Presidenti i Këshillit Evropian viziton Kosovën

14 Maj 2025 | 09:07

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do ta vizitojë Kosovën të mërkurën.

Gjatë pasdites, ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Costa e viziton Kosovën në një kohë kur ligjvënësit kosovarë nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt, edhe pas 15 përpjekjeve. Qeveria e Albin Kurtit është ende në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re pas konstituimit të Kuvendit.

Po ashtu, kjo vizitë zhvillohet në një kohë kur liderët kosovarë po shtojnë thirrjet drejtuar Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura pas tensioneve në veri të vendit. Këto masa mbeten ende në fuqi, me arsyetimin se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe.

Costa një ditë më parë qëndroi në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Costa theksoi se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe shtoi se është po aq i rëndësishëm edhe qëndrimi i qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçiq ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.

“Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër”, tha Costa.

Në Sarajevë, ai shprehu shqetësim për, siç i quajti, “veprimet ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar ato si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.

Pas Kosovës, ai do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Shqipërinë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Liderët e BE-së zgjodhën portugezin Antonio Costa si president të Këshillit Evropian, detyrë të cilën e mori më 1 dhjetor 2024.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026