AKSHI reagon për Euronews Albania duke hedhur poshtë akuzat e PD për tenderin 1 miliard lekë

28 Gusht 2020 | 19:35

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e pyetur nga Euronews Albania për akuzat e Partisë Demokratike lidhur me tenderin 1 miliard lekë për sistemin e monitorimit të inspektorëve tatimorë, hodhi poshtë pretendimet e selisë blu.

Sipas AKSHI-t “ato thjesht janë një përpjekje e dëshpëruar dhe e dështuar për të baltosur punën e vazhdueshme të institucionit” si dhe se “po kërkon me çdo kusht vëmendje mediatike”.

Agjencia u shpreh se PD nuk kishte ofruar asnjë argument mbi arsyet e prokurimit të një prej projekteve “më të rëndësishme të modernizimit të administratës publike” dhe “kaq i kërkuar nga komuniteti i biznesit”.

“Ndryshe nga sa pretendohet në deklaratë, ky sistem jo vetëm që nuk ekziston prej vitit 2013, por nuk ka qenë i mundur të ndërtohej në vitin 2013, sepse bazohet mbi elemente të qeverisjes elektronike të ndërtuar në këto 7 vite; të njëjtët elemente që e klasifikojnë sot Shqipërinë të parën në rajon për qeverisjen elektronike sipas OECD, me 7 tregues nga 7 të realizuar dhe të 36-tën në botë sipas OKB, duke lënë pas vende nga më të zhvilluarat në botë si Zvicra, apo edhe shteti fqinj Italia,” deklaroi AKSHI për Euronews Albania.

“Në lidhje me pretendimet mbi procedurën e tenderimit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit thekson se kjo procedurë ka qenë e hapur për 23 ditë në portalin e prokurimeve publike dhe asnjë operator nuk ka bërë ankesa mbi specifikimet teknike të sistemit apo mbi kriteret e kualifikimit,” shtoi institucioni.

“Opinioni publik duhet të dijë se nëpërmjet shërbimit të automatizimit dhe monitorimit të aktivitetit për inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të mundësohet automatizimi i të gjitha proceseve të punës së inspektorëve tatimorë, që nga dixhitalizimi i strukturës, ndarja e detyrave, ndjekja dhe gjurmimi i rasteve, gjurmimi i lëvizjeve të inspektorëve e deri te verbalizimi i inspektimeve dhe kundërvajtjeve,” shtoi AKSHI.

Sipas institucionit, nëpërmjet regjistrimit elektronik të çdo veprimi, sistemi do të evidentojë në mënyrë automatike ngarkesën e punës, duke ndihmuar vendimmarrjen e administratës tatimore për shpërndarjen e inspektorëve në terren; Do të evidentojë zonat problematike në lidhje me informalitetin dhe evazionin dhe do të gjenerojë raporte dhe statistika, që aktualisht janë shumë të vështira ose të pamundura për t’u realizuar.

Gjithashtu sistemi, duke u mbështetur në platformën qeveritare të ndërveprimit dhe duke marrë në mënyrë automatike informacionin e dobishëm nga të gjithë sistemet ekzistuese do të shkurtojë kohën e humbur duke mbledhur informacion nga inspektorët si dhe do të evitojë pasaktësitë e mundshme të informacionit të shkëmbyer në rrugë jo-elektronike, duke rritur për rrjedhojë efiçencën dhe saktesinë e punës së tyre. Po ashtu, duke qenë se çdo veprim do të lërë gjurmë, asnjë inspektor nuk mund të mbyllë një sy përpara shkeljeve dhe të pretendojë, që nuk i pa ato, instrument që do të ndikojë automatikisht në uljen e nivelit të korrupsionit deri në eliminimin e tij, – mbrojti AKSHI tenderin në fjalë.

“Është e qartë pra që ky shpenzim, ashtu sikurse të gjitha shpenzimet në fushën e inovacionit, jo vetëm që nuk mund të jetë shpërdorim, por përkundrazi është një investim që shumë shpejt do të kthehet mbrapsht duke na njohur me rezultate pozitive konkrete, që do të arrihen nga implementimi i këtij sistemi,” tha agjencia.

Më herët gjatë ditës, ish-deputeti i PD Endri Hasa tha se AKSHI ka shpenzuar 1 miliard lekë për sistemin e monitorimit të inspektorëve tatimorë, sistem që sipas tij ekziston që prej vitit 2013.

“Bashkimi i operatorëve ekonomik ‘Iva Elektronik’ dhe ‘Image & Communications Development’ ka paraqitur ofertën afër fondit limit 1 miliardë lekë. Qartësisht, fituesi është paracaktuar, sepse nga 2 kompanitë që kanë marrë pjesë, vetëm njëra prej tyre ka paraqitur ofertë. Nëpërmjet kësaj vjedhje të pastër, 1 miliardë lekë të taksave të shqiptarëve do t’i paguhen Iva Elektronik dhe Image & Communication për një sistem të monitorimit të inspektorëve, i cili rezulton se është në fakt ekzistues, dhe i ndërtuar prej vitit 2013”, tha z. Hasa.

“AKSHI ka detyrim të udhëheqë revolucionin digjital të Shqipërisë, të shërbimeve publike, të shërbimit të qytetarëve dhe të goditjes ndaj korrupsionit. Opozitës i kujtojmë se këtë punë e vlerësuan një muaj më parë dy organizatat më të rëndësishme dhe të besuara në nivel botëror, OKB dhe OECD, që e renditën Shqipërinë në vendin me qeverisjen digjitale më të mirë të rajonit duke lënë pas edhe vende anëtare të BE-së,” thuhej më tej në reagim.

 

Lexoni gjithashtu:

Tenderi 1 mld lekë, PD: Tatimet blenë një sistem që ekzistonte prej 2013

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ndërtimi në Zvërnec, Rama zbulon arkitektin: Artist i madh i natyrës. Prezantoi në Tiranë vizionin e tij

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka zbuliar arkitektin i cili është kontaktuar lidhur me ndërtimin në Zvërnec. Rama shkruan se arkiteti Dong...
16:48 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në një deklaratë për mediat nga Korça ka folur lidhur me ngjarjen e rëndë ku humbi...
16:22 | 04/06/2026

I biri vrau një polic dhe plagosi një tjetër, merret në pyetje nga autoritetet nëna e Violand Braçellarit

Nëna e autorit të vrasjes së policit Enea Mekolli dhe plagosjes së policit Edison Adri është shoqëruar nga forcat e policisë në ambjentet e drejtorisë...
15:39 | 04/06/2026