Shkelën vullnetin e votuesve, mbyllen katër qendra ilegale për punë sociale në veri
Policia e Kosovës i ka mbyllur të premten objektet e Qendrës për punë sociale në Mitrovicën e Veriut – të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb – për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Policia ka thënë përmes një njoftimi se është duke kontrolluar objektet e kësaj Qendre në tri komuna me shumicë serbe në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – pasi ka dyshime për “veprime të kundërligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë aksion nuk është arrestuar askush dhe se është duke u zhvilluar një intervistë informative me drejtorin përgjegjës të Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan.
“Dyshohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, ka thënë Elshani.
Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.
Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt dhe sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti fitoi më së shumti vota, ndërsa në mesin e komunitetit serb, Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, fitoi bindshëm.
Më 21 shkurt, Lista Serbe ka reaguar ndaj bastisjeve në Qendrat e punës sociale në disa komuna në veri të Kosovës, duke pretenduar se kryeministri Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.
“Lista Serbe e dënon ashpër këtë veprimtari të paligjshme dhe antiserbe të falangës së Kurtit dhe dërgon mesazh se asnjë nga të punësuarit apo shfrytëzuesit e përfitimeve sociale nuk do të mbetet pa të drejtat e veta dhe se sot kryesia e partisë sonë do të takohet me të punësuarit dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen e mundshme”, thuhet në komunikatë.
Partia më e madhe serbe e Kosovës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë “lëvizjet në rritje që rrezikojnë në mënyrë drastike jetën e mijëra përfituesve të mirëqenies sociale”.
Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë dhe prindër e të ngjashme.
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se puna e tyre është e paligjshme, por Beogradi zyrtar ka vazhduar t’iu japë paga./REL
LEXONI GJITHASHTU:
Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
Vritet një polic gjatë një operacioni në Maliq, plagoset një tjetër
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 08:35 Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan
- 08:27 Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet