10 raste të vdekjeve pa simptoma të COVID-19 vënë në diskutim statistikat e pandemisë në Shqipëri

1 Gusht 2020 | 13:41

Personat që rezultojnë pozitivë në testin për COVID-19 përfshihen në bilancin zyrtar të pandemisë, mirëpo duke mos pasqyruar së paku 10 raste të konfirmuara, autoritetet shqiptare të shëndetësisë kanë lënë vend për dyshime rreth saktësisë së statistikave të përgjithshme që raportohen.

Nga data 10 prill e deri më 24 korrik, kanë humbur jetën të paktën 10 pacientë me koronavirus, të cilët nuk janë konsideruar viktima të pandemisë. Kjo pasi nuk kishin shenja sëmundjeje të COVID-19 (ishin asimptomatikë).

Vdekjen u tha se ia shkaktuan sëmundje të tjera bashkëshoqëruese që kishin.

Mirëpo njësoj siç nuk janë llogaritur si viktima, rezulton që ato nuk janë llogaritur as si raste me COVID-19.

Rastet:

  1. 10 prill – Pacient 85 vjeç, u tha se vdiq nga infarkti
  2. 13 prill – Pacient 59 vjeç, u tha se vdiq nga hemorragjia cerebrale
  3. 14 prill – Pacient 62 vjeç, u tha se vdiq nga kanceri i pankreasit
  4. 15 prill – Pacient 82 vjeç, u tha se vdiq nga tromboza në mushkëri
  5. 18 prill – Pacient 69 vjeç, u tha se vdiq nga tumor në kokë
  6. 1 qershor – Pacient 76 vjeç, u tha se vdiq nga kanceri në pankreasit
  7. 10 qershor – Pacient 81 vjeç, u tha se vdiq nga mungesa e funksionit të shumë organeve
  8. 16 qershor – Pacient 88 vjeç, u tha se vdiq nga arrest kardiak
  9. 20 qershor – Pacient 68 vjeç, u tha se vdiq nga cirroza e mëlçisë
  10. 24 korrik – Pacient 27 vjeç, u tha se vdiq nga hemorragjia cerebrale, vuante nga talasemia

Sidoqoftë, siç ka konfirmuar edhe vetë Ministria e Shëndetësisë në njoftimet për shtyp, të dhjeta këto raste ishin gjithsesi me mbartje të virusit. Pra ato kishin rezultuar pozitivë në testet për COVID-19.

Faksemile e njoftimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dërguar në Whatsapp.

Por nëse shqyrtohen të dhënat zyrtare dhe kërkohet diferenca mes rasteve pozitive, të shëruarve, viktimave dhe rasteve ende aktive, kuptohet se 10 rastet në fjalë nuk figurojnë as në numrin e përgjithshëm të të infektuarve (rasteve pozitive). Kjo sepse diferenca del zero, ku në fakt do të duhej të dilte 10.

  • Bilanci deri të shtunën: 5396 (raste) – 2961 (të shëruar) – 161 (viktima) – 2274 (raste aktive) = 0
  • Bilanci nëse 10 rastet do të përfshiheshin: 5406 (raste) – 2961 (të shëruar) – 161 (viktima) – 2274 (raste aktive) = 10

Euronews Albania iu drejtua Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrisë së Shëndetësisë për ta qartësuar më shumë këtë çështje se përse të paktën këto 10 raste nuk janë përfshirë në statistikat e përgjithshme, por deri në momentin e botimit të artikullit nuk mori përgjigje.

Rastet e para të konfirmuara me COVID-19 në Shqipëri u njoftuan zyrtarisht javën e dytë të muajit mars. Pak javë më pas ministria e Shëndetësisë nisi t’i njoftojë përditësimet e rasteve pa praninë e mediave. Aktualisht ato njoftohen si regjistrime duke iu përcjellë mediave në rrugë elektronike, ose duke u ndarë në Facebook në profilin zyrtar të kryeministrit.

Lexoni gjithashtu:

”Të ruhemi nga virusi, por edhe nga censura,” gazetarisë i ngrihen pengesa të reja në kohë pandemie

Shqipëria e përball valën e dytë të COVID-19 me numrin më të ulët të testeve në rajon

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë

Gjatë seancës plenare sdot në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, pati diska replika me deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Në fjalën e...
11:55 | 04/06/2026

Mes tensionesh dhe sharjesh transportohet drejt Traumës autori i vrasjes së policit në Maliq (VIDEO)

Violand Braçellari, autori i vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, gjatë operacionit të zhvilluar në Maliq është transportuar me ambulancë nga spitali...
11:49 | 04/06/2026

Pëllumb Gjoka flet për herë të parë për akuzat në “Metamorfoza”: Po gjykohem mbi thashetheme

Biznesmeni dhe investitori strategjik Pëllumb Gjoka ka folur për herë të parë publikisht lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij në kuadër të dosjes “Metamorfoza”,...
11:38 | 04/06/2026