Britania kërcënon me padi Abramovich për fondet e shitjes së Chelsea-t

3 Qershor 2025 | 07:23

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj ish-pronarit të klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich, nëse nuk arrihet një marrëveshje për përdorimin e fondeve nga shitja e klubit për ndihmë humanitare në Ukrainë.

Të ardhurat nga shitja e Chelsea-t, që kapin vlerën e 2.5 miliardë funtesh, janë ngrirë në një llogari bankare në Mbretërinë e Bashkuar që prej vitit 2022, kur Abramovich u sanksionua nga qeveria britanike pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Ndërsa qeveria britanike kërkon që fondet të përdoren ekskluzivisht për ndihmë humanitare për popullin ukrainas, Abramovich ka shprehur dëshirën që paratë të përdoren për “të gjitha viktimat e luftës në Ukrainë”, duke përfshirë edhe rusët e prekur nga konflikti.

Në një deklaratë të përbashkët të dhënë nga Kancelarja Rachel Reeves dhe Sekretari i Jashtëm David Lammy, thuhet: “Ndërsa dera për negociata do të mbetet e hapur, ne jemi plotësisht të përgatitur ta ndjekim këtë çështje përmes gjykatave nëse është e nevojshme.”

Zyrtarët britanikë theksuan gjithashtu domosdoshmërinë e veprimit të shpejtë: “Duam të sigurojmë që njerëzit që vuajnë në Ukrainë të mund të përfitojnë nga këto të ardhura sa më shpejt të jetë e mundur.”

“Qeveria është e vendosur që të ardhurat nga shitja e Klubit të Futbollit Chelsea të shkojnë për kauza humanitare në Ukrainë, pas pushtimit të paligjshëm në shkallë të plotë nga Rusia,” vijon deklarata.

“Jemi thellësisht të frustruar që deri më tani nuk ka qenë e mundur të arrihet një marrëveshje për këtë me zotin Abramovich,” përfunduan zyrtarët.

Përplasja rreth destinacionit të fondeve vazhdon, ndërsa në sfond qëndron presioni për të ndihmuar popullin ukrainas mes një konflikti që nuk ka shenja përfundimi të afërt.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Papa Leo lutet për viktimat e tërmetit në Venezuelë, BE dërgon ndihmë emergjente

Papa Leo shprehu solidaritetin e tij me qytetarët e Venezuelës, të cilët po përpiqen të përballojnë ndikimin shkatërrues të dy tërmeteve të njëpasnjëshëm. “Dua të shpreh lutjet...
15:23 | 28/06/2026

“Ju lutem, një ambulancë!” Pas 74 orësh nën rrënoja, shpëtohen një foshnje 10-muajshe dhe një 11-vjeçar (VIDEO)

Bilanci i viktimave dhe të plagosurve nga tërmetet e fuqishme në Venezuelë vijon të rritet nga dita në ditë. Mes tragjedisë, megjithatë, nuk kanë munguar...
14:58 | 28/06/2026

Rrëzohet një avion në Francë, humbin jetën 11 persona

Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni në qytetin Tomblaine, në verilindje të Francës. Sipas prefekturës lokale, avioni i përkiste...
14:45 | 28/06/2026