Komisioni i Venecias: U nxitua në ekstrem për të ndryshuar Kushtetutën
Komisioni i Venecias në opinionin paraprak konfidencial për ndryshimet Kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor në Shqipëri që Euronews Albania ka siguruar, paraqiten katër rekomandime për zgjedhjet e 25 prillit dhe shtatë rekomandime të tjera për t’u marrë parasysh pas zgjedhjeve parlamentare. Komisioni i Venecias në opinion shpreh “keqardhje që procedura për miratimin e amendamenteve kushtetuese ishte ekstremisht e nxituar”.
Në opinion theksohet se, sipas Kodit të Praktikave të Mira, asnjë ndryshim në parim (i lidhur me të gjithë elementët thelbësorë, për shembull sistemi elektoral, përbërja e trupave të menaxhimit të zgjedhjeve dhe vizatimit të kufijve të zonave zgjedhore nuk duhet të kryhet 12 muaj përpara zgjedhjeve.
Komisioni i Venecias thotë se, “është e dyshimtë që ndryshimet për rregullat e koalicioneve nga versioni i vjetër i Kodit të konsiderohen si një ndryshim thelbësor”. Venecia thekson se, “ndalimi i koalicioneve siç ishin në versionin e vjetër ka pak gjasë të ndryshojë një numër të madh të vendeve në Parlament”.
Ndonëse Venecias thotë se ky ndryshim nuk sjell ndonjë ndryshim të madh në krahasim me konfigurimi ne partive në zgjedhjet e kaluara parlamentare, thekson nga ana tjetër se “megjithatë, në një garë të ngushtë elektorale, këto ndryshime mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës në Parlament”.
Në opinionin paraprak më tej thuhet se, “ndërkohë që është fshirë nga Neni 86 i Kushtetutës, termi “koalicion” është ende në Nenin 96 (1) të Kushtetutës, i cili thotë së “në fillimin e legjislaturës, ashtu si edhe kur posti i Kryeministrit është vakant, Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin me propozimin e partisë apo koalicionit që ka shumicën parlamentare”.
Venecia shton se “nga diskutimet me grupet e interesit të palës shqiptare, nuk duket se “koalicioni i partive” i Nenit 96 ka të njëjtin kuptim si në Kodin Zgjedhor. Do të ishte e përshtatshme që kjo të sqarohej përpara zgjedhjeve parlamentare, mundësisht me një marrëveshje politike. Në këto kushte, është e dyshimtë nëse ndryshimet mbi rregullat për koalicionet, ashtu siç paraqiten në versionin e mëparshëm të Kodit, mund të konsiderohen si ndryshime thelbësore.”
Ndërkohë sipas Venecias “efekti i listave të hapura nuk do të ketë një ndikim të madh në rezultat. Duket sikur kjo e re nuk duhet të konsiderohet një ndryshim thelbësor.” Lidhur me ndryshimin pragut nga 3% në nivel rajonal që ishte në 1% në nivel kombëtar thuhet se nuk ka ndryshim thelbësor.
REKOMANDIMET PËRPARA ZGJEDHJEVE TË PRILLIT
a) Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë më të mirën për të zbatuar kodin elektoral në kohë.
b) Të shmangin amendamente të mëtejshme në legjislacionin elektoral përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti kufijtë e zonave elektorale nuk duhet të ndryshojnë
c) Liderët e partive politike të përmbahen nga kandidimi në më shumë se 1 zonë zgjedhore
d) Të qartësojnë impaktin e amendamenteve në lidhje me koalicionet për nenin 96 të Kushtetutës në caktimin e Kryeministrit
REKOMANDIMET PËR PAS ZGJEDHJEVE TË PRILLIT
a) Të zhbëjnë mundësinë për liderët e partive politike për të kandiduar në disa zona zgjedhore
b) Të respektojnë të drejta të barabarta për të gjitha partitë në një koalicion për të apeluar vendime apo veprime të një koalicioni
c) Të prezantojnë mundësinë për kandidatët individualë për të paraqitur ankesa dhe apelime kundër vendosjes së radhës brenda në një listë
d) Të qartësojnë përkufizimin e pragut për zgjedhjet lokale në kuptimin që të aplikohet në nivel bashkie
e) Të rishikojnë nenin 67(4) e kodit zgjedhor për të reduktuar numrin minimal të kandidatëve që përbëjnë një listë
f) Të konsiderojnë bërjen e një përjashtimi nga pragu 1% në nivel kombëtar për pakicat kombëtare
g) Të vijojnë të ndërmarrin rekomandimet e vonuara të ODIHR që kanë lidhje me zgjedhjet
Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura
SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur
Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje
- 12:37 Vuçiç konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor
- 12:13 Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura
- 12:12 SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur
- 12:10 Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje
- 12:05 Zvërneci përplas PS-PD në Kuvend, Bido: Ku ishit më 30 maj, pse nuk folët?! Balliu: Ju folët vetëm pse doli videoja
- 11:55 Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë