Llogaria anonime në X që po nxit narrativë kundër imigracionit në Evropë

17 Dhjetor 2024 | 08:05

Njëra nga llogaritë me më ndikim në X që shtyn përpara dezinformata për imigracionin në Evropë, ka sajuar persona dhe kompani të rrejshme për ta mbuluar veprimtarinë e vet, e cila nxitet kryesisht nga përfitimet financiare, ka gjetur një hulumtim i Radios Evropa e Lirë (REL).

Llogaria anonime Europe Invasion mori miliarda shikime duke e shfrytëzuar një algoritëm i cili e prioritizon përfshirjen para të vërtetës – si dhe e ndryshoi emrin rishtazi pasi u kontraktua nga REL-i. Rritja e kësaj llogarie përkrah llogarive të ngjashme në X ka ndodhur në një kohë të sukseseve të fryra zgjedhore të partive të së djathtës ekstreme në Evropë.

Hulumtimi i REL-it – në të cilin bëhen të ditur për herë të parë emrat e njerëzve të lidhur drejtpërdrejt me Europe Invasion – i vë në pah motivet dhe prejardhjen shpesh të errët të dezinformimit online, për të cilin ekspertët thonë se përdoret për ta mashtruar publikun, për të nxitur përçarje shoqërore dhe për t’i prishur proceset demokratike.

Me përmbajte të vazhdueshme që paraqet myslimanët dhe imigrantët afrikanë si të rrezikshëm për shoqërinë, kjo llogari i grumbulloi mbi 600.000 ndjekës, para se ta ndryshonte emrin në “Update NEWS” në fund të nëntorit.

Në tetor, Europe Invasion u mburr se kishte arritur 1.1 miliard shikime gjatë tre muajve të fundit.

REL-i zbuloi se një çift turk që jeton në Dubai – Mert dhe Belgin Kok – është i lidhur drejtpërdrejt me llogarinë Europe Invasion, megjithëse cifti e mohon përfshirjen.

Në shtator, transmetuesi publik suedez, SVT, e lidhi Europe Invasion me këtë çift, i cili pretendoi se pas llogarisë qëndronte një agjenci e jashtme reklamuese. SVT-ja nuk i publikoi emrat e tyre.

Pak më vonë, Europe Invasion deklaroi publikisht se “pronari” i saj është “një malazez me origjinë serbe” me emrin “Stefan,” i cili dëshiron “ta bëjë Evropën të madhe përsëri.”

Pastaj, në fillim të tetorit, Europe Invasion e bëri një postim – i cili është fshirë – me një fotografi të një burri që supozohej të ishte “Stefani”.

REL-i e përdori softuerin për njohje të fytyrës nga burime të hapura për ta identifikuar burrin në fotografi, i cili është një shtetas turk që e njeh Mert Koku. Ai tha se fotografia e tij ishte përdorur pa dijeninë e tij. Ai e mohoi çdo përfshirje në Europe Invasion.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona

Katër persona humbën jetën të enjten pas një aksidenti të një aeroplani të vogël pranë qytetit Medulin në Istria, në bregdetin e Kroacisë. “Sipas informacionit që...
14:50 | 04/06/2026

11 raste në një javë, disa avionë rusë janë interceptuar në Baltik

Avionët luftarakë francezë u ngritën 11 herë gjatë javës së kaluar si pjesë e Misionit të Patrullimit Ajror Baltik të NATO-s, tha të enjten zëdhënësi...
14:27 | 04/06/2026

11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra të vizave nga BE për qytetarët rusë

Njëmbëdhjetë shtete anëtare të BE-së i kanë kërkuar Komisionit Evropian të vendosë kufizime më të rrepta dhe detyruese për vizat Shengen për qytetarët rusë, duke...
14:22 | 04/06/2026