Biden takohet me Stramer, fokusi i bisedës Ukraina dhe “vija e kuqe” e Putinit

14 Shtator 2024 | 08:55

Presidenti Joe Biden shpërfilli një kërcënim nga udhëheqësi rus Vladimir Putin për luftë me Perëndimin nëse aleatët e Ukrainës lejojnë që ajo të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi në thellësi të Rusisë.

Është një kërkesë që Kievi po e bën me këmbëngulje, por megjithëse kjo çështje pritej të ishte një nga temat kryesore të një takimi të premten midis zotit Biden dhe kryeministrit të Britanisë Keith Starmer në Uashington, nuk pati njoftim për ndonjë vendim pas tij.

Ukraina dhe shumë prej mbështetësve të saj në SHBA dhe Evropë duan që zoti Biden të heqë kufizimet për armët me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Perëndimi dhe ka shenja që Presidenti Biden mund ta ndryshojë politikën e administratës në këtë drejtim.

Shtetet e Bashkuara, të shqetësuara për çdo hap që mund të përshkallëzojë konfliktin, janë treguar të matura më parë para se t’u përgjigjeshin kërkesave të Ukrainës për armë të caktuara, përfshirë tanke të avancuara, raketa dhe sisteme raketash dhe avionë luftarakë F-16.

Zyrtarët rusë kanë bërë kërcënime të ngjashme përpara atyre vendimeve të mëparshme. Ukraina ishte temë kryesore për zotin Biden dhe kryeministrin britanik Starmer pas vizitës këtë javë në Kiev nga kryediplomatët e tyre.

Deri tani, SHBA e ka lejuar Ukrainën të përdorë armë të dërguara nga Amerika vetëm në një zonë të kufizuar brenda kufirit të Rusisë me Ukrainën.

Zoti Starmer tha se bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë kur udhëheqësit globalë të mblidhen për mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë muaj.

“Ukraina ka të drejtën për vetëmbrojtje dhe ne jemi të bashkuar”, u tha ai gazetarëve pas takimit në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Putin tha një ditë më parë se autorizimi i sulmeve me rreze të gjatë veprimi “do të thotë se vendet e NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, janë në luftë me Rusinë”.

Duke folur me gazetarët para bisedimeve me zotin Starmer, Presidenti Biden tha se donte ta bënte të qartë se Presidenti Putin nuk do ta fitojë luftën.

I pyetur se çfarë mendonte për kërcënimet e presidentit rus, zoti Biden u përgjigj: “Nuk mendoj shumë për Vladimir Putinin”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u ka bërë trysni udhëheqësve ushtarakë amerikanë dhe aleatëve që të shkojnë shumë më tej. Ai argumenton se Shtetet e Bashkuara duhet t’i lejojnë Ukrainës të godasë bazat ajrore ruse nga ku fillohen sulmet pranë kufirit, pasi Rusia ka shtuar sulmet ndaj rrjetit energjitik të Ukrainës dhe shërbimeve, ndërsa po afron stina e dimrit.”

Gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të vendeve aleate javën e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se nuk besonte se furnizimi i Ukrainës me sisteme të armëve me rreze të gjatë veprimi do të arrinte një ndryshim domethënës në këtë luftë të zgjatur. Ai vuri në dukje se Ukraina tashmë ka qenë në gjendje të godasë brenda Rusisë me sistemet e prodhuara vetë brenda vendit, përfshirë dronët.

“Nuk besoj se një aftësi e caktuar do të jetë vendimtare, dhe unë i qëndroj këtij komenti”, tha Sekretari Austin.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

250-vjetori i SHBA-së, Trump shpall 16 ditë festime: Amerika është kthyer

Presidenti Donald Trump hapi një festë 16-ditore të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara me një tubim politik të mërkurën, fillimi i festimeve të formësuara nga...
10:51 | 25/06/2026

Presidenti zviceran do të vizitojë SHBA-në, kërkon marrëveshje tregtare mbi taksat e Trump

Presidenti zviceran, Guy Parmelin do të vizitojë Shtetet e Bashkuara dhe do të takohet me Përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së Jamieson Greer javën e ardhshme,...
10:43 | 25/06/2026

Rubio viziton Bahreinin duke kërkuar mbështetjen e Gjirit për marrëveshjen me Iranin 

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio do të takohet me zyrtarë të Bahreinit të enjten në pjesën e fundit të një udhëtimi në Lindjen...
10:35 | 25/06/2026