Nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme të datës 30 maj teksa u plagos një 36-vjeçar me armë zjarri në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës–Katund Sukth” në Durrës, është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar dhe shpallja në kërkim e tij.
Sipas hetimeve të kryera, autori i dyshuar i ngjarjes është identifikuar si shtetasi Kid Kazazi 30 vjeç, banues në Kavajë.
Mësohet se mbrëmjen e djeshme kur autori i dyshuar Kid Kazazi lëvizte me automjetin tip “Ford Focus”, gjatë një manovre parakalimi, ka qëlluar me armë zjarri, të dyshuar pistoletë, drejt automjetit tip “Lancia” ku udhëtonte Arbër Goreja 36 vjeç, banues në Durrës.
Si pasojë e të shtënave, Goreja ka mbetur i plagosur, ndërkaq bëhet me dije se me të në automjet ishin edhe dy të mitur 14 dhe 15 vjeç, të cilët nuk kanë pësuar lëndime.
Nga hetimet ka rezultuar se disa ditë më parë, Arbër Goreja ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të Kid Kazazit i cili ka pësuar dëmtime fizike por është jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për zbardhjen e motiveve të plota të saj.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë po punojnë intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.