Çfarë është melanoma dhe si trajtohet? Dr. Helidon Nina shpjegon protokollet

25 Maj 2025 | 17:18

Kamera e Emisionit Health O’Clock ishte në Spitalin Onkologjik, ku gazetarja Brunilda Cami realizoi një intervistë me shefin e shërbimit të kirurgjisë onkologjike, Dr. Helidon Nina, lidhur me melanomën dhe protokollet e ndjekura për trajtimin e saj.

Dr. Nina theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe ndërhyrjes në kohë, duke nisur nga kontrolli tek dermatologu:

“Në momentin e parë kur një nishan ndryshon formë, madhësi apo ngjyrë, ndryshe nga ç’ka qenë më parë, është koha për të kryer vizitë te dermatologu. Ai vlerëson nëse ka vend për shqetësim dhe më pas, nëse është e nevojshme, e referon rastin për kirurgjinë onkologjike,” tha ai.

Si zhvillohet trajtimi?

Sipas Dr. Ninës, hapi i parë është heqja e formacionit të dyshimtë përmes një procedure kirurgjikale:

“Pasi dermatologu rekomandon heqjen e formacionit kutan, bëhet ndërhyrja kirurgjikale me kufij makroskopikisht të lirë – që do të thotë, hiqet formacioni dhe më pas, materiali dërgohet për analizë patologjike që konfirmon nëse bëhet fjalë për melanomë,” shpjegoi mjeku.

Pas analizave të anatomisë patologjike dhe atyre laboratorike e imazherike, rasti shqyrtohet nga një grup i specializuar mjekësh – kirurgu, patologu, imazheristi dhe onkologu – për të vendosur mbi trajtimin e mëtejshëm.

“Në disa raste mund të nevojitet një ndërhyrje më e thelluar ose trajtim shtesë me kimioterapi, varësisht nga stadi i sëmundjes,” theksoi ai.

Statistikat për vitin 2023

Duke iu referuar të dhënave zyrtare, Dr. Nina u shpreh se melanoma është pjesë e një grupi më të gjerë të kancereve të lëkurës, me shifra në rritje nga viti në vit.

“Vetëm gjatë vitit 2023 kemi pasur rreth 1250 raste me kancer të lëkurës. Nga këto, melanoma përbënte një nënkategori me 65 raste të reja, ku 31 ishin femra dhe 34 meshkuj,” deklaroi ai.

Ai shtoi se, ndonëse melanoma është një patologji serioze, ajo trajtohet me sukses kur diagnostikohet herët:

“Në stadet e para, një heqje kirurgjikale është e mjaftueshme. Në rastet e avancuara, kërkohen edhe trajtime sistemike si kimioterapia,” tha Dr. Nina.

Çfarë është melanoma?

Melanoma është një formë specifike e kancerit të lëkurës që zhvillohet nga melanocitet – qelizat që prodhojnë pigmentin melaninë, i cili i jep ngjyrë lëkurës. Ky lloj kanceri mund të shfaqet si një nishan i ri apo si ndryshim i një nishani ekzistues dhe është më agresiv se format e tjera të kancerit të lëkurës. Nëse nuk trajtohet në kohë, mund të përhapet në organe të tjera.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mbledhja me drejtuesit politikë të qarqeve, Rama mbërrin në selinë e PS (VIDEO)

Kryeministri dhe njëherësh kreu i PS, Edi Rama këte të mërkurën ka mbërritur në selinë e Partisë Socialiste ku do të zhvillojë një mbledhje me...
08:40 | 24/06/2026

Aksident me vdekje në aksin Lezhë-Milot, kamioni përplaset me një makinë. Plagosen edhe 2 persona

Një aksident i rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkurë në aksin rrugor Lezhë-Milot. Fatkeqesisht një person ka humbur...
08:33 | 24/06/2026

“Vesha për pak çaste këpucët e kryeministrit”, Rama ndan postimin e qytetarit: I carried the storm

Kryeministri Edi Rama këtë mërkurë ka shpërndarë në “Facebook” një video dhe mbishkrimin e një postimi të një qytetari të cilin e ka cilësuar si...
08:05 | 24/06/2026