Mbreti Abdullah II i Jordanisë pritet me ceremoni shtetërore nga presidenti Begaj

2 Maj 2025 | 13:08

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të premte në një ceremoni zyrtare në Tiranë Mbretin Abdullah II bin Al-Hussein të Jordanisë, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të kreut të shtetit shqiptar.

Pas ceremonisë së pritjes në Presidencë, dy liderët zhvilluan një takim tetë-a-tetë, i cili u pasua me një takim të zgjeruar mes zyrtarëve të të dy vendeve.

Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve jordaneze në Shqipëri, duke shprehur vullnetin për të thelluar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Po ashtu, ai vlerësoi mbështetje të vazhdueshme të Jordanisë për Kosovën, veçanërisht për njohje të reja dhe hyrje në organizmat ndërkombëtarë.

Në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, Begaj shprehu mbështetje për hapjen e një zyre ndërlidhëse të NATO-s në Jordani dhe theksoi rolin e rëndësishëm të Jordanisë si një partner i fuqishëm në krahun jugor të Aleancës.

Gjithashtu, Presidenti Begaj përmendi iniciativën e suksesshme të Procesit të Aqaba-s, e cila ka dhënë një kontribut të madh në luftën kundër terrorizmit.

Ai theksoi se Jordania është një kolonë e fortë stabiliteti në rajon dhe se Shqipëria është e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, liderët diskutuan për mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete, duke e cilësuar atë si rrugën e vetme të drejtë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Mbreti Abdullah II do të zhvillojë gjithashtu një takim me Kryeministrin Edi Rama.

Kjo është vizita e dytë zyrtare e Mbretit Abdullah II në Shqipëri. Vizita e parë u realizua më 12 maj të vitit 2015, kur ai u prit nga presidenti i ndjerë Bujar Nishani.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gazetarja: Rama përballë “fëmijëve politikë” të tij, kërkojnë zgjidhje për problemet e krijuara nën qeverisjen e tij

Duke folur për protestat e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë, gazetarja Mirela Milori u shpreh se problematikat e ngritura në shesh po përpiqen të zbehen...
22:28 | 25/06/2026

Aktivisti Goci: Një agjent nuk del me fytyrë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit

“Një agjent nuk del me fytyrë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, por vepron në mënyrë të fshehtë.” Kështu u shpreh aktivisti Ervin Goci në...
21:57 | 25/06/2026

“Rama jepe dorëheqjen”, protestuesit marshojnë dhe ndalen para Parlamentit në Tiranë

Pas rreth dy orësh fjalimesh në ditën e 26-të të protestës, aktivistët dhe qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë kanë nisur marshimin nëpër kryeqytet, duke thirrur...
21:36 | 25/06/2026