Lukashenko betohet për mandatin e shtatë

25 Mars 2025 | 14:23

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, u betua të martën për mandatin e tij të shtatë si president, por organizatat për të drejtat e njeriut e cilësuan sundimin e tij si “antikushtetues”.

Lukashenko fitoi mbi 86 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të 26 janarit, të cilat u dënuan gjerësisht nga vendet perëndimore si një farsë.

“Ato u zhvilluan në kushtet e një krize të thellë të të drejtave të njeriut, në një atmosferë frike totale të shkaktuar nga shtypja e shoqërisë civile, mediave të pavarura, opozitës dhe të gjithë kundërshtarëve”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të dhjetë organizatave bjelloruse për të drejtat e njeriut të martën.

Lukashenko u betua gjatë një ceremonie në kryeqytetin Minsk.

Po atë ditë, qindra mbështetës të opozitës demokratike bjelloruse organizuan protesta në vende të ndryshme të Evropës, përfshirë në Lituani, Poloni dhe Republikën Çeke, për të shënuar Ditën e Lirisë së Bjellorusisë.

Më 25 marsi shënohet përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Bjellorusisë në vitin 1918 dhe tradicionalisht festohet nga opozita bjelloruse, shumë prej anëtarëve të së cilës janë detyruar të ikin jashtë vendit, ose janë burgosur nga regjimi i Lukashenkos.

Në zgjedhjet presidenciale të janarit, në të cilat nuk u lejua prania e mediave ndërkombëtare dhe vëzhguesve perëndimorë, Lukashenko garoi kundër katër kandidatëve të tjerë, të cilët të gjithë mbështetën qeverinë dhe politikat e tij.

Lukashenko, që ka mbi tre dekada në pushtet, hodhi poshtë çdo kritikë ndaj zgjedhjeve, ashtu si edhe Rusia, aleati më i ngushtë i Minskut.

Në vitin 2020, pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale që i dhanë Lukashenkos një mandat tjetër, shpërthyen protesta masive, të cilat u shtypën me dhunë nga regjimi.

Zgjedhjet u dënuan gjerësisht si të manipuluara nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.

Protestuesit, të cilat kërkonin dorëheqjen e Lukashenkos, u përballën me arrestime masive, tortura të pretenduara dhe shtypje të dhunshme, që shkaktoi vdekjen e disa personave.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

11 raste në një javë, disa avionë rusë janë interceptuar në Baltik

Avionët luftarakë francezë u ngritën 11 herë gjatë javës së kaluar si pjesë e Misionit të Patrullimit Ajror Baltik të NATO-s, tha të enjten zëdhënësi...
14:27 | 04/06/2026

11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra të vizave nga BE për qytetarët rusë

Njëmbëdhjetë shtete anëtare të BE-së i kanë kërkuar Komisionit Evropian të vendosë kufizime më të rrepta dhe detyruese për vizat Shengen për qytetarët rusë, duke...
14:22 | 04/06/2026

Samiti BE-Ballkani Perëndimor më 5 qershor, zbardhen pikat kryesore të agjendës

Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Tivat të Malit të Zi më 5 qershor. Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas samitit...
13:34 | 04/06/2026