Scholz premton mbështetje për hebrenjtë: S’do mbyllim sytë para akteve antisemitike

22 Tetor 2023 | 17:19

Kancelari gjerman Olaf Scholz, mori pjesë këtë të diel në një ceremoni në qytetin e Dessau-Rosslau, ku u rihap një sinagogë e sapondërtuar, e cila u shkatërrua 85 vjet më parë nga nazistët. Gjatë fjalës së tij, Scholz tha se “duhet të ketë zero tolerancë për antisemitizmin në Gjermani”.

Gjermania do të mbrojë jetën e hebrenjve, tha Scholz, duke shprehur tronditjen e tij për përhapjen e antisemitizmit, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Një sërë incidentesh antisemite janë regjistruar në Gjermani që nga nisja e sulmeve dhe fushatës hakmarrëse të bombardimeve nga ana e Izraelit.

Në disa prej banesave të hebrenjve që jetojnë në Berlin është stampuar Ylli i Davidit. Javën e kaluar u sulmua me molotovë dhe një sinagogë hebraike në qytet.

“Nuk duhet të mbyllen sytë kur hebrenjtë nuk janë të sigurt në rrugët e Gjermanisë, kur yjet e Davidit stampohen në shtëpitë e tyre, kur bombat e zjarrit hidhen në sinagoga”, tha Scholz.

Hapja e sinagogës në Dessau erdhi 85 vjet pasi ajo u shkatërrua më 9 nëntor 1938, kur turmat naziste ndërmorën një fushatë plaçkitjeje ndaj sinagogave dhe bizneseve në pronësi të hebrenjve në të gjithë Gjermaninë.

Ndërtesa e re është emëruar Sinagoga Weill sipas kompozitorit gjermano-amerikan Kurt Weill, babai i të cilit ishte kantor në komunitetin hebre të Dessau.

Aktet antisemitike janë rritur ndjeshëm në gjermani mes trazirave të fundit në Lindjen e Mesme, sipas Shoqatës Federale të Qendrave të Kërkimit dhe Informacionit mbi Antisemitizmin (RIAS).

Në periudhën nga 7 deri më 15 tetor, RIAS dokumentoi 202 “incidente” antisemite krahasuar me vetëm 59 gjatë së njëjtës periudhe të vitit 2022.

Sigmount Koenigsberg, një drejtues për antisemitizmin për komunitetin hebre të qytetit, i tha gazetës Rheinische Post të dielën se rritja e incidenteve anti-hebreje solli kujtime të dhimbshme të Gjermanisë naziste.

“Është hera e parë që nga sundimi nazist që kjo po ndodh përsëri në Gjermani. Kjo i kujton komunitetit tim shumë atë kohë të tmerrshme,” tha ai.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026