Kievi pa energji elektrike dhe ujë, Rusia kryen sulm masiv ajror në Ukrainë

26 Gusht 2024 | 13:05

Autoriteti shtetëror i energjisë i Ukrainës njoftoi se po aplikon ndërprerje emergjente të energjisë pas një sulmi masiv me dronë dhe raketa nga Rusia në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase më 26 gusht.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitçko, tha se furnizimi me ujë dhe energji elektrike në disa pjesë të kryeqytetit është ndërprerë, ndërsa Rusia nisi sulmin e saj në shkallë të gjerë gjatë orëve të para të mëngjesit.

Në një mesazh, zyra e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dënoi siç e quajti ai “dëshirën e Rusisë për të shkatërruar sektorin” ukrainas të energjisë dhe premtoi se kjo “do t’i kushtojë shumë Rusisë”, përfshirë infrastrukturën e saj.

Ndërkohë, shefi i stafit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, u bëri thirrje aleatëve të Kievit ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë armët, me të cilat e ka furnizuar Perëndimi për të kryer sulme me rreze të gjatë kundër Rusisë.

Yermak tha se kjo do të “përshpejtojë fundin e terrorit rus”.

Sipas zyrtarëve ukrainas, forcat ruse sulmuan disa qytete ukrainase, duke vrarë të paktën tre persona dhe plagosur disa të tjerë.

Një person u vra dhe një ndërtesë banimi u dëmtua në qytetin veriperëndimor të Lutskut, sipas kryetarit të qytetit, Ihor Polischuk.

Dy persona u vranë në rajonet Zaporizhja dhe Dnipropetrovsk, sipas autoriteteve lokale.

Në rajonin Poltava, pesë persona u plagosën pasi një objekt industrial u godit nga bombat.

Tre shpërthime u raportuan në rajonin e Vinitsia.

Më herët, 16 rajone në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev, ishin nën alarme të reja për sulme ajrore pas sulmeve me valë dronësh nga Rusia më 26 gusht.

Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës kishte paralajmëruar qytetarët që të mos injorojnë alarmin e sulmit ajror pasi kishte zbuluar ngritjen e 11 bombarduesve rusë Tu-95MS.

Komanda shtoi se kishte zbuluar lëvizje dronësh në disa rajone dhe në Kiev, ndërsa Marina e Ukrainës tha se në Detin e Zi gjendeshin katër anije ruse që mbanin deri në 28 raketa lundrimi Kalibr.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se 20 dronë ukrainas ishin shkatërruar gjatë natës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet

Të paktën 25 persona, përfshirë 12 oficerë policie, u plagosën gjatë përleshjeve midis studentëve dhe forcave të sigurisë në një protestë kundër politikave të kursimit...
08:27 | 04/06/2026

Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka bërë thirrje për një zgjerim eksponencial të arsenalit bërthamor të vendit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve...
08:22 | 04/06/2026

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026