Çfarë dihet nga përplasja e trenave në Çeki, 4 të vdekur dhe mbi 20 të lënduar

6 Qershor 2024 | 11:56

Katër persona humbën jetën – në mesin e tyre dy ukrainas – dhe më shumë se 20 të tjerë u lënduan pasi një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash në Republikën Çeke, njoftuan autoritetet të enjten.

Ministri i Brendshëm, Vit Rakushan tha se përplasja ndodhi të mërkurën në mbrëmje pas orës 23:00, përgjatë korridorit kryesor hekurudhor nga Praga drejt lindjes.

Treni i udhëtarëve me shpejtësi të lartë i përkiste kompanisë private RegioJet.

Rakushan tha se asnjë nga të plagosurit nuk ishte në rrezik për jetë.

Operatori i trenit të pasagjerëve tha më vonë se 380 pasagjerë ishin në trenin i cili ishte rrugës për në qytetin sllovak Koshice.

Një pjesë e trenit më pas do të nisej për në qytezën Chop, në Ukrainë.

“Sipas informacioneve paraprake, katër persona humbën jetën. Mes tyre janë dy shtetas të Ukrainës. Shtetësia e të tjerëve që humbën jetën po sqarohet”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ministri i Transportit, Martin Kupka tha se rruga kryesore midis Pragës dhe pjesës lindore të vendit duhej të mbyllej ndërsa autoritetet hetonin përplasjen.

“Ne nuk mund dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit”, tha Kupka.

Policia tha më vonë se po hetonte një neglizhencë të mundshme.

Një postim i policisë çeke në llogarinë e saj në rrjetet sociale tregonte një kolonë automjetesh të shërbimit të urgjencës dhe një helikopter.

Kompania shtetërore e trenave, Hekurudhat Çeke tha se binarët mund të qëndrojnë të mbyllur për gjithë ditën “për shkak të shkallës së aksidentit”.

Ajo këshilloi pasagjerët që të shmangin përdorimin e itinerarit gjatë gjithë ditës.

Zjarrfikësit arritën të zbulojnë identitetin e të gjithë pasagjerëve dhe sipas tyre askush nuk mungonte.

Drejtuesit e të dy motorëve mbijetuan, tha agjencia çeke e lajmeve.

Pas aksidentit, shtatëmbëdhjetë persona u pranuan në departamentin e urgjencës të spitalit Pardubice.

Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të vdekurve.

Ndërkaq pronari i RegioJet, tha se kompania e tij ishte gati të kompensonte pasagjerët.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vritet me armë zjarri 50-vjeçari në Vorë (EMRI)

Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar pas mesnatës në fshatin Bërxullë, në Vorë, ku një 50-vjeçar ka mbetur i vrarë nga të shtënat me...
08:10 | 12/07/2026

Vrasja në Shkodër, flet i afërmi i viktimës: Konfliktin e dinë të gjithë, është ruajtur

Një i afërm i viktimës që u vra këtë të shtunë në Shkodër ka folur për mediat. Mark Koçeku ka deklaruar se viktima Aleksandër Koçeku kishte...
22:50 | 11/07/2026

Dy automjete përplasen në aksin Elbasan–Librazhd, një grua bllokohet në mjet

Dy automjete janë përplasur në aksin rrugor Elbasan–Librazhd, në afërsi të fshatit Mirakë. Aksidenti ka ndodhur në korsinë e Korridorit VIII, e cila ende nuk...
22:29 | 11/07/2026