Miratohet rritja e çmimit të energjisë në Kosovë, qytetarët dalin në protestë
Një numër qytetarësh kanë filluar një protestë në Prishtinë kundër shtrenjtimit të rrymës të premten, pak orë pasi rregullatori i energjisë miratoi kërkesat e operatorëve energjetikë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Derisa bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) nuk tregoi në mbledhjen e së premtes se për sa për qind do të rritet çmimi i rrymës, Radio Evropa e Lirë mëson nga burime të brendshme se rritja do të jetë deri në 16 për qind.
Njëri nga organizatorët e protestës nga grupi “Asnjë cent më shumë”, tha se bordi i ZRRE-së i ka shpërfillur kërkesat e qytetarëve dhe paralajmëroi vazhdimin e protestave.
“Thirrja jonë e përbashkët sot u shkoi në vesh të shurdhër zyrtarëve të ZRRE-së: Asnjë cent më shumë. Sot në mënyrë arbitrare, në mënyrë jolegjitime dhe në mënyrë të njëanshme, bordi i rregullatorit mori vendim pa i pyetur dhe pa i marrë parasysh komentet e qytetarëve. Ata nuk e përfaqësojnë popullin”, tha ai.
Protesta nisi në mesditë në sheshin Zahir Pajaziti në qendër të qytetit dhe vazhdoi te zyra e rregullatorit të energjisë në lagjen Pejton.
Organizatorët paralajmëruan se do të dorëzojnë padi ndaj vendimit të ZRRE-së më 14 prill në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Kjo është protesta e dytë kundër shtrenjtimit të rrymës në vend, pas asaj më 5 prill.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.
Bordi i ZRRE-së i miratoi kërkesat e tyre në mbledhjen e së premtes, dhe tha se do të njoftojë për përqindjen e rritjes së çmimit të rrymës në ditët në vijim. Më herët, ZRRE-ja njoftoi se tarifat e reja do të hynin në fuqi më 1 maj.
Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.
LEXONI GJITHASHTU:
Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
- 12:55 Shpërthim tritoli në derën e një dyqani në Laç, panik te qytetarët
- 12:48 “Të bashkuar në dhimbje, të bashkuar në detyrë”, mesazhi i shpërndarë nga punonjësit e policisë për kolegun e vrarë
- 12:37 Vuçiç konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor
- 12:13 Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura
- 12:12 SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur
- 12:10 Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje