Shtëpia e Bardhë konfirmon sanksionet ndaj prokurorit të GJNP-së për krimet e luftës

11 Shkurt 2025 | 07:31

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Karim Khan është personi i parë që goditet nga sanksione ekonomike dhe udhëtimi të autorizuara nga Presidenti amerikan Donald Trump, që kanë në qendër gjykatën e krimeve të luftës, për shkak të hetimeve ndaj qytetarëve të SHBA-së ose të aleatëve të tyre si Izraeli.

Emri i zotit Khan, një qytetar britanik, ishte përfshirë të hënën në një shtojcë të një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga zoti Trump javën e kaluar. Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi të premten se zoti Khan po sanksionohej nga Uashingtoni.

Sanksionet, të cilat janë të ngjashme me veprimet që zoti Trump ndërmori gjatë mandatit të tij të parë, përfshijnë ngrirjen e pronave në Shtetet e Bashkuara dhe ndalimin e hyrjes në SHBA të personave të përfshirë dhe familjeve të tyre.

GJNP-ja denoncoi të premten sanksionet, duke u zotuar se do të qëndrojë në krah të personelit të saj dhe do “të vazhdojë të japë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshme të mizorive në të gjithë botën”. Zyrtarët e gjykatës u takuan në Hagë të premten për të diskutuar mbi pasojat e sanksioneve.

Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila u hap në vitin 2002, ka juridiksion ndërkombëtar për të ndjekur penalisht gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në vendet anëtare ose nëse një situatë referohet tek ajo nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Sipas një marrëveshjeje midis Kombeve të Bashkuara dhe Uashingtonit, zoti Khan duhet të jetë në gjendje të udhëtojë rregullisht në Nju Jork për të informuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së për rastet që ky organizëm ka paraqitur para gjykatës në Hagë.

Këshilli i Sigurimit i ka referuar GJNP-së raste për gjendjen në Libi dhe rajonin e Darfurit në Sudan.

“Ne besojmë se çdo kufizim kundër individëve të caktuar do të zbatohet në përputhje me detyrimet e vendit pritës sipas marrëveshjes së OKB-së,” tha të premten zëvendës zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haç.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026