Lidhjet e partive serbe me partinë e ekstremit të djathtë në Austri
Internacionale e djathtë globale.
Kështu i përshkruan Vedran Xhihiç, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës, lidhjet e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe të Aleancës së Social-demokratëve të Pavarur (SNSD) të presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me Partinë e Lirisë në Austri (FPO) të ekstremit të djathtë.
Kjo e fundit, e njohur për islamofobi dhe politika kundër imigrantëve, fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare në Austri, të mbajtura më 29 shtator.
Megjithatë, me 29 për qind të votave të fituara, partia e udhëhequr nga Herbert Kickl nuk do të mund ta formojë qeverinë e vetme.
Delegacioni i FPO-së në vizitë në Serbi
Disa javë para zgjedhjeve, një delegacion i FPO-së – parti e themeluar në mesin e viteve 1950 nga nacional-socialistët e atëhershëm – u prit në Beograd nga zyrtarë të lartë serbë.
Zyrtarët austriakë, të udhëhequr nga eurodeputeti Harald Vilimsky, u takuan më 4 shtator me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Presidenca e Serbisë nuk nxori ndonjë njoftim pas takimit, ndërsa Vilimsky postoi një fotografi në profilin e tij në Instagram, ku shihet duke shtrënguar duart me Vuçiçin.
Poshtë fotografisë shkruan se “kishte shkëmbim të shkëlqyeshëm të ideve”.
“Serbët nuk janë vetëm një pjesë shumë e vlefshme e familjes evropiane të kombeve, por edhe miqtë tanë të vërtetë dhe shpresojmë, së shpejti, motor i aleancës evropiane të reformave”, tha Vilimsky.
Në të njëjtën ditë, ai u takua edhe me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, e cila, ashtu si edhe Vuçiç, mbështet Partinë Përparimtare Serbe që mban pushtetin në Serbi.
Bërnabiç tha pas takimit se delegacioni i FPO-së “shprehu dëshirë për thellimin e bashkëpunimit me Serbinë” dhe “pritshmëri për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore me vendin tonë”.
Duke i marrë për shkas këto takime, Radio Evropa e Lirë pyeti Presidencën serbe dhe kabinetin e Bërnabiçit se ku do të bazohet bashkëpunimi me FPO-në dhe nëse përfaqësuesit e Serbisë shohin ndonjë problem në faktin se partia austriake pozicionohet në spektrin ekstrem të djathtë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Vilimsky tha në një intervistë për gazetën serbe “Veçernje Novosti” se me Vuçiçin ka biseduar për atë se “si mund të bashkohen”.
“Të krijojmë një aleancë për t’i ndalur sulmet e politikanëve të spektrit të majtë ndaj Serbisë dhe Hungarisë dhe për t’i thelluar marrëdhëniet që po i kultivojmë tani”, tha ai.
Xhihiç thotë se bashkëpunimi i SNS-së dhe SNSD-së me Partinë e Lirisë daton që nga vitet e mëparshme dhe shton se afërsia ideologjike e këtyre partive mund të bazohet në disa pika qendrore.
Një prej tyre, sipas tij, është vëzhgimi shumë konservator i kombit si një komunitet i lidhur me gjak dhe i kërcënuar nga “elitat globale, demokracia liberale dhe multikulturalizmi”.
“Pra, kemi zhvillimin e një internacionaleje të djathtë globale, siç ishte internacionalja socialiste dikur, e cila lidhet nga Amerika përmes Evropës në Rusi e kështu me radhë”, thotë Xhihiç.
Sipas tij, presidenti i Serbisë, Vuçiç, e kupton se erërat politike në Evropë janë duke fryrë gjithnjë e më shumë nga e djathta.
“Synimi i tij përfundimtar është – siç e shohim tashmë dhe e dimë nga praktika politike serbe – të qëndrojë në pushtet sa më gjatë që është e mundur, ta zvogëlojë sasinë e kritikave nga Perëndimi, të mbulojë apo kamuflojë gjithçka që ndodh në Serbi në lidhje me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve, interesat ekonomike. Dhe, për këtë, ai kërkon dhe ka nevojë për aleatë”, thotë Xhihiç.
Marrëdhëniet me Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin, janë gjithashtu diçka që ndajnë SNS-ja, SNSD-ja dhe FPO-ja, sipas tij.
“Edhe Partia e Lirisë e Austrisë, në një kohë, ka pasur marrëveshje të veçantë për bashkëpunim me partinë e Putinit në Rusi. Kështu që liderët e Partisë së Lirisë, në mesin e tyre edhe Herbert Kickl, kanë vizituar Moskën”, thotë Xhihiç.
Ai shton se Kremlini, nga ana tjetër, e mbështet të djathtën evropiane përmes fushatës së tij të dezinformimit.
Lidhja serbe
Përkrahja e Partisë së Lirisë për Serbinë, sa i përket çështjes së Kosovës, nuk është befasi, marrë parasysh se diaspora serbe në Austri përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të elektoratit të FPO-së, për të cilën ka shkruar edhe gazeta britanike “Economist”.
Sipas Xhihiçit, ky është një aspekt ku shohin interes edhe zyrtarët e FPO-së.
“Prej vitesh, kemi grupe aktive të qytetarëve nga Serbia, nga Republika Sërpska, të cilët janë aktivë në Partinë e Lirisë, të cilët i promovojnë ato vlera dhe përpiqen të mbledhin sa më shumë vota nga serbët në Austri, pasi një numër i madh i tyre posedon shtetësi austriake dhe mund të votojë”, thotë Xhihiç.
Një lidhje e rëndësishme mes partisë së djathtë austriake dhe skenës politike serbe është edhe Konstantin Dobrilloviç.
Dobrilloviç ishte në listën e FPO-së në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, në mes të këtij viti.
Në një intervistë për Euronews-in në prag të zgjedhjeve për PE-në, Dobrilloviç tha se ai përfaqëson të ashtuquajturin patriotizëm të shëndetshëm, i cili është shtyllë e politikës së FPO-së, si dhe “kthimin e çdo shteti anëtar të BE-së, para së gjithash, kah nevojat e qytetarëve të vet”.
Siç mund të shihet edhe në fotografi, ai ishte në mesin e të pranishmëve në takimet e delegacionit të FPO-së në Beograd, në muajin shtator.
Por, ky nuk ishte takimi i vetëm i Dobrilloviçit me zyrtarët lokalë serbë në gjashtë vjetët e fundit.
Në shkurt të vitit 2018, ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa me kryeministrin aktual të Serbisë dhe kryetarin e SNS-së, Millosh Vuçeviç, u takua në mars të vitit 2024, kur Vuçeviç ishte në postin e ministrit të Mbrojtjes.
“Një bisedë përmbajtjesore me Konstantin Dobrilloviçin, kandidatin e Partisë së Lirisë së Austrisë në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian”, shkroi Vuçeviç në Instagram pas atij takimi.
REL-i e kontaktoi Dobrilloviçin përmes Instagramit, për ta pyetur për kontaktet që ka me politikanët në Serbi, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk u përgjigj.
Rama për median ndërkombëtare: Shqipëria nën sulm nga armiqtë dhe në luftë hibride
Dita e katër e protestës kundër projektit në Zvërnec, përplasje mes policisë dhe protestuesve
Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Mbyllet protesta! Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 22:21 Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari
- 22:17 Maran e nis me humbje, Izraeli mposht Shqipërinë në miqësoren me tensione