SHBA dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje strategjike për energjinë dhe mineralet
Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë firmosur një marrëveshje të rëndësishme për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve energjetike dhe mineraleve kritike të Ukrainës, pas muajsh negociatash intensive. Marrëveshja synon të ndihmojë në rindërtimin ekonomik të vendit të shkatërruar nga lufta me Rusinë.
Sipas njoftimit zyrtar nga Departamenti Amerikan i Thesarit, të dyja vendet do të krijojnë Fondin e Investimeve për Rindërtim SHBA-Ukrainë, i cili do të financojë projekte strategjike në sektorët e mineraleve, naftës dhe gazit. Burimet natyrore do të mbeten pronë e Ukrainës, ndërsa partneriteti do të funksionojë në bazë të barabartë 50:50.
Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, theksoi se kjo marrëveshje pasqyron angazhimin e përbashkët për paqen dhe prosperitetin afatgjatë të Ukrainës. Ai deklaroi se partneriteti do të “zhbllokojë asetet e rritjes” së vendit dhe është një hap kyç drejt rimëkëmbjes ekonomike.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko, e pranishme në Uashington për nënshkrimin e marrëveshjes, deklaroi se fondi do të tërheqë investime globale dhe do të forcojë sovranitetin ekonomik të Ukrainës. Ajo shtoi se marrëveshja do të përfshijë edhe mbështetje të re ushtarake, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore.
Kjo lëvizje vjen në një kohë tensionesh të shtuara tregtare mes SHBA-së dhe Kinës, nga e cila burojnë rreth 90% e metaleve të rralla që përdoren globalisht. Ukraina zotëron rezerva të mëdha të mineraleve kritike si grafiti, titani dhe litiumi, që kanë rëndësi strategjike për industrinë e gjelbër dhe sektorin mbrojtës.
Marrëveshja duhet ende të ratifikohet nga parlamenti ukrainas, ndërsa Kremlini nuk ka reaguar ende ndaj këtij zhvillimi.
LEXONI GJITHASHTU:
Shpërthime të shumta në Irak, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzojnë pesë dronë
Ushtarët polakë dhe gjermanë përforcojnë së bashku kufirin e Polonisë me Rusinë
SHBA kërcënon me sanksione kompanitë kineze për vjedhjen në fushën e inteligjencës artificiale
- 22:33 Ish-prokurori kritikon ligjin e amnistisë penale për nënën 34-vjeçare: Ky është rast specifik që fëmija duhet të shkojë te nëna
- 22:22 Shpërthime të shumta në Irak, sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzojnë pesë dronë
- 22:19 Ushtarët polakë dhe gjermanë përforcojnë së bashku kufirin e Polonisë me Rusinë
- 22:17 SHBA kërcënon me sanksione kompanitë kineze për vjedhjen në fushën e inteligjencës artificiale
- 22:16 Irani paralajmëron SHBA-në dhe aleatët: Çdo sulm do të marrë përgjigje të fortë
- 22:12 SHBA pritet të nënshkruajë marrëveshje me Arabinë Saudite për programin bërthamor civil