Kisha Ortodokse Maqedonase mbështet Kishën Ortodokse Ukrainase, të ndaluar nga Kievi

12 Shtator 2024 | 22:42

Sinodi i Shenjtë i Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, gjatë një mbledhjeje më 12 shtator mbështeti Kishën Ortodokse Ukrainase, e cila u ndalua në gusht të këtij viti nga Parlamenti i Ukrainës.

Kjo çështje u diskutua në takimin e rregullt të Sinodit, kur edhe disa çështje të tjera të lidhura me kishën u trajtuan, sipas njoftimit të lëshuar nga Kisha.

“Sinodi i kushtoi vëmendje të veçantë situatës me Kishën simotër Ortodokse Ukrainase, e cila administrativisht u shpërbë nga Parlamenti ukrainas përmes projektligjit 8371. Kështu, miliona besimtarë, që e kanë ndjekur atë kishë, po privohen nga e drejta themelore e përkatësisë fetare, besimit dhe kryerjen e shërbesave fetare”, u tha në njoftimin e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit.

Kisha maqedonase tha po ashtu se “duke dëshmuar të vërtetën ungjillore, i shprehim mbështetje Kishës Ortodokse Ukrainase, mitropolitit të saj të Kievit dhe mbarë Ukrainës, zotit Onufrius, vëllezërve tanë peshkopë duke u lutur se Zoti t’u japë forcën e duhur për të kapërcyer këto sprova”.

Më 24 gusht presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, nënshkroi në ligj ndalimin e kishave ortodokse në Ukrainë, të lidhura me Rusinë, pasi paraprakisht projektligji ishte miratuar nga Parlamenti.

Në ligj thuhet se organizatat fetare që operojnë në territorin ukrainas nuk mund të kenë qendra administrative në Rusi, përfshirë në Kishën Ortodokse të Rusisë.

Kisha që njihet në Ukrainë është Kisha Ortodokse e Ukrainës.

Ukraina ka tentuar që ta distancojë vetën nga Kisha ruse që nga viti 2014, por përpjekjet e Kievit u intensifikuan pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.

Kisha Ortodokse Ukrainase zyrtarisht u nda nga Patrikana e Moskës më 2022, por autoritetet ukrainase vazhdimisht kanë akuzuar priftërinjtë se vazhdojnë të jenë besnikë ndaj Rusisë.

Pushtimi rus i Ukrainës mbështetet nga udhëheqësi i Kishës Ortodokse në Rusi, patriarku Kirill, aleat i presidentit rus, Vladimir Putin.

Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit u njoh në maj të vitit 2022, përmes një vendimi të Sinodit të Shenjtë të Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës, që udhëhiqet nga patriarku Bartolomeu. Më pas, Kisha Ortodokse Serbe e njohu autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, shkruan REL.

Që nga viti 1967, kur shpalli pavarësinë nga Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit ka qenë e izoluar ndërkombëtarisht dhe nuk është njohur nga bota ortodokse.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026