Shkarkimi i Presidentit, Komisioni i Ligjeve shtyn mbledhjen për t’i dhënë mundësi pjesëmarrjeje edhe Metës

5 Maj 2021 | 12:55

Komisioni i Ligjeve shtyu për ditën e nesërme mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së 49 deputetëve socialistë për ngritjen e një komisioni parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Pas rreth një orë diskutime anëtarët e komisionit vendosën që të mos miratojnë një raport për t’ia dërguar Kuvendit, por ta shtyjnë mbledhjen për ditën e nesërme me synim që t’i jepet mundësi Presidentit Meta që të shprehet.

Më herët, përpara nisjes së mbledhjes, zyra për shtyp e Presidencës njoftoi mediat se i ishte përgjigjur Kuvendit me një shkresë ku thoshte se Meta ishte i gatshëm t’i përgjigjej ftesës për ballafaqim më datë 10 maj.

Mirëpo kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja theksoi se datën dhe orën se kur Presidenti mund t’i përgjigjet Komisionit e cakton vetë Komisioni. Manja sidoqoftë pranoi se Presidenti e ka të drejtë të shprehet në Komision dhe anëtarët e tij kanë për detyrë ta dëgjojnë.

Manja propozoi që Komisioni të zhvillojë mbledhje tjetër ditën e nesërme ora 11:00 dhe Presidenti të njoftohet menjëherë nga sekretaria. Nga anëtarët e komisionit votoi kundër vetëm deputeti Adriatik Alimadhi i cili theksoi se “ftesa 16 orë para ia pamundëson të drejtën për t’u shprehur Presidentit”.

Gjatë mbledhjes së sotme ka pasur debat për sa i përket ligjshmërisë së ngritjes së një komisioni parlamentar dhe shqyrtimit të tij nga Komisioni i Ligjeve.

Duke cituar Nenin 65 të Kushtetutës, Ulsi Manja tha se Kushtetuta e sqaron se periudha e katër muajve të fundit të legjislaturës përllogaritet në raport me datën e mbajtjes së mbledhjes së parë të saj. Në këtë rast ai tha se data e parë e mbledhjes së Kuvendit për legjislaturën aktuale ka qenë 9 shtatori i vitit 2017.

Kështu sipas Manjes Komisioni është në kohë për ta shqyrtuar këkresën.

Gjashtë ditë më parë, 49 deputetë të PS firmosën kërkesën që më pas u depozitua në Kuvend për të vijuar me procedurën parlamentare, ndërkohë  të premten pritet të zhvillohet seanca plenare që do të miratojë edhe përbërjen e komisionit hetimor.

Shumica socialiste pretendon se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me deklaratat e tij para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.

Përmes një shkrese dërguar Kuvendit nga drejtori i Kabinetit të Presidenti Ilir Meta, Edmond Panariti, Presidenca u shpreh në mesditë se nuk i është komunikuar qartë arsyeja se përse mbahet mbledhja e Komisionit të Ligjeve apo se çfarë kërkohet nga ky Komision prej Presidentit.

Panariti theksoi se për Presidentin procesi i nisur për shkarkimin e tij është “fiktiv” për sa kohë Kuvendi mbetet “ilegjitim” për faktin se nuk ka 140 deputetë aq sa e kërkon Kushtetuta.

Meta i ka kërkuar Kuvendit që në vend të kërkesave për shkarkimin e tij, Kuvendi të nisë sa më parë shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për zgjedhjet nga opozita.

LEXONI GJITHASHTU: 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës

Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë,...
10:27 | 04/06/2026

Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku një efektiv policie u vra dhe një tjetër mbeti...
09:53 | 04/06/2026

U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës

Efektivi i ‘Shqiponjave’ Edison Adri që mbeti i plagosur nga operacioni në Lozhan të Maliqit, është nisur për mjekim të specializuar drejt Spitalit të Traumës...
09:44 | 04/06/2026