Ukraina-Hungarisë se propozimet për paqe s’mund të bazohen në narrativat ruse
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i tha homologut të vet hungarez, Peter Szijjarto, se asnjë nismë për t’i dhënë fund luftës së Moskës në Ukrainë nuk duhet të bazohet në narrativat ruse.
Kuleba i bëri këto komente gjatë një takimi me Szijjarto të mërkurën në Uashington.
Takimi i tyre në margjinat e samitit të NATO-s vjen pasi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i vizitoi Kievin, Moskën dhe Pekinin, për bisedime të cilat ai i ka paraqitur si “mision i paqes”.
Lideri hungarez, i cili e kundërshton zëshëm furnizimin e Ukrainës me ndihma ushtarake, propozoi gjatë vizitës në Kiev që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ta shqyrtojë një armëpushim në luftën mbi dyvjeçare, për ta përshpejtuar procesin e paqes. Kjo u hodh poshtë menjëherë nga Ukraina.
Kuleba shkroi në rrjetin social X se gjatë bisedës e njoftoi Szijjarton për gjendjen në fushëbetejë dhe për përgatitjet për vazhdimin e një samiti për Ukrainën, që u mbajt në qershor në Zvicër.
“Në këtë kontekst, theksova se asnjë nismë për paqe nuk mund të bazohet në narrativat ruse”, tha ai.
Zyrtarët ukrainas e kanë hedhur poshtë idenë e armëpushimit, duke thënë se ai do të ndikonte në shtimin e sulmeve ruse më vonë. Ata thonë se nuk ka alternativë për kërkesën e Ukrainës për marrëveshje, që është tërheqja e trupave ruse nga territori i Ukrainës.
Duke iu përgjigjur iniciativës së Orbanit për armëpushim, presidenti Vladimir Putin përsëriti kërkesat e tij që Kievi të heqë dorë nga përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe t’i dorëzojë katër rajonet ukrainase të pushtuara pjesërisht nga Rusia. Kievi thotë se kjo do të ishte e barasvlershme me dorëzim.
Ukraina është duke punuar me aleatët e vet për ta përgatitur një plan më të gjerë për samitin e dytë, për të cilin shpreson se do të mbahet para përfundimit të këtij viti.
Përfaqësuesit e Rusisë, të cilët nuk u ftuan në samitin e Zvicrës, mund të ftohen për të marrë pjesë, sipas Kievit.
LEXONI GJITHASHTU:
Rusia sërish kundër Evropës, Zakharova: Vendet evropiane po pengojnë arritjen e paqes në Ukrainë
Rubio: Vendet e Gjirit kundër tarifave në Hormuz
Franca, Spanja dhe Holanda dërgojnë ekipe kërkim-shpëtimi në Venezuelë
- 15:51 Incident në Policinë e Shtetit, ish-drejtori i Policisë së Shkodrës pezullohet pasi u përplas me drejtuesen e Burimeve Njerëzore
- 15:50 Rusia sërish kundër Evropës, Zakharova: Vendet evropiane po pengojnë arritjen e paqes në Ukrainë
- 15:43 Rubio: Vendet e Gjirit kundër tarifave në Hormuz
- 15:36 Fermerët e Korçës thirrje qeverisë: Na ndihmoni të sigurojmë prodhimet
- 15:19 Gazetari shqiptar në SHBA tregon historinë e Goxhajt në luftën e Kosovës: Dokumenti t’i nënshtrohet ekspertizës
- 14:45 Rama shpall ‘non grata’ një nga protestueset nga Kosova, Ikballe Huduti