Planet dhe masat për sulmet kibernetike, çfarë u diskutua në Këshillin e Sigurisë

10 Tetor 2022 | 15:10

Presidenca ka dhënë detaje nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit për sulmet kibernetike.

Njoftohet se në mbledhje u theksua se sulmet keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike.

“Sulmet kibernetike të muajve të fundit, niveli i cënimit të sistemeve elektronike shtetërore dhe masat që janë marrë dhe po merren nga strukturat përgjegjëse ishin objekt i diskutimeve të hollësishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Gjatë diskutimeve u theksua se sulmet keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike dhe për ta trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit, si një element thelbësor të sigurisë sonë kombëtare”, njofton Presidenca.

Në takimin e sotëm, ministra dhe përfaqësues të lartë të institucioneve përgjegjëse raportuan mbi analizën e deritanishme të situatës, planet dhe masat, që po ndërmerren për adresimin e mangësive të vërejtura në infrastrukturë dhe kapacitete.

“Në mënyrë të veçantë, u vlerësua se mbështetja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e ndryshme amerikane, që kanë punuar e po punojnë me agjencitë tona, ka qenë thelbësore për identifikimin e tipologjisë së agresionit kibernetik dhe kundërpërgjigjen tonë. Këshilli i Sigurimit Kombëtar konfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen”, sqaron më tej Presidenca.

Në mbledhjen e sotme ishte i pranishëm edhe kreu i qeverisë, Edi Rama. Këshilli i Sigurisë përbëhet nga 14 anëtarë dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës.

Anëtarët e tjerë të tij janë kryetari i Kuvendit, kryeministri, 7 ministra—i Mbrojtjes, Drejtësisë, Punëve të Brendshme, Financave, Transportit, Punëve të Jashtme dhe Energjisë.

Anëtarët janë edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Ligji i jep të drejtën Presidentit të “ftojë pjesëmarrës të tjerë” në mbledhjet e Këshillit, por që nuk gëzojnë të drejtat e anëtarëve.

Për herë të fundit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare është mbledhur nga ish-presidenti Ilir Meta në 14 shkurt 2022, për shkak të tensioneve Rusi-Ukrainë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Erion Braçe del kundër Ramës për Zvërnecin (VIDEO)

Deputeti Erion Braçe ka folur lidhur me mënyrën se si po trajtohet publikisht projekti i investimit strategjik në Zvërnec. Në një reagim publik, Braçe theksoi...
14:05 | 04/06/2026

Vrasja e policit gjatë operacionit në Maliq, Lamallari nga Trauma: Hetim i thelluar mbi përgjegjësitë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi se kanë nisur procedurat për shpalljen e efektivit Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, me...
13:47 | 04/06/2026

Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
13:30 | 04/06/2026