Letra e PD, Bardhi akuzon Presidentin për ndërhyrje në zgjedhje përmes Rusmalit
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, që të mos ndërhyjë në procesin zgjedhor përmes Kabinetit të tij.
Duke iu referuar rastit të Ilirjan Rusmalit – anëtar i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) dhe njëkohësisht Këshilltar Ligjor i Presidentit – Bardhi ngre shqetësimin duke thënë se përfshirja e Kabinetit presidencial në administrimin e zgjedhjeve përbën një cënim të rëndë të neutralitetit që Kushtetuta i njeh Presidentit të Republikës.
“Ndërhyrja juaj në procesin zgjedhor, përmes Kabinetit tuaj, minon figurën e Presidentit të Republikës dhe e bën atë palë të certifikimit të një farse elektorale”, shkruan Bardhi në letrën drejtuar Kreut të Shtetit.
Sipas tij, përfshirja e Këshilltarit Ligjor të Presidentit në një organ si KAS-i përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe të papranueshme në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
PD i referohet gjithashtu edhe raportit paraprak të OSBE-ODIHR, ku evidentohet “shkrirja e shtetit me partinë në pushtet”, ndërsa paralajmëron se përfshirja e Presidencës në këtë proces do të ishte një atentat ndaj demokracisë dhe Kushtetutës.
Grupi Parlamentar i PD kërkon nga Presidenti Begaj të sqarojë nëse ka autorizuar këtë përfshirje, si dhe të distancohet nga qëndrimet publike të Kabinetit ndaj përfaqësuesve të opozitës në KQZ.
Në fund, Bardhi i kërkon Begajt që të ruajë neutralitetin politik dhe të mos e kthejë Institucionin e Presidentit në palë në zgjedhje.
Letra e plotë që Grupi Parlamentar i PD i ka dërguar Presidentit të Republikës
I nderuar z. President i Republikës,
Me shqetësim të madh dhe në shkelje flagrante të parimit të neutralitetit politik të Institucionit të Presidentit të Republikës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është njohur me përfshirjen e Kabinetit tuaj në procesin elektoral për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti i Republikës dhe institucioni që ai përfaqëson është një organ kushtetues i pavarur, pa asnjë rol në administrimin e zgjedhjeve.
Megjithatë, në kundërshtim me këtë parim dhe përgjegjësi kushtetuese, rezulton se Kabineti juaj është përfshirë në procesin e administrimit të zgjedhjeve përmes Këshilltarit tuaj Ligjor, z. Ilirjan Rusmali, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke pasur parasysh rolin kyç të KAS-it në procesin zgjedhor dhe mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të tij, përfshirja e Kabinetit tuaj në këtë fazë përbën një ndërhyrje të papranueshme dhe antikushtetuese në zgjedhje.
Kjo ndërhyrje bie ndesh me nenin 86 të Kushtetutës, ku përcaktohet se “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Angazhimi i Kabinetit tuaj në procesin zgjedhor cënon rëndë këtë parim themelor.
Ndërhyrja juaj përmes Kabinetit e kompromenton figurën e Presidentit të Republikës dhe e kthen atë në palë në një proces që, sipas raportit paraprak të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, është karakterizuar nga një “shkrirje e shtetit me partinë në pushtet”. Është thellësisht e dënueshme që kjo shkrirje të shtrihet edhe tek institucioni i Presidentit, duke cenuar rolin tuaj si garant i unitetit dhe paanësisë politike.
Nëse Institucioni i Presidentit është përfshirë në mënyrë aktive në procesin zgjedhor, në kundërshtim me Kushtetutën, kjo përbën një sulm serioz ndaj demokracisë dhe vetë rendit kushtetues, që mbështetet në zgjedhje të lira dhe të barabarta. Përfshirja e mundshme e Presidencës në certifikimin e rezultatit, në koordinim me pushtetin, fshin çdo kufi mes shtetit dhe partisë.
- President i Republikës,
Në përputhje me përgjegjësitë tuaja kushtetuese, ju ftojmë të sqaroni nëse përfshirja e Kabinetit tuaj në procesin zgjedhor është bërë me autorizimin tuaj të drejtpërdrejtë. Po ashtu, kërkojmë të bëni të qartë nëse qëndrimet publike të Kabinetit ndaj përfaqësuesve të opozitës në KQZ përfaqësojnë zyrtarisht qëndrimin tuaj si President. Më e rëndësishmja: duhet të ndërprisni menjëherë çdo përfshirje apo angazhim të Kabinetit tuaj në administrimin e zgjedhjeve. Kushtetuta dhe ligji janë të qarta: Institucioni i Presidentit nuk ka asnjë rol në këtë proces.
Ju keni përgjegjësinë institucionale dhe morale të ndaloni shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet dhe të ruani paanësinë dhe neutralitetin që kërkon funksioni i Presidentit të Republikës.
LEXONI GJITHASHTU:
E vërteta e rrëzimit të Concorde, ëndrra supersonike që përfundoi në tragjedinë e 25 korrikut 2000
Macron premton rindërtimin pas zjarreve në Francë: Shteti do të jetë në terren sa të jetë e nevojshme
Zbulim i rrallë në Parkun Kombëtar të Llogarasë, eksploruesit gjejnë zgavrën 70 metra të thellë
- 21:58 E vërteta e rrëzimit të Concorde, ëndrra supersonike që përfundoi në tragjedinë e 25 korrikut 2000
- 21:48 Macron premton rindërtimin pas zjarreve në Francë: Shteti do të jetë në terren sa të jetë e nevojshme
- 21:37 Zbulim i rrallë në Parkun Kombëtar të Llogarasë, eksploruesit gjejnë zgavrën 70 metra të thellë
- 21:01 Rrëfehet xhaxhai i Rozalindës: Kishte mbi 40 ditë kërcënime nga Buzi, institucionet dështuan
- 20:42 Protesta në ditën e 56-të, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë dhe paralajmërojnë tubim të ri të hënën te Parlamenti
- 20:30 Gazetari zbulon detaje nga tragjedia në Roskovec: Rozalinda pa vrasjen e prindërve dhe u mor peng