Presidenti Begaj kryen homazhe për Papa Françeskun në Vatikan
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kreu sot homazhe pranë trupit të Papa Françeskut në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë një ceremonie ku morën pjesë drejtues shtetesh, klerikë dhe besimtarë nga mbarë bota.
Gjatë kësaj ceremonie nderimi për Atin e Shenjtë, Presidenti Begaj u shoqërua nga katër përfaqësuesit kryesorë të komuniteteve fetare në Shqipëri: mysliman, ortodoks, katolik dhe bektashi. Prania e tyre simbolizoi frymën e bashkëjetesës fetare dhe harmonisë ndërfetare që karakterizon Shqipërinë, një vlerë që Papa Françesku e kishte vlerësuar në mënyrë të veçantë gjatë vizitës së tij në vend në vitin 2014.
Krah Presidentit Begaj në këtë ceremoni ishin edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kardinali shqiptar Ernest Troshani, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan Pelushi, Kreu i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, si dhe Kreu i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Gent Kruja.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj është pritur në dy Audienca të veçanta në Selinë e Shenjtë, Vatikan, nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku. Herën e parë Presidenti Begaj u takua me Atin e Shenjtë në dhjetor të vitit 2022, disa muaj pasi kishte marrë detyrën e kreut të shtetit në Shqipëri. Takimin e dytë me Papa Françeskun, Presidenti Begaj e zhvilloi në maj të vitit të kaluar. Pas dy takimeve të përzemërta me Atin e Shenjtë, Presidenti Begaj ka shprehur se është ndjerë i nderuar nga pritja në Audiencë të veçantë, ku ka pasur rastin të falënderojë Papa Françeskun për mesazhet e paqes që ka përcjellë në mbështetje të shuarjes së konflikteve dhe forcimit të dialogut ndërkombëtar.
Pjesëmarrja e këtij delegacioni të lartë shqiptar në ceremoninë e lamtumirës për Papa Françeskun nënvizon respektin e thellë të Shqipërisë për figurën e Atit të Shenjtë dhe për trashëgiminë e tij të paqes, bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar.
LEXONI GJITHASHTU:
Samiti i NATO-s në Ankara, liderët botërorë bëjnë foton familjare
Zjarr masiv në Porto Palermo
Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, reagon AKU
- 15:19 Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt për lirim nga burgu
- 15:12 Ministri i Brendshëm reagon pas protestës: Opozita përpjekje për të penguar rrugën evropiane të vendit
- 15:03 Opozita bllokon foltoren, mazhoranca miraton propozimin e Ballës për kalimin direkt në votim
- 14:49 Kallas: Bllokada detare e rebelëve Huthi ndaj Arabisë Saudite, rrezikon stabilitetin rajonal
- 14:45 Seanca plenare, mbërrin në Parlament kryeministri Rama. Policia formon gardhin metalik (VIDEO)
- 14:24 Policia vijon shoqërimet e 4 protestuesve të tjerë, tensionohet situata jashtë Kuvendit