Mesha për Krishtlindje, Imzot George Frendo: Do zhvillohet në orën 18:00, masat e reja kufizuese na kanë hidhëruar

23 Dhjetor 2020 | 11:49

Besimtarët katolikë dhe ortodoksë përgatiten të festojnë Krishtlindjen. 

Për shkak të masave kufizuese mesha tradicionale e lindjes se Krishtit nuk do të zhvillohet në mesnatë.

Pas reagimit që pati një ditë më parë Kisha Katolike, është vendosur që mesha të zhvendoset dhe të mbahet në orën 18:00 të ditës së enjte.

Këtë e konfirmoi për Euronews Albania, kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot George Frendo.

Imzot Frendo u shpreh se është hidhëruar për shkak të masave të reja të qeverisë, pasi ishte planifikuar gjithçka që mesha të zhvillohej në orën 20:00 të së enjtes. 

Sipas tij vendimi është marrë një ditë pasi kishat kishin njoftuar edhe besimtarët. 

“Jo se kanë penguar kremtimin e Krishtlindjes, por ne të dielën në të gjitha kishat në të gjithë Shqipërinë, kemi njoftuar besimtarët tanë që mesha e Krishtlindjes do të kremtohet në orën 8 të darkës. Zakonisht, ku gama e ministrisë dalin me udhëzime të reja zakonisht ditën e premte ose të shtunën thonë do të bëhen kufizime të reja, që nga dita e hënë. Këtë herë një ditë pasi kishin njoftuar që mesha e Krishtlindjes do të bëhet në orën 8 të darkës, ka dalë ky urdhër që në 8:30 fillon mbyllja. Pastaj ishim  të detyruar që të njoftojmë besimtarët se nuk do të bëhet në orën 8 por në orën 6 ose 6 e gjysmë. Tani të gjithë e dimë  që ne katolikët kemi kremtuar Krishtlindjen në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit. Për këtë arsye ne vërtet jemi ndjerë më shumë të hidhëruar, për këtë fakt vetëm dy ditë, apo 3 ditë para festës së Krishtlindjes dhe një ditë pas njoftimit njerëzit tanë që kremtimi do të bëhet në orën 8 ka dalë ky urdhër. Ishte për këtë arsye që unë kam bërë atë letër”, u shpreh ai.

Sa i përket reagimit të djeshëm ndaj qeverisë për masat e reja kufizuese, Imzot Frendo u shpreh: “Për këtë arsye, ka dalë ditën e hënë, jo si zakonisht ditën e premte. Fillon më 24, pikërisht atë ditë kur ne kremtonin. Për këtë arsye ne kemi dyshuar që ishte një vendim diskriminues. Në përgjigjën nga ana e ministrisë na kanë thënë se ishte një keqkuptim nga ana e tyre, dhe  se nuk dinin që kremtimi bëhet më 24 në atë orar”.

Imzot George Frendo u shpreh më tej se viti 2020 ka qenë një vit i vështirë, por deri në fund duhet ta përballojmë me kurajo.

 “Ishte një situatë ka shkaktuar shumë probleme, jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe në mbarë botën. Kemi pasur edhe këtu në Shqipëri kanë mbetur pa punë, si ata që punojnë në restorante, hotele, në fushën e turizmit. Po i ndjejmë këto probleme dhe pasoja të koronavirusit, por ne duhet t’i përballojmë në kurajo”.

“Unë shpresoj dhe ftoj të gjithë teleshikuesit që të lutemi që viti 2021 të sjellë më shumë fat, të jetë një vit më i mirë sesa viti është duke mbaruar, 2020. Kjo duhet të jetë lutja jonë gjatë këtyre ditëve”, tha ai më tej.

Imzot Frendo dha edhe një mesazh për politikanët, se duhet të shikojnë të mirën e përbashkët dhe jo atë personale.

“Unë u drejtohem politikanëve, së pari që të angazhohen më shumë në një dialog, që fatkeqësisht mungon. Të kërkojnë jo që të fitojnë zgjedhjet, por më shumë të kërkojnë të mirën e përbashkët. Nganjëherë shikojmë që kërkojnë më shumë të mirën personale ose të mirën e partisë. E mira e përbashkët ka përparësi. Kur mungon ky angazhim për të mirën e përbashkët vuan populli. Populli ynë, i cili ka përjetuar shumë vuajtje në historinë e tij, meriton një situatë më të mirë, meriton që të ketë politikanë që kërkojnë të mirën e tyre. Flas në emër të të varfërve, kemi shumë të varfër”, tha ai.

Ai preku edhe çështjen e azilit nga të rinjtë shqiptarë, që sipas tij është varfëria më e madhe që po përjeton Shqipëria.

“Unë uroj që çdo vit që situata në Shqipërisë të jetë e tillë, që të mos nxisë të rinjtë tanë që të kërkojnë azil në vende të tjera. Le të krijojmë një Shqipëri më të mirë, më të drejtë, më vëllazërore. Ky duhet të jetë angazhimi ynë. Varfëria më e madhe që po përjeton Shqipëria është pikërisht kjo kur shohim shumë të rinj që ëndrra e tyre është vetëm që të shkojnë jashtë shtetit. Të vlerësojmë më shumë tiparet më të bukura që kemi si popull, gjëra shumë të mira, të bukura me të cilat populli ka stolisur këtë vend. Për këtë me të folur me të rinjtë u them: Mos ëndërroni të jeni jashtë shtetit, mos mendoni se jashtë shtetit do të gjeni një parajsën tokësore. Vlerësoni më mirë te krijoni atdheun tuaj, një vend më të mirë dhe më të bukur”, tha ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
10:27 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku një efektiv policie u vra dhe një tjetër mbeti...
09:53 | 04/06/2026

U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës

Efektivi i ‘Shqiponjave’ Edison Adri që mbeti i plagosur nga operacioni në Lozhan të Maliqit, është nisur për mjekim të specializuar drejt Spitalit të Traumës...
09:44 | 04/06/2026