Tri anëtare të rëndësishme të Parlamentit Evropian japin pikëpamjet e tyre për reformat brenda dhe jashtë BE-së

27 Dhjetor 2019 | 20:12

Klára Dobrev, Zv.Presidente e Parlamentit Evropian

Viti 2019 shënoi shtyrjen dhe refuzimin nga Bashkimi Evropian për përparimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke lëkundur edhe më shumë besueshmërinë e BE-së dhe tek vetë procesi i zgjerimit.  Në përfundim të vitit të “gabimit historik”, ekskluzivisht për Euronews Albania tre anëtare të rëndësishme nga dy grupimet kryesore të Parlamentit Evropian japin pikëpamjet e tyre për reformat brenda dhe jashtë BE-së, procesin e zgjerimit, për çfarë ndodhi dhe se ç’duhet të ndodhë vitin e ardhshëm.

Hungarezja Klára Dobrev, Zv.Presidente e Parlamentit Evropian e cila vjen nga fusha e shoqërisë civile, opozitare me regjimin e Victor Orban, paralajmëron për rreziqet ndaj Ballkanit nga flirtet me Rusinë.

Komisioni ka hapur vazhdimisht dyert e BE, po është Këshilli ai që ua përplas vendeve vazhdimisht derën në fytyrë. Si ndiheni në lidhje me çfarë po ndodh me procesin e zgjerimit?

Pas lajmeve që na kanë ardhur nga Shqipëria më lini fillimisht të nis duke shprehur ngushëllimet e mia për të gjithë ata që kanë humbur të afërmit dhe miqtë e tyre nga tërmeti. Mendoj se është një katastrofë e tmerrshme  unë kam qenë disa herë në vendin tuaj të bukur dhe vërtet as nuk arrij ta imagjinoj sa e tmerrshme duhet të jetë.

Duke iu kthyer pyetjes tuaj, mendoj se të gjitha forcat pro-evropiane në Parlamentin Evropian, në Komision dhe në Këshill gjithashtu janë të vendosur se ne duhet të vijojmë me zgjerimin. Evropa nuk përfundon diku në Poloni, Rumani, Bullgari apo Hungari, por ajo është në bashkësi më e madhe. Prandaj jam përfundimisht e sigurt se procesi i zgjerimit do të vazhdojë.

E kuptoj pyetjen tuaj pasi fjalët e zotit Macron m’u dukën edhe mua mjaft shkatërruese dhe nuk bie dakord me të. Por unë kam ndjesinë se edhe shumica në Parlamentin dhe Këshillin Evropian nuk bien dakord me të, madje vetë ai u tërhoq nga ato fjalë duke propozuar më pas një qasje krejt të ndryshme. Pra unë mund t’i garantoj vendet e Ballkanit se shumica e Parlamentit, përfshirë dhe mua, jemi të vendosur për procesin e zgjerimit.”

Ndërkohë ju vini nga një vend i cili është pro zgjerimit, por që në vitet e fundit ka qenë hallka me e dobët në BE kur vjen fjala për rendin ligjor. Kur dihet se sundimi i ligjit është parim kyç për Ballkanin çfarë mendoni për emërimin e zotit Varhelyi në postin për zgjerimin?

Unë jam një politikane e opozitës në Hungari. Jam një kundërshtare absolute ndaj çdo gjëje që bën Viktor Orban në kuptimin politik. Ne kemi dy probleme me politikat e Orbanit.

Fillimisht ajo që përmendët, se si mund t’i kërkojmë ne vendeve të Ballkanit të respektojnë sundimin e ligjit kur ne kemi brenda nesh një vend që nuk po e përmbush këtë kriter, ku shtypi nuk është i lirë, ku gjykatësit nuk janë të lirë, ku opozita shtypet dhe ku ka korrupsion të stërmadh, dhe lista vazhdon. Prandaj unë mendoj se mjetet e procesit të zgjerimit duhen përdorur edhe për ato vende anëtare që nuk respektojnë rendin ligjor. Dhe ky është artikulli 7, sipas të cilit mund të pezullohen disa të drejta të një vendi siç janë e drejta e votës apo fondet e BE-së, gjë që ka shumë mundësi të ndodhë vitin që vjen. Për procesin e zgjerimit është shumë e rëndësishme që t’i vëmë gjërat në rregull brenda Bashkimit Evropian.

Ka dhe një problem të dytë, dhe unë ju këshilloj juve, popullin dhe qeverinë shqiptare dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që të jeni pak të kujdesshëm dhe të mos i besoni shumë fjalëve të zotit Orban, sepse ai me fjalë thotë që është shumë pro zgjerimit, por ne e shohim gjithandej se ai nuk i barazon fjalët me veprat në të mirë të Bashkimit Evropian, dhe se pas çdo manovre politike duken duart e Rusisë së Putinit, dhe kjo është një gjë që do të paraqesë vërtet shumë rrezik për Ballkanin Perëndimor.

Kjo është një prej arsyeve pse ne pranuam në fund që Olivier Varhelyi të jetë komisioner për Zgjerimin, sepse ai deklaroi disa herë se do të jetë i pavarur dhe se ai nuk bie dakord me ato që po bën Viktor Orban. Por edhe ne do ta vëzhgojmë nga afër se si do të punojë ai në vitet e ardhshme. 

Ish-ministrja gjermane e drejtësisë, Katarina Barley

Ish-ministrja gjermane e drejtësisë, Katarina Barley, thekson rëndësinë e respektimit të vlerave bazë dhe sundimit të ligjit në të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Cilat janë shqetësimet tuaja kryesore në lidhje me rendin ligjor në Bashkimin Evropian?

 “Jam plotësisht dakort se rendi ligjor është një nga çështjet absolutisht kyçe që ngrë pyetjen se në cilin drejtim dëshiron të ecë Bashkimi Evropian. A duam ne të mbetet një bashkësi e bazuar tek liritë, toleranca, tek sundimi i ligjit dhe demokracia, apo po shohim një Evropë që kërkon të kthehet në krahun tjetër. Dhe ne po shohim që disa vende po e bëjnë tashmë këtë gjë. Kemi dy vende që përballen me procedurën e Artikullit 7, artikull i parashikuar për vendet që hasin vështirësi me rendin ligjor. Dhe ne duhet edhe të krijojmë mekanizma të rinj pasi vërejmë se Artikulli 7 kërkon unanimitet në fazën përfundimtare, dhe meqë kemi Poloninë, dhe Hungarinë, ata bllokojnë masat kundër tjetrit. Pra na duhet një sistem i ri. Ne duam të kemi  një vëzhgim të pandërprerë për të gjitha vendeve anëtare, sepse kemi probleme në të gjitha vendet, si edhe më shumë mundësi për sanksione, veçanërisht financiare.

Ju ishit Ministre Drejtësie para së të vinit në Parlament, a i keni ndjekur reformat për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe cili është vlerësimi juaj? Unë kam ndjekur veçanërisht ngushtë zhvillimet në Shqipëri. Kam biseduar disa herë me kolegen time shqiptare dhe më ka lënë vërtet mbresa me çfarë është bërë, shumë guximtare, ajo ndërmorri hapat e duhur, përshembull duke ftuar komunitetin ndërkombëtar të marrë pjesë në reformën në drejtësi, dhe kam shumë respekt për çfarë është bërë. Për këtë arësye jam shumë e mërzitur, besoj si gati të gjithë anëtarët e Parlamentit, që Këshilli refuzoi të hidhte hapin e radhës në procesin e zgjerimit. 

Cili mendoni se duhet të jetë hapi i radhës me këto dy vende, ndoshta në muajin Mars ?

Ne i kemi bërë një premtim Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, dhe ne duhet të jemi një bashkësi që i mban premtimet e saj. Pra nëse ata i kanë plotësuar kriteret, ne duhet të jemi në gjendje të përparojmë në procesin e zgjerimit, kjo është ajo për të cilën Këshilli duhet të bjerë dakord.

Zv/Koordinatorja e Komisionit të Punëve të jashtme të Parlamentit Evropian, Zeljana Zovko

Ndërsa, Zv/Koordinatorja e Komisionit të Punëve të jashtme të Parlamentit Evropian, kroatja Zeljana Zovko, ndan pritshmëritë për Ballkanin gjatë presidencës së ardhshme të BE-së, pas deklaratës së Presidentes së re të Komisionit, Ursula von der Leyen, se dyert e BE-së mbeten hapur për dy vendet.

U ndjeva e inkurajuar, plot shpresë dhe u ndjeva vërtetë mirë kur dëgjova deklaratën e qartë të von der Leyen se Bashkimi Evropian do ta përqendrojë vëmendjen e tij tek Ballkani Perëndimor, se dyert do të mbeten të hapura për Ballkanin Perëndimor, si dhe se njerëzit që jetojnë në Ballkanin Perëndimor janë evropianë, ata ndajnë të njëjtën kulturë, ndajnë të njëjtat vlera dhe se zgjerimi duhet të vazhdojë. »

Çfarë mendoni për vendimin e këshillit? 

Dërgoi mesazhin e gabuar, dërgoi vërtet mesazhin e gabuar për Ballkanin. Dhe unë negociova në emër të grupit tim, PPE-së, një rezolutë pas këtij vendimi, ose mos-vendimi të këshillit, ku ne kombinuam dhe bashkuam të gjitha grupet parlamentare rreth deklaratës se ky ishte një vendim i keq dhe se na duhet të dërgojmë një mesazh të mirë. Ne si grupi i PPE-së do të punojmë krah për krah parnterëve tanë në Ballkanin Perëndimor »

 Kroacia merr për herë të parë presidencën e BE-së, data më e afërt për çeljen e negociatave duket samiti i marsit, më pas kemi atë të Zagrebit, cilat janë pritshmëritë tuaja?

Pritshmëritë e mia janë të mëdha, ne patëm një kongres të PPE-së në Zagreb ku kryeministri dhe presidenti i partisë tonë HDZ, Andrej Plenkoviç, deklaroi se zgjerimi është prioritet i tij, dhe ai po punon ngushtë tashmë për të sheshuar dallimet mes vendeve të ndryshme në Bashkimin Evropian. Ai ka qenë diplomat me përvojë dhe ka lidhje të mëdha me Francën dhe ai është personi perfekt për të gjetur zgjidhje dhe për të ndërtuar ura në mes vendeve me opinione të ndryshme. 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)

Seanca e së enjtes në Kuvend nisi me një minutë heshtje në nder të efektivit të vrarë në krye të detyrë në Maliq. Ishte kreu...
10:30 | 04/06/2026

Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas vrasjes së një efektivi policie në Korçë dhe plagosjes së kolegut të tij gjatë një...
09:59 | 04/06/2026

Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një video që, sipas tij, është filmuar në Zvërnec dhe tregon një sipërfaqe të madhe të ndotur me...
07:56 | 04/06/2026