Deklarata e Konferencës Ipeshkvore për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka dalë me një deklaratë për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
Zëdhënësi Konferencës Ipeshkvore, Dom Mark Pashkja tha në një fjalë nga Shkodra se Papa Françesku u bë një zë i fuqishëm në të gjithë botën duke shpallur ungjillin e dashurisë ndaj më të varfërve dhe më të përjashtuarve të shoqërisë.
Deklarata e plotë
Sapo na erdhi lajmi i kalimit në amshim të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, i cili u kthye në shtëpinë e Atit sot rreth orës 7:35 të mëngjesit, mendjet dhe zemrat tona iu drejtuan Hyjit të Gjithpushtetshëm në lutje për shpirtin e tij.
Na bien ndërmend muajt e fundit të vuajtjes së tij shëndetësore e në të njëjtën kohë këmbëngulja e tij për të qëndruar pranë popullit të tij si Bari i mirë deri në fund edhe përgjatë këtyre ditëve të Pashkëve. Ditën e Pashkës deshi vetë ai të japë bekimin Urbi et orbi si testamentin e tij të fundit. Ai iku duke na bekuar!
Papa Françesku zgjodhi të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator 2014 si vendin e parë Evropian pak pasi ishte zgjedhur në krye të Kishës. Në atë vizitë të gjithë kujtojmë fjalët e tij e më pas përkujdesjen e tij të vazhdueshme për Shqipërinë.
Papa Françesku e udhëhoqi kishën në këto vite nëpërmjet një dëshire të thellë ndryshimi dhe reformash. Ai u bë një zë i fuqishëm në të gjithë botën duke shpallur ungjillin e dashurisë ndaj më të varfërve dhe më të përjashtuarve të shoqërisë. Ai ngriti vazhdimisht zërin kundër luftës, armatimeve dhe shkatërrimit të krijimit.
Me fjalë dhe me vepra e udhëhoqi Kishën katolike drejt një trajte më të përulur, më të thjeshtë e më sinodale. Ne i jemi mirënjohës Hyjit që na dha Papa Françeskun në këto vite dhe i lutemi Hyjit që ta pranojë në banesat e amshuara të Mbretërisë së tij.
Si ipeshkvinj falenderojmë të gjithë ata që në këto momente na gjenden pranë në mënyra e forma të ndryshme. U bëjmë thirrje të gjithë komuniteteve Dioqezane, famullitare, rregulltare e çdo besimtari që të luten për Papa Françeskun. Po ashtu, duke filluar nga mbrëmja e ditës sotshme, të organizohen momente lutjeje dhe përshpirtje në të gjitha komunitetet e besimtarëve dhe këmbanat të bien në shenjë zie duke filluar nga momenti i marrjes së kësaj letre.
Krishti e pastë në parriz Papa Françeskun e i dhashtë dritën e amshuar!
LEXONI GJITHASHTU:
Protestuesit ritheksojnë kërkesat: Dorëheqja e Ramës dhe qeveri teknike
Berisha: PD bën thirrje për çdo shqiptar të mbështesë ndryshimin
Dita e 26-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë
- 20:04 Rritet ndjeshëm trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, niveli më i lartë pas luftës SHBA-Iran
- 20:04 Protestuesit ritheksojnë kërkesat: Dorëheqja e Ramës dhe qeveri teknike
- 19:58 Berisha: PD bën thirrje për çdo shqiptar të mbështesë ndryshimin
- 19:50 Dita e 26-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë
- 19:43 Parlamenti spanjoll i bën thirrje Sanchez të japë dorëheqjen për shkak të skandaleve të korrupsionit
- 19:43 Meteorologët: 2027-a pritet të jetë vit edhe më i nxehtë për shkak të El Nino-s, efektet ndihen dhe në Shqipëri