Zbardhet plagosja e 15-vjeçarit te piceria në Tiranë: 3 të arrestuar, 2 në kërkim
Policia e Tiranës ka dokumentuar ngjarjen e ndodhur ditën e diel në një piceri në zonën e Ali Demit, ku mbeti i plagosur një 15-vjeçar.
Policia ka shpallur në kërkim 21-vjeçarin Aldi Neziri, i dyshuar si autori i plagosjes, si dhe administratorin e picerisë ku ndodhi ngjarja, 24-vjeçarin Leonardo Mejdani.
Sipas njoftimit të policisë, stafi i picerisë kishte tentuar të fshehë gjurmët e ngjarjes, duke ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe duke hequr DVR-në e kamerave të sigurisë për të zhdukur pamjet filmike.
Si rezultat, efektivët kanë arrestuar tre punonjës të picerisë: Ferit Basha, Andi Hyka dhe Keivin Bala, të cilët akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Policia bën me dije se 21-vjeçari Aldi Neziri ka qëlluar të miturin me një armë zjarri atipike ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Njoftimi i policisë
Zbardhen dhe dokumentohen rrethanat e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 21-vjeçar, i cili dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri atipike 15-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në një piceri.
Arrestohen 3 punonjës të picerisë dhe shpallet në kërkim administratori i saj, pasi nuk kanë kallëzuar për ngjarjen dhe kanë kryer veprime për të penguar zbardhjen e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar, kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe disa shtetas të përfshirë në përfshirë në këtë rast.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi A. N., 21 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-u shpall në kërkim L. M., 24 vjeç, administratori i picerisë ku ndodhi ngjarja, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-u arrestuan shtetasit F. B., 20 vjeç, A. H., 29 vjeç dhe K. B., 20 vjeç, punonjës të picerisë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Këta shtetas dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetase 15 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

LEXONI GJITHASHTU:
Reshje breshëri në Devoll, dëme në bujqësi (FOTO)
Hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të Policisë, procedohen 30 protestues. Arrestohen 2 të tjerë
Dokumenti ‘Besa’, Rama: Për kthesën e mandatit të katërt! Protestën ta kthejmë në një test pjekurie të demokracisë
- 14:45 Reshje breshëri në Devoll, dëme në bujqësi (FOTO)
- 14:44 Kryeministri Burnham përuroi selinë e re qeveritare në Manchester, e emëron “Nr. 10 Veri”
- 14:36 Droni shkel hapësirën ajrore të Rumanisë, ngrihen avionët luftarakë
- 14:35 Gjykata Themelore dënon me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti
- 14:23 Gjermania emëron Jurgen Klopp trajnerin e ri të futbollit
- 14:11 Hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të Policisë, procedohen 30 protestues. Arrestohen 2 të tjerë