“Destinacion” udhëton në Antigone dhe Varosh, lagjen e dytë më të hershme të Gjirokastrës

6 Maj 2021 | 18:29

“Destinacioni” ynë i sotëm është në jug të vendit, në Antigone, një qytet që u ngrit nga dashuria për një femër, dhe që u shkrumbua plotësisht prej urrejtjes. Do të vizitojmë edhe lagjen Varosh në Gjirokastër, ku shtëpia e Familjes Cico mbush 200 vjeç.

Destinacioni i parë do të jetë Antigonea, një nga qytetet antike më të mëdha të territorit të Shqipërisë dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik i Luginës së Drinosit.

Qyteti shtrihet në kodrën e Jermës. Poshtë, shtrihet lugina e Drinosit ku ka një sërë pasurish arkeologjike nga më intensivet në Shqipëri me shumë site turistike, Adrianopuli Justianolopoli, Lekli.

Engjell Serjani, ish-drejtor për 8 vjet i Parkut Antik të Antigonesë na tregon pjesë nga historia e këtij vendbanimi.

“Ka nisur të ndërtohet që në vitin 295 para Krishtit dhe siç dihet ka emrin e Antigonës, që është gruaja e parë e mbretit Pirro. Ai ka qenë një strateg i madh, por dhe ndërtues i madh. Mjafton të them që ka tre qytete në këtë territor, që kanë emra femrash dhe kjo tregon që në Ilirinë e vjetër femra respektohej”, thotë ish-drejtori i parkut antik të Antigonesë, Engjell Serjani.

Por ky qytet i ndërtuar nga dashuria e Pirros për gruan e tij të parë, Antigonën, u shkatërrua nga një zjarr i madh që e zhduku këtë qytet. Në vitin 167 konsulli romak Amelius Paulus i vuri zjarrin shumë qyteteve antike në Shqipëri. Mendohet se qyteti u dogj brenda natës dhe më mbrapa nuk kishte me jetë në këtë qytet.

Largohemi nga Antigonea për të vizituar Varoshin, lagjen e dytë më të hershme të Gjirokastrës, e cila kryesisht popullohej nga ortodoksët. E veçantë është shtëpia e Cicove, e cila mbush 200 vjeç e duket sikur asgjë s’ka ndryshuar prej atëherë.

Banesa ka dy oborre, me shumë kamare në mure që tregojnë pronësinë e tyre por dhe e dobishme si për të vendosur kandilin apo te sterra e ujit sapunin. Në oborrin e parë mbaheshin kafshët e punës ndërsa oborri i brendshëm ishte për përdorim familjar.

Inxhinieri Mihal Cico na bën një guidë në këtë shtëpi muze, e cila që nga ndërtimi më 1821 banohet prej familjes Cico.

“Këtë vit kjo shtëpi bën 200 vjet që është diçka e rrallë për ndërtesat në Gjirokastër apo në Shqipëri. E veçanta e kësaj shtëpie është se ruhet pothuajse ekzaktësisht si në kohën kur është ndërtuar, pra nuk ka ndryshime dhe është shtëpi banimi. Shtëpia është ndërtuar në 1821, në kohën e kulmit të lavdisë së Ali Pashës, i cili ishte sundimtari i kësaj zone”, – shprehet pronari i shtëpisë, inxhinieri Mihal Cico.

Më tej gjejmë shtëpinë muze të Ismail Kadaresë e cila është e mbyllur dhe Sokakun e të marrëve, përmendur aq shpesh në romanet e shkrimtarit të njohur. Teodor Bilushi, djalë i kësaj lagjeje na tregon detajet e Varoshit.

“Në këtë lagje nuk ka diversitete të theksuara për sa i përket etnive, përkatësisë fetare, kulturave, arkitekturës. Në këtë lagje kanë bashkëjetuar shqiptarët autoktonë ortodoksë dhe myslimanë, por edhe të huaj që kanë ardhur në qytet”, – tregon studiuesi Teodor Bilushi për “Destinacion” në Euronews Albania.

Përmes lagjes Varosh, një ndër më të vjetrat e Gjirokastrës në këtë Destinacion, sollëm veçse një copëz të qytetit të gurtë.

 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rreth 1,500 persona lirohen në Siri pas amnistisë së përgjithshme

Rreth 1,500 persona janë liruar në Siri sipas një dekreti për amnisti të përgjithshme, tha Mazhar al-Wais, ministër i drejtësisë në qeverinë kalimtare të vendit....
15:50 | 22/02/2026

Kampionati Ndërkombëtar i Fluturimeve të Lira, 50 pjesmarrës në ‘Korça Open Air’!

Në Korçë është zhvilluar Kampionati Ndërkombëtar i Fluturimeve të Lira. Për 3 ditë me radhë, në garën e zhvilluar në fushën e aviacionit sportiv në...
19:33 | 22/12/2024

Festat e nëntorit, mbizotërojnë udhëtimet jashtë, shqiptarët zgjedhin Europën

Pushimet zyrtare për festat e 28-29 Nëntorit, shqiptarët kanë vendosur ti festojë jashtë trojeve shqipfolëse. Shumë familje kanë zgjedhur që katër ditët që kanë pushim,...
15:46 | 29/11/2024