Shtetësia shqiptare dhënë një futbollisti ganez përplas politikisht presidentin me qeverinë
Qeveria pretendon se Presidenti shkeli ligjin në rastin e dhënies së shtetësisë një futbollisti ganez, ndërsa presidenca thotë se qeveria po ushtron trysni politike dhe mediatike për t’ia marrë kompetencat dhe hequr vëmendjen nga problemet që po has vendi me pandeminë.
Përplasja për kompetencat dhe akuza për shkelje të ligjit
Kushtetuta (Neni 92 kliko këtu për të shqyrtuar dokumentin) i jep kompetencë Presidentit të japë shtetësinë shqiptare.
Mirëpo, në vitin 2019, shumica socialiste propozoi ndryshime në ligjin për shtetësinë duke krijuar një specifikë për “rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë” – thënë ndryshe për procedurat e përshpejtuara, – e cila do t’i kalohej për verifikim një agjencie shtetërore nën varësi të ministrisë së Brendshme, kjo me argumentimin kryesor që personat në fjalë t’i nënshtroheshin hulumtimit për pastërtinë e figurës dhe mos-cenimit të sigurisë kombëtare.
Me ndryshimet e ligjit, të huajve u duhen 7 vite rezidencë në Shqipëri dhe jo më 5 sikurse ishte në ligjin e shkuar të vitit 1998. Shtetësia mund t’u jepet me raste të veçanta – në dallim nga këto kushte, – për investitorë, apo kur vendi ka interesa kulturore, sportive apo kombëtare.
Më 10 gusht 2020 Meta e ktheu për rishqyrtim ligjin duke përmendur si argument kryesor përplasjen mes kompetencave kushtetuese të Presidentit me ato të qeverisë si dhe krijim kushtesh të pabarabarta kundrejt atyre që e marrin shtetësinë me procedurë të zakonshme, e cila nuk kërkon hulumtim për pastërti të figurës.
Por më 24 shtator Kuvendi e rrëzoi dekretin e tij duke i ri-miratuar ndryshimet në ligjin për shtetësinë. Vendimi u botua në Fletoren Zyrtare më 29 shtator.
“Kjo këtu është dosja e futbollistit të Tiranës [tregoi një dosje], këtu [tregon më tej dosjen] është edhe dokumenti i institucionit përkatës që tregon se nuk ka asnjë të dhënë që cenohet siguria kombëtare, e dyta të përfaqësosh një ekip kampion apo çdo ekip shqiptar në arenën ndërkombëtare është interes edhe kombëtar edhe publik dhe besoj se kjo është sqaruar shumë qartë nga drejtuesit e klubit dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit që kanë bërë kërkesë urgjente përpara ndeshjes. Kur i intereson qeverisë ekziston ligji për procedurat e posaçme, kur nuk i intereson, nuk ekziston,” – tha Meta në një deklaratë për shtyp të hënën.
“Si rregull shtetësia kalon nga ministria e Brendshme dhe finalizohet nga presidenti me dekret, presidenti është hallka e fundit. Ligji parashikon që mund të jepen shtetësi edhe me një procedurë më të reduktuar sa i përket kushteve, kur ka interes kombëtar, një të huaji mund t’i kërkohen më pak kritere, për shembull, jo të ketë 5 vjet në Shqipëri, apo në rastin e një futbollisti që i jepet shtetësia për interes kombëtar. Nëse Ronaldo nesër vendos të luajë me Shqipërinë. Kjo është fryma e ligjit,” – sqaroi për Euronews Albania gjatë një interviste me Ilva Taren ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Nëse “natyralizimi” si shqiptar i 29-vjeçarit Cobbina do të kishte interesa sportive kombëtare, kërkesa Presidentit Meta do t’i ishte bërë nga FSHF dhe do të duhej të kishte kaluar nga ministria e Brendshme, mirëpo në rastin në fjalë ajo është bërë nga vetë futbollisti.
“Ilir Meta ka lidhje me Kushtetutën sa ç’ka lidhje me Topin e Artë ai futbollisti afrikan [Cobbina] që mori pasaportën shqiptare për 8 orë nga Iliri, ndërkohë që ishte nën akuzë në Shqipëri për falsifikim dokumentesh. Të dy bashkë po, e kanë një lidhje: I kanë bërë gol me kokë drejtësisë!,” – replikoi në Twitter Edi Rama rreth çështjes në fjalë.
Cobbina ka vetëm dy vite që jeton në Shqipëri, dhe nuk përmbush parashikimet ligjore as të ligjit të mëparshëm e as atij të riut (5-7 vite), por as parashikimin ligjor që “në rast të një martese me shtetase shqiptare” t’i jepet shtetësia, pasi ligji kërkon një periudhë kohore prej së paku tre vitesh për të aplikuar për shtetësi.
Pretendimi i ngritur nga kryeministri se Cobbina ka qenë nën akuzë për falsifikim dokumentesh në Shqipëri dhe se shtetësia u vendos “për 8 orë” e bën edhe më të diskutueshme procedurën e ndjekur nga Presidenti. Ky i fundit nuk i ka zbardhur konkretisht hapat e ndjekura.
“Për aq sa e njoh Ilir Metën, të jeni të bindur se ai as për fëmijët e vetë nuk e shkel ligjin,” – tha javën e shkuar në një konferencë për shtyp bashkëshortja e Presidentit, Monika Kryemadhi, e cila e konsideroi “taktikë mediatike të shumicës socialsite”, për t’ia hequr si kompetencë Presidentit dhënien e shtetësisë.
Prej vitit të shkuar, pas përplasjes President-shumicë socialiste për çështjen e anulimit të datës së zgjedhjeve vendore, qeveria ka nxitur nisjen e procedurave për një ligj përcaktues “për funksionet dhe kompetencat e Presidentit”.

Rasti Cobbina
Futbollistit 29-vjeçar të Tiranës, Winful Cobbina, u transferua nga Gana në kryeqytetin shqiptar në vitin 2018. Atij iu dha shtetësia në fillim të këtij muaji.
Më 28 shtator, pas kërkesës nga vetë futbollisti, Presidenti Ilir Meta dekretoi (kliko këtu për të shqyrtuar dokumentin) dhënien e shtetësisë.
Fitimi i shtetësisë u botua në Fletoren Zyrtare (kliko këtu për të shqyrtuar dokumentin) më 1 tetor, kur Tirana do të zhvillonte ndeshjen kualifikuese për në Europa League kundër Young Boys në Zvicër – e përfunduar 3-0 për helvetët.
Tirana e argumentoi kërkesën për shtetësi të futbollistit ganez për lehtësira në vajtjen në Zvicër.
Vajtja e Cobbinas në Bern u bë me pasaportë shqiptare. Ai luajti si titullar për rreth 70 minuta, përpara se të zëvendësohej nga patrioti i tij Derrick Sasraku.
Përveç udhëtimit drejt Zvicrës, Tiranës i lehtësonte punë shtetësia e Cobbinas edhe në raport me rregullin e aktivizimit të lojtarëve të huaj në kampionatin shqiptar.
Rregullorja e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) (Neni 15, kliko këtu për të shqyrtuar dokumentin) sanksionon se në një ndeshje zyrtare “nuk mund të aktivizohen njëkohësisht në fushë më shumë se katër futbollistë me shtetësi të huaj”, përjashtim nga ky rregull bëjnë lojtarët me pasaportë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët nuk konsiderohen të tillë.
Tirana, përveç Cobbinas, ka edhe pesë lojtarë të tjerë të huaj.
Lexoni gjithashtu:
Presidenti i Lituanisë vizitë në Tiranë, pritet në Kryeministri nga Rama
Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura
Zvërneci përplas PS-PD në Kuvend, Bido: Ku ishit më 30 maj, pse nuk folët?! Balliu: Ju folët vetëm pse doli videoja
- 19:39 Qytetarët e Vlorës sërish në protestë te Sheshi i Flamurit kundër projektit në Zvërnec
- 19:28 Spanja zbulon 111 raste me kancer që lidhet me implantet e gjirit
- 19:25 Babai i Martin Canit i bashkohet protestës kundër projektit në Zvërnec (VIDEO)
- 19:18 Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin
- 19:10 Konflikti në Ukrainë, Lavrov: SHBA nuk i kanë respektuar marrëveshjet, lufta e Bidenit tani është bërë e Trumpit
- 19:03 FOTOLAJM/ Del pankarta zyrtare e protestuesve: Nuk ka negociata, kërkesat janë të qarta