Investigimi: AfD po punëson neonazistët, takimi i fshehtë në Zvicër
Një hetim i ri i organizatës gjermane të medias investiguese, Correctiv, ka zbuluar se deputetë të partisë nacionaliste gjermane, Alternativa për Gjermaninë (AfD), kanë pasur takime të tjera me grupe neonaziste. Sipas raportit, takimi i fundit, i cili ndodhi në Zvicër, nuk ka qenë i pari i këtij lloji. Një vit më parë, një ngjarje e tillë u zhvillua në Potsdam. Jean Peters, një nga gazetarët e Correctiv, i tha ARD-së se një gazetar i infiltruar nga organizata e tij mori pjesë në këtë takim: “Ne infiltruam një gazetar në një takim midis deputetit të Bundestagut, Roger Beckamp, dhe deputetes së parlamentit të Brandenburgut, Lena Kotré.”
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe anëtarë të organizatës neonaziste Blood and Honor, e cila është e ndaluar në Gjermani. Takimi u zhvillua me ftesë të grupit neo-nazist zviceran Junge Tat (Vepër e re), të dyja organizatat janë nën mbikëqyrje nga autoritetet në Gjermani dhe Zvicër për aktivitetet e tyre të dhunshme.
Ky investigim thekson edhe një herë lidhjet e thella midis AfD dhe grupeve neo-naziste, duke ndihmuar në përhapjen e ideve ekstremiste. Sipas raportit të Correctiv, deputetja Kotré ka propozuar përdorimin e ADN-së dhe analizave gjuhësore për të përcaktuar origjinën e refugjatëve dhe për t’i deportuar ata. Ajo ka sugjeruar gjithashtu heqjen e shtetësisë gjermane për ata shtetas që shkelin ligjet.
Tobias Ginsburg, gazetari i Correctiv që mori pjesë në takimin e fshehtë, ka vënë re se këto pikëpamje ekstremiste, dikur të kufizuara në grupet neonaziste, tani po bëhen gjithnjë e më të pranuara dhe po kalojnë në qendrën e shoqërisë, me ndihmën e AfD-së. “Nuk është më pyetja nëse AfD është një parti e djathtë ekstreme, por nëse ajo dallon nga një skenë e mirëfilltë neonaziste,” tha Ginsburg.
Ginsburg gjithashtu raportoi se deputeti Beckamp u ka ofruar mundësi punësimi neonazistëve në zyrat e AfD-së në Bundestag. Kjo mundësi, sipas tij, do t’u siguronte financa për të mbështetur aktivitete politike që shërbejnë për qëllimet e partisë.
Deri më tani, AfD ka refuzuar të komentojë mbi këto akuza dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje ndaj pyetjeve të dërguara nga ARD për raportin e Correctiv dhe pasojat e mundshme për deputetët e përfshirë.
BE ndihmë shtesë prej 100 milionë eurosh për ushtrinë libaneze
“Jo më udhëtime luksoze teksa ukrainasit po vdesin”, 11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra për vizat ruse
Bitcoin bie në nivelin më të ulët që nga shkurti, rritet pasiguria në tregjet e kriptomonedhave
- 17:27 BE ndihmë shtesë prej 100 milionë eurosh për ushtrinë libaneze
- 17:24 “Jo më udhëtime luksoze teksa ukrainasit po vdesin”, 11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra për vizat ruse
- 17:21 Bitcoin bie në nivelin më të ulët që nga shkurti, rritet pasiguria në tregjet e kriptomonedhave
- 17:19 Planifikoi atentatin ndaj Ines Hajrullas, GJKKO dënon 11 vite burg Erio Zejnon
- 17:16 Presidenti i Lituanisë vizitë në Tiranë, pritet në Kryeministri nga Rama
- 17:16 25 mijë vende të reja pune nga investimi i Amazon në Evropë