Turku Ozbek kërkesë nga burgu Komitetit të Helsinkit: S’më lënë të flas me familjen

11 Prill 2025 | 17:32

Turku Nihat Ozbek, i cili u arrestua në Rinas nën dyshime si drejtues i një organizate të trafikut të heroinës, i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë dhe Komitetit të Helsinkit, ku kërkon verifikimin e kushteve të ambienteve të paraburgimit ku po mbahet i izoluar.

“Gjatë kohës që jam në paraburgim, më mbajnë të izoluar në sektorin “Kaush”, pa pasur mundësi komunikimi me askënd, duke më bërë presion. Ndihem në një gjendje të rënduar psikologjike për shkak të kësaj situate”, shprehet ai.

Ai është i izoluar në “Burgun 313” në Tiranë dhe në kërkesën drejtuar këtyre institucioneve, është shprehur se po i shkelen të drejtat themelore në qeli.

“Që nga momenti që jam vendosur në këtë institucion, jam trajtuar në mënyrë të diskriminuar. Nuk mund të komunikoj me familjen time përmes telefonit apo Skype-it, nuk më lejohet të marr ushqim nga jashtë, as të kem takime me familjen time. Kam gruan e sëmurë dhe dy fëmijë me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, para një jave më ka ndërruar jetë babai dhe nuk më lejuan të jap lamtumirën e fundit”, shkruan ai.

57-vjeçaeri Nihat Ozbek u arrestua më 23 nëntor 2024 në Rinas pasi kërkohej nga Gjermania, ku ka dalë në Aplikacionin Sky ECC si i dyshuar në trafik droge.

Tiranë, më 11.04.2025 KËRKESË-ANKESË

Kërkues:
Nihat Ozbek, i biri i Zeki dhe Emine, i datëlindjes 14.11.1967, lindur dhe banues në Turqi, aktualisht pranë I.E.V.P “313, Jordan Misja, Tiranë, me shtetësi turke, me adresë njoftimi: Rr. Haxhi Hysen Dalliu, P.Nordin, Zyra Nr. 8, Tiranë.

Drejtuar:

  • Ministrisë së Drejtësisë
  • Komitetit të Helsinkit

Lënda:
Kërkesë për ndërhyrje lidhur me trajtimin e shtetasit turk Nihat Ozbek, aktualisht i paraburgosur në I.E.V.P “313, Jordan Misja, Tiranë”.

Baza Ligjore:

  • Neni 27 dhe 28 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë
  • Neni 3 dhe 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
  • Ligji nr. 8328/1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar

Të nderuar,

Unë, i nënshkruari Nihat Ozbek, ndodhem aktualisht në paraburgim në Shqipëri në kuadër të një procedure ekstradimi drejt Gjermanisë.

Po ju drejtohem me këtë kërkesë për të denoncuar shkeljen e të drejtave të mia themelore që po më bëhen dhe për të kërkuar ndërhyrjen tuaj.

Që nga momenti që jam vendosur në këtë institucion, jam trajtuar në mënyrë të diskriminuar. Nuk mund të komunikoj me familjen time përmes telefonit ose Skype-it, nuk më lejohet të marrë ushqim nga jashtë, as të kem takime me familjen time. Kam gruan e sëmurë dhe dy fëmijë me aftësi të kufizuara.

Gjithashtu, para një jave më ka ndërruar jetë babai, dhe nuk më lejuan të jap lamtumirën e fundit.

Gjatë kohës që jam në paraburgim, më mbajnë të izoluar në sektorin “Kaush”, pa pasur mundësi komunikimi me askënd, duke më bërë presion. Ndihem në një gjendje të rënduar psikologjike për shkak të kësaj situate.

Ky kufizim ekstrem, pa një vendim gjyqësor të arsyetuar, përbën një cenim të rëndë të të drejtës për kontakt me familjen, si dhe një formë trajtimi çnjerëzor dhe degradues në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me Ligjin nr. 8328/1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare mbi trajtimin e të ndaluarve dhe të paraburgosurve.

Kjo situatë është shqetësuese, pasi kufizimi nuk lidhet me ndonjë rrezik real për sigurinë ose për prishjen e provave, por duket se ka natyrë ndëshkuese dhe diskriminuese për shkak të shtetësisë sime dhe rrethanave të veçanta të çështjes.

Për sa më sipër kërkoj:

  1. Verifikimin e kushteve aktuale të paraburgimit për shtetasin turk Nihat Ozbek.
  2. Marrjen e masave për garantimin e të drejtës së tij për komunikim me familjen.
  3. Ndërprerjen e menjëhershme të masës së izolimit, përderisa ajo nuk është e mbështetur në ndonjë vendim ligjor të arsyetuar.

Në pritje të një reagimi institucional dhe human, ju falënderoj për vëmendjen.

Me respekt,
Ankuesi
Nihat Ozbek

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Erion Braçe del kundër Ramës për Zvërnecin (VIDEO)

Deputeti Erion Braçe ka folur lidhur me mënyrën se si po trajtohet publikisht projekti i investimit strategjik në Zvërnec. Në një reagim publik, Braçe theksoi...
14:05 | 04/06/2026

SPAK sekuestron vilën në Dhërmi, akuza të reja ndaj Belinda Ballukut

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro preventive mbi një vilë një resort në Gjilekë të Dhërmiut. SPAK njofton se...
14:03 | 04/06/2026

Vrasja e policit gjatë operacionit në Maliq, Lamallari nga Trauma: Hetim i thelluar mbi përgjegjësitë

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi se kanë nisur procedurat për shpalljen e efektivit Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, me...
13:47 | 04/06/2026