Vuçiç bisedon me sekretarin e Jashtëm britanik për Kosovën dhe situatën në Bosnje

2 Prill 2025 | 22:10

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, tha të mërkurën në Beograd se ka biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në lidhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe veprimet antikushtetuese të Millorad Dodikut, presidentit të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Duke folur pas takimit me Vuçiçin në kryeqytetin serb, Lammy tha se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i sigurt, është i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar dhe se Serbia luan rol themelor në garantimin e këtij stabiliteti.

Vuçiq tha se kur është fjala për çështjen e Kosovës, ai dhe Lammy janë pajtuar se dialogu është i një rëndësie kyçe.

Lammy po qëndron në Beograd pas vizitës në Prishtinë në dy ditët e fundit, ku u takua me liderët e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, kryediplomati britanik theksoi se vendi i tij dëshiron “normalizim të qëndrueshëm e paqësor” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të angazhohen me plot energji në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Vizita e Lammy në vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ka për qëllim kyç forcimin e bashkëpunimit në luftimin e imigracionit të parregullt dhe krimit të rëndë të organizuar.

Gjendja në Bosnje

Lammy tha se me Vuçiçin foli edhe për gjendjen e tanishme në Bosnje e Hercegovinë dhe për veprimet e presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

“Ne filluam të flasim për atë që më shqetëson mua, veprimet antikushtetuese të presidentit Dodik”, tha Lammy pas takimit.

Megjithatë, Vuçiq deklaroi se nuk pajtohet me mendimin e Lammy mbi situatën në Bosnje e Hercegovinë.

“Nuk mund të pajtohem që veprimet antikushtetuese të Millorad Dodik janë fajtori apo fajtori i vetëm për situatën në Bosnje e Hercegovinë”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se Serbia gjithmonë do ta respektojë Marrëveshjen e Dejtonit, dhe në përputhje me të edhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës.

“Ne nuk duam asnjë konflikt”, tha Vuçiç.

Gjykata e Bosnje e Hercegovinës kërkoi më 27 mars fletarrestime ndërkombëtare, përmes INTEPOL-it, për Dodikun dhe Nenad Stevandiçin, kryetarin e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska.

Kërkesa për fletarrestime ndërkombëtare u bë pasi ata nuk i ishin përgjigjur thirrjes nga Prokuroria e Përgjithshme e Bosnjës nën dyshimin se kanë shkelur rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës.

Por të mërkurën, Dodik tha se është njoftuar nga Vuçiqi se INTERPOL-i nuk e ka pranuar kërkesën e gjykatës së Bosnjës për të lëshuar fletarrestime ndërkombëtare kundër tij dhe Stevandiqit.

Vuçiçi nuk ka folur për këtë në konferencën për media me Lammy të mërkurën.

Në takimin mes Lammy dhe Vuçiçit morën pjesë ministrat në detyrë të Serbisë, Sinisha Mali, Marko Gjuriç dhe Ivica Daçiç. Pas takimit, palët nënshkruan tri memorandume mirëkuptimi.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Balla jep detajet e marrëveshjes 302 milionë dollarë me SHBA-në: Si do të disbursohet financimi për Forcat e Armatosura

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar historike marrëveshjen që Kuvendi pritet të ratifikojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës...
10:44 | 27/07/2026

Përplasjet me policinë te Parlamenti, Gjykata vendos lirimin e dy protestuesve

Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e dy protestuesve të arrestuar të enjten gjatë përplasjeve me policinë pranë Parlamentit. Sipas vendimit të gjykatës, u miratua...
10:42 | 27/07/2026

Policia shoqëron aktivistin Arben Kola dhe një protestues tjetër gjatë tubimit në Tiranë (VIDEO)

Forca të shumta policie kanë shoqëruar aktivistin Arben Kola dhe një protestues tjetër në zonën pranë Rrugës së Elbasanit, ku qytetarët dhe aktivistët vijojnë protestën...
10:11 | 27/07/2026