëzojë së paku 61 vota.

Por cilat janë opsionet e mundshme për formimin e qeverisë së re në RMV.

Shpërndarja e mandateve është si më poshtë:

  • 46 mandate – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Lëvizja Besa, kryetarë Zoran Zaev dhe Bilal Kasami;
  • 44 mandate – Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE), kryetar Hristijan Mickoski;
  • 15 mandate – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kryetar Ali Ahmeti;
  • 12 mandate – Aleanca për Shqiptarët (AA) dhe Alternativa, kryetarë Ziadin Sela dhe Afrim Gashi;
  • 2 mandate – E Majta (Levica), kryetar Dimitar Apasiev;
  • 1 mandat – Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi;

Opsioni i parë për koalicion:

LSDM (46) dhe BDI (15) vazhdojnë sërish koalicionin qeverisës që patën mandatin e fundit parlamentar. Por ky koalicion është vështirë i arritshëm për shkak të faktit se Zaev ka hedhur poshtë që në fillim mundësinë për t’i lëshuar postin e kryeministrit BDI-së.

Ahmeti për Euronews Albania nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni tjetër me LSDM-në. Ai ka kërkuar që Zaev t’u kërkojë falje shqiptarëve për një etiketim fyes të përgjuar dhe rrjedhur në media gjatë fushatës. Nga ana tjetër kryetari i BDI-së ka lënë të hapur edhe mundësinë e rifaktorizimit të partive shqiptare.

Vetë Zaev është shprehur se negociatat për koalicion do t’i zhvillojë pas 2 gushtit, pasi momentalisht është me pushime.

Opsioni i dytë për koalicion:

LSDM (46) mund të kalojë në koalicion më të gjerë me shqiptarët e AA & Alternativa (12) dhe PDSH (1) e po kështu me “Të Majtën” (2) duke arritur 61 mandatet e nevojshme. Mirëpo kjo qeveri do të ishte e brishtë përballë një opozite më të fortë të përqendruar vetëm në 2 grupe.

Opsioni i tretë për koalicion:

LSDM (46) dhe VMRO-DPMNE (44) mund të sillnin një qeveri të fortë me 90 mandate, por që në këtë rast do të mbetej për t’u parë qëndrimi që do të mbanin fillimisht Lëvizja Besa, pjesë e koalicionit dhe nga ana tjetër vetë raportet mes dy partive të mëdha, raporte goxha të tensionuara kur VMRO-DPMNE drejtohej nga Nikola Gruevski.

Opsioni i katërt për koalicion:

VMRO-DPMNE (44), BDI (15) dhe “E Majta” (2) mund të bëjnë bashkë gjithashtu 61 mandate, por në këtë skenar mbetet për t’u parë se çfarë qëndrimi mund të mbajë partia e Apasiev, e cila është e së majtës nacionaliste ndërsa në VMRO-DPMNE ka grupe mbështetëse të së djathtës ekstreme.

 

Lexoni gjithashtu:

Ali Ahmeti: Zaev t’u kërkojë falje shqiptarëve, kureshtar të dëgjoj kundërshtitë për propozimin tonë për kryeministër

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zv.kryeministri shqiptar në RMV jep dorëheqjen, zbulohen përplasjet brenda qeverisë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka njoftuar se ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni i tij si zëvendëskryeministër i ngarkuar për Qeverisjen e Mirë....
10:46 | 02/06/2026

Ahmeti i përgjigjet Kurtit: Marrëveshja e Ohrit, gurthemeli edhe i planit të Ahtisaarit për Kosovën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti pas kritikave që ky i fundit i bëri Bashkimit Demokratik për...
08:44 | 02/06/2026

Aksident i rëndë në aksin Kumanovë-Shkup, 13-vjeçari me skulter përplaset për vdekje nga një makinë

Një 13-vjeçar ka ndërruar jetë tragjikisht në një aksident në aksin Kumanovë-Shkup, në fshatin Çerkezi. Aksidenti u regjistrua mbrëmjen e së enjtes. Në aksident janë...
12:49 | 29/05/2026